Çaste dhe segmente vrojtimi të përmbledhjes poetike, “Kohë jete”, e poetit të mirënjohur, Raif Gashi

Çaste dhe segmente analize të përmbledhjes poetike, “Kohë jete”, e poetit të mirënjohur, Raif Gashi

Poezia e Raif Gashit ka parakaluar, por  dhe ka vjelë fjalë,  nëpër eterin e kuantumit në univers, të cilat gjithnjë qëndrojnë  pezull, madje edhe mbi kokat tona, sepse ato janë inteligjencia e frymës njerëzore,  që buron nga ajo hyjnore, që rrinë rezervë, derisa nuk i vjelin poetët. Dhe, vetëm poetët janë ata, që dinë t i vjelin fjalët, në parakalimin e tyre universal.

Një fjalë e urtë franceze thotë: “Poeti është një gënjeshtar,  i cili di ta thotë të vërtetën”. Vlerësimi i këtij deklamimi filozofik  ka një kuptim shumë të thellë, sepse poetët, e kam fjalën për poetët e formuar me kuptimin e fjalës,  të cilët  me veprat e tyre kanë dëshmuar se dinë t’ i kapin fjalët e mendimet në fluturim, dinë t i radhisin dhe t’ i qëndisin ato sipas shijes, dijes dhe afinitetit të tyre. Andaj, dikush që nuk e kupton këtë fenomen të krijimtarisë, e ka më të lehtë të thotë: “ik more poetët rrejnë, fjalët e tyre i merr era…”

Me radhitjen e gurëve, secili në vend të vet, bëhet kështjella më e madhe në botë, është bërë edhe “Muri kinez”. Me fjalë, me radhitjen e tyre janë shkruar: Bibla, Talmudi, Kurani dhe veprat e shkrimtarëve më të mëdhenj të botës. Nga  miliarda yje përbëhet universi i pa fund.

Vetëm fjalët e radhitura në vendin e vetë, i japim formë, kuptim dhe porosi poezisë së vërtetë.

Poeti, veprimtari dhe i burgosuri politik i viteve 80-të, Raif Gashi, ka kaluar nëpër kalvarin e  vuajtjeve njerëzore qysh në kohën e rinisë, duke nxjerrë edhe  favore nga përvojat jetësore gjatë atyre vuajtjeve, duke ecur  në rrugën e madhe të trasuar nga pararendësit, në rrugë  për ta flakur  robërinë dhe për ta fituar lirinë,  lirinë, në radhë të parë, por edhe fjalën e lirë, krejt të lirë për t’i  shprehur mendimet, imagjinatën, ndjenjat, dashurinë, atdhedashurinë, por edhe për ta luftuar botën e territ e të humbëtirës, edhe me botën kreative të meditimit.

Poezia e Raifit, në përmbledhjen e fundit poetike, “Kohë jete”,  është poezi kryesisht meditative, është poezia që kalëron lirshëm, e liruar nga patetika, nga fjalët e mëdha dhe nga retorika që aq shumë e dëmtojnë poezinë. Ai tashmë, duke qenë  poet i afirmuar ka kaluar me kohë, etapën diletante të fillimit  të atyre që quhen,  klithma apo belbëzime të para, e cila është karakteristikë  e përgjithshme për shumicën e krijuesve.

Koha e jetës, apo jeta në kohë, janë kategori filozofike të universit, edhe të jetës sonë aq të shkurtë, sa  për pak sekonda ajo humbet në atë univers, andaj duhet jetuar atë, sepse:

Një orë jete

po ik,

orë jete është

nuk kthehet më…

Atdhe, më thuaj,

je i dehur,

apo të kanë deh,

e ti nuk po i sheh?

një orë jete

po ik,

Atdheu im,

unë ende nuk jam deh.

Poeti, Raif Gashi në këtë përmbledhje poetike, në mesin e shumë të tjerave, shfaqet para lexuesve me tëra preokupimet e tij për jetën, atdheun, lirinë, pastaj për veprat e mira por edhe të liga të njerëzve, për të mirën e të ligën, që duket sikur nuk munden njëra pa tjetrën, për dëshmorët e martirët, të cilët me gjakun e tyre të derdhur për liri, na begatuan jetën, na kthyen dinjitetin, jetën e lirë, po jo të gjithë i dinë dhe i çmojnë këto merita të tyre. Dhe kjo krejt natyrshëm e brengos poetin.

Ai shfaq edhe brenga të shumta për bashkatdhetarët, për lakmitarët, për ata që nuk kënaqen me punën,  që e kanë fituar me mund e djersë por lakmojnë:

Mjalti i huaj,

nuk është mjaltë i ëmbël,

asnjëherë.

Mos vraponi e mos e çmoni

mjaltin e huaj,

Se askush nuk ka mjaltë për ty.

Në këtë përmbledhje poetike, Raifi,  jo pak herë shpreh me të drejtë edhe zhgënjimin, madje edhe me nota pesimiste, sepse kjo bota jonë brenda universit,  do të mund të kishte qenë shumë më e mirë, po të ishim më të sinqertë, më atdhedashës, më të afërt e solidarë,  më besnikë ndaj njëri- tjetrit, sidomos kur është në pyetje, “e mira e përbashkët, e cila i paravihet dëmit të veçantë”.

Unë turist me strajcë mbi shpinë,

trup e tërthorë i rashë jetës,

e atdheut tim,

duke e mundur e sfiduar kohën

që nuk e di sa herë,

më ka shkelë e injoruar,

mu në vendin tim

e në sofrën pa bukë.

Me gjithë vuajtjet, shpërfilljet, anashkalimet, ai nuk dorëzohet, sepse i beson së mirës, të mirës e cila simbolizon bardhësitë, ashtu si plisi i të parëve, që ndër shekuj jo vetëm ka simbolizuar bardhësi, por edhe ka rrezatuar pastërti, njerëzi.

I indinjuar me keqtrajtuesit e lirisë, me disa nga ata që kapitalin e tyre kombëtar e kthyen dhe e bënë kapital politik, madje edhe kapital financiar, ai shprehet me të drejtë kundër tyre por jo me patetikë e akuza virulente, por me urtësi e mirëkuptim, edhe pse i vetëdijshëm se ata nuk i kuptojnë asnjërën.

Më trego

Shteti im,

për ty u derdh aq shumë gjak

në shumë gjenerata,

pa ndalur kurrë,

kur do t’i  gëzohet fëmija im

në shtetin tim,

lindjes së tij,

po rritet,

po shkon në shkollë,

po studion

po rri,

e po bredhë pa shpresë,

se nuk ka, një dajë, teze,

një mik, a një kushëri,

në majën tënde,

për me pa pak dritë jete,

në vendin e tij.

Protesta e tillë e heshtur,  është shumë më kuptimplote sesa revolta me gusht, me kërcënim dhe pezmatim,  që shprehin poetë të tjerë, duke mos e përmbajtur zemërimin, ashtu sikur e përmban poeti, Raif Gashi, që jeta e ka rrahur me vaj e uthull dhe e ka bërë “durimtar”, si Diogjenin, të cilit kur kishte biseduar  me Lekën e Madh, dhe ai i kishte bërë hije më trupin hipur mbi kalin e tij, i kishte thënë, “-largohu prej pjesë sime të diellit, hirësi, ti je mbret por pjesën e diellit  tim nuk ta jap”.

I tillë është Raif Gashi në poezinë e tij kuptimplote, të latuar me shumë kujdes, në çdo tingull, fjalë, togfjalësh, fjali. Me figura të shumta e të pasura artistike, me metafora e epifora, me krahasime, simbole, alegori, ironi,  e kështu me radhë. Respekti që ai ka për gjuhën shqipe, kujdesi për drejtshkrimin e saj, për zbulimin me fjalë të kësaj të shpirtit të kësaj gjuhe të zjarrtë të botës dhe imagjinatës së tij, dëshmon më së miri se krijimet e tij poetike janë me vlera të veçanta. Ato jo  vetëm që meritojnë të lexohen, por edhe të rilexohen, të mësohen  përmendsh, të recitohen në shkolla dhe në aktivitete kulturore.

Në këtë vështrim të shkurtër të përmbledhjes poetike, “Kohë jete” të poetit, Raif Gashi, kam analizuar vetëm katër nga  më shumë se 100 poezi të tjera të tij, që përbëjnë opusin e përmbledhjes. Të gjitha të tjerat kanë po të njëjtat vlera, kanë dimensionet e shtrirjes në kohë e hapësirë, kanë përmbajtje e  motive prej atyre meditative deri te motivet e  thjeshta e intime, por që të gjitha janë gatuar prej të njëjtit brumë, brumë të gatuar nga toka shqiptare, të pjekura nga dielli shqiptar të përgatitura për t i lexuar shqip, pse jo edhe për t’ i përkthyer në cilën do gjuhë,   sepse e meritojnë.

Ahmet Qeriqi

2 korrik 2020

Kontrolloni gjithashtu

Dren Sh. Brahimaj: Vepra “Persefonia”, udhëtim poetiko-historik në jetën dhe revoltën e gruas shqiptare. përmes vargjeve të Fitnete Ramaj-Mujaj

Tashmë kur autorja ka mbushur gjysmë shekulli jetë, dha prapa saj është një histori e …