Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, ka deklaruar se Prishtina duhet të ndryshojë qeverisjen, pasi gjatë mandatit të fundit, komuna është bërë shtab i Vetëvendosjes, ku niseshin aksionet për shkatërrimin e qytetit. Çelaj thekson se ka vendosur t’i hyjë garës për kreun e kryeqytetit, për ta ndryshuar mënyrën e qeverisjes së Prishtinës. Në një intervistë për KosovaPress, pretendenti për postin e kreut të kryeqytetit, akuzon qeverisjen aktuale, por edhe ato të mëhershme, për mos zhvillimin e qytetit, mos investime dhe ndarje të qytetarëve në baza partiake. Sipas tij, kryetari aktual Shpend Ahmeti gjatë katër vite udhëheqje më shumë është marrë me çështje globale e në shërbim të partisë së tij, se sa në shërbim të qytetarëve. Ai thotë se Prishtinës i duhet një kryetar u shërben qytetarëve, pa marrë parasysh nga cila parti vjen, kush e ka propozuar apo kush e ka votuar.
“Qëllimi im kryesor që kam vendosur ta pranoj këtë sfidë është sepse dua ta ndryshoj mënyrën e qeverisjes së Prishtinës. Mënyra se si është konceptuar Prishtina sot vetëm të harrnohet, të kryhen shërbime elementare, mendoj që ka kaluar ajo kohë. Prishtina që të transformohet komplet dhe është e mundshme. Shumë njerëz i kanë humbur shpresat që Prishtina mund të ndryshoj dhe qëllimi im është ta ndryshoj Prishtinën. Arsyeja e dytë është se si qytetar i Prishtinës jam ndjerë i diskriminuar pasi kryetarët që kanë qenë deri më tani janë sjellë si kryetar të subjekteve politike dhe jo si kryetar të qyteteve, sidomos kryetari i fundit që është sjellë sikur kryetar i subjektit politik dhe i ka ndarë qytetarët në ata që janë me Vetëvendosjen dhe ata që nuk janë me Vetëvendosjen”, tha ndër të tjera Çelaj.