Cenë Loku lindi më 15 tetor të vitit 1964 në fshatin Kotlinë nga babai Ekremi dhe e ëma Sadija. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën fillore “Naim Frashri”, të cilën e kreu me sukses të shkëlqyeshëm. Të mesmen vazhdoi në gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik, ndërsa në vitin 1982 e mbaroi drejtimin Biologji-Kimi.
Pas përfundimit të shkollës së mesme u regjistrua në Fakultetin e Biologjisë, në Prishtinë, por pas një viti e ndërpreu. Më pas një vit punoi në kooperativën bujqësore të Glloboçicës. Ndërkohë u regjistrua në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë – dega e mësimit klasor, pasi që e pëlqente shumë profesionin e mësuesit, të cilin e përfundoi në vitin 1991.
Prej vitit 1990 filloi të punojë mësues në shkollën fillore të fshatit, detyrë të cilën e vazhdoi deri në fund të jetës së tij. Gjatë këtyre nëntë viteve të punës në arsim u dallua si mësues i shquar dhe i zellshëm.
Prej vitit 1991 përveç punës si mësues, u mor edhe me aktivitete të tjera që zhvilloheshin në atë kohë. Një kohë edhe kryetar i nëndegës së LDK-së. Këtë aktivitet e vazhdoi deri më 1998, ndërkohë që angazhohet në organizimin e njësiteve të para të UÇK-së, në rrethinën e Kaçanikut. Në këto aktivitete ishte shumë i përkushtuar, pasi që aspirata e tij kombëtare ishte largimi i hordhive serbe nga territori i Kosovës Cena nuk hezitonte në aktivitetet ushtarake. Asokohe në Kaçanik e rrethinë u shquan shumë djem trima sidomos pas ardhjes së njësitit nga Jezerci në Kaçanik, kur zgjerimi i radhëve dhe formimi i njësiteve te reja, u intensifikua edhe më shumë. Brenda një kohe të shkurtër u formuan njësitet luftarake të Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe u vendosen në fshatrat: Në Ivajë, Gajre, Puset e Nikës dhe në Kotlinë.
Pasi filloi lufta në këto anë, Cen Lokut i shtohen aktivitetet e tij duke organizuar dhe mbrojtjen e popullatës së fshatit, pastaj duke u kyçur në radhët e UÇK-së.
Bashkëluftëtarët e Cenë Lokut ishin komandant, Milaim Loku si dhe ushtarët Eset Loku, Ismail Ismet Kuçi, Sali Bajram Vlashi, Nexhadi Ferid Kuçi, Xhemail Nuredin Kuçi, Sabit Garip Loku, Sabri Hamit Loku, Mahi Shabedin Loku, Izja Ismet Loku, Emërllah Kuçi, Jeton Kuçi si dhe Garip Loku, i cili kryente detyrat në vëzhgim.
Cen Lokun e goditi shumë rënia në luftimet e 9 marsit të vitit 1999 në Kotlinë e komandantit të Togut, Milaim Loku dhe bashkëluftëtarit të tij Emërllah Kuçi. Me Milaimin përveç që ishin të një gjenerate, të gjitha aktivitetet politike dhe kombëtare i kishin kryenin së bashku.
Ky njësit e kishte vështirë të vepronte, sepse për fat të keq nga fshatrat Kotlinë dhe Ivajë, kishte disa bashkëpunëtorë të armikut, të strukturuar në sistemin e okupatorit, nga të cilët ishin edhe Faik Reçi, Sefulla Mulaku, Isak Luta, Bashkim Loku, Rexhep Luta, Shaban Kuçi dhe Enver Rexha. Këta kolaboracionistë ishin të ngarkuar nga okupatori serb si informator dhe polic lokal të Serbisë.
Edhe pse në kushte të vështira Cen Loku kontribut të madh kishte dhënë, më 26 shkurt 1999, gjatë luftimeve te Puset e Nikës, ku nuk kishin lejuar depërtimin e forcave të armikut nga Kotlina në Puset e Nikës. Gjithashtu duke qëndruar të fort në pozicionet e Kotlinës, nuk kishin lejuar që forcat serbe përmes lagjes Laçi të depërtojnë në Gajre, ku më 28 shkurt 1999, u zhvillua një betejë e ashpër. Cen Loku kishte marrë pjesë edhe në luftimet e 8 marsit të vitit 1999, me ç’rast nuk kishin lejuar depërtimin e forcave të armikut në drejtim të fshatit Ivajë, përmes Kotlinës. Pas një lufte të ashpër, që u bë atë ditë në Ivajë dhe humbjeve që pësoj armiku vazhduan luftimet në drejtim të fshatit Kotlinë. Pas një lufte heroike ranë në kryerje të detyrës dy bashkëluftëtarë të Cen Lokut.
Duke qenë se popullata civile ishte vënë në rrethim të forcave policore ushtarake dhe paramilitare serbe, Ceni me bashkëluftëtarët e tij ndihmon në evakuimin e popullatës, e cila nga fshati Kotlin dhe në Ivajë vendoset nëpër male. Gjatë zhvillimit të luftimeve në këto anë si dhe humbjet që kishin pësuar ushtria, policia dhe paramilitaret serbë prej forcave çlirimtare të Kosovës në njërën anë, në anën tjetër në arenën evropiane dhe botërore ishte miratuar vendimi për bombardimin nga NATO-ja në caqet strategjike ushtarake dhe të lidhjeve në territorin e ashtuquajtur, Jugosllavi.
Ky pezm i forcave okupatore serbe arrin kulminacionin, duke rrethuar Kotlinën me forcat policore ushtarake, të cilët pasi që i kishin sulmuar gratë dhe fëmijët, serbët zënë 12 qytetarë të Kotlinës, kryesisht të rinj civilë si dhe 12 ushtarë, të cilët ishin në mbrojtje të popullatës e cila ishte sulmuar mizorisht. Pas masakrimit dhe torturimit barbar të shqiptarëve, serbët viktimat i hodhën në dy puset e fshatit, me qëllim për t’i humbur gjurmët e krimit. Për këtë masakër kanë marrë pjesë kolaboracionistët e përmendur. Në këtë krim të rëndë mori pjesë edhe krye polici serb, shqipfolësi Avdi Musa – Bajgora.
Varreza masive në territorin e Kaçanikut shënon vrazhdësinë më çnjerëzore e më shtazarake që ka mundur të bënte vetëm okupatori i tillë. As një kufomë nuk u gjet e plot gjatë zhvarrimit, që u bë në tetor të vitit 1999. Kjo masakër ndodhi, më 24 mars 1999 në Kotlin, pikërisht në ditën kur forcat e NATO-s filluan ta bombardojnë Serbinë.
Atë ditë u masakruan: Mina Baki Kuçi 16 vjeç, Sherif Kuçi, 24 vjeç, Danush Kuçi 16 vjeç, Ismajl Loku 20 vjeç, Agim Loku, Garip Loku 45 vjeqar, Beran Loku, Naser Rexhep Loku 16 vjeçar, Ibush Loku 14 vjeçar, Naser Loku 23-vjeçar dhe Ismet Loku. Në mbrojtje të këtyre civilëve ra heroikisht Cen Loku me bashkëluftëtarët: Ismail Ismet Kuçi, Sali Bajram Lashi, Nexhadi Ferid Kuçi, Xhemail Nuredin Kuçi, Neshat Ferid Rexha, Sabit Garif Loku, Sabri Hamit Loku, Nahi Shabedin Loku, Izjah Ismet Loku.
Pas luftës dhe fitores kundër forcave masakruese serbe, me nderime ushtarake bëhet rivarrimi i këtyre dëshmorëve, të cilët u varrosen në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik. Cen Loku ka qen i martuar me Melihaten dhe kishte tre fëmijë: Besimen, Besartin dhe Shkëlqimin.
Në një vjetorin e rënies së dëshmorit, Cen Loku, në nderim dhe përkujtim të tij e të bashkëluftëtarëve është ngritur pllaka përkujtimore në vendin e rënies, si dhe në puset ku është bërë masakrimi.
Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e dëshmorit, Cen Loku, familjes së tij i ka dhënë “Mirënjohje” SHP i UÇK-së, Zona e Neredimes, Ministria e Mbrojtjes QPK-së, Kuvendi Komunal i Kaçanikut, Drejtoria e Arsimit në Kaçanik dhe komanda e Brigadës 162. (H. K).
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …