Ceremoni e organizuar nga Komuna e Malishevës për nderimin e tri personaliteteve amerikane

Sot me një ceremoni të organizuar nga Komuna e Malishevës, në mënyrë solemne ju dorëzua çmimi “Qytetar nderi”  tri personaliteteve amerikane nga shteti i New York-ut, David Carr, anëtar i Këshillit të shtetit të New York-ut, Charles D. Fall, anëtar i Asamblesë së shtetit të New York-ut dhe veprimtarit të njohur, Naser Nika. Këtë çmim, këtyre personaliteteve ju dorëzoi kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, me motivin “për kontributin dhe përkrahjen e jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Në fjalën e rastit, i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati ka thënë se “falë kontributit te SHBA-së, Kosova sot është e pavarur dhe e lirë”. Ndërsa duke vlerësuar përkrahjen e SHBA-ve dhe të këtyre personaliteteve në New York, për Kosovën, tha se “miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së është vëllazëri e përjetshme. Falë kontributit të tyre, se festa e Kosovës njihet në New York, ndërsa edhe rrugët mbajnë emra të figurave shqiptare”. “Jam i nderuar në vazhdimësi me lidhjet tona shpirtërore që kombi shqiptar ndërtoi me shekuj të tërë me SHBA dhe kontributi i saj, e bën Kosovën më të fortë dhe të pavarur. Jam i nderuar që të ndaj çmimet “Qytetar nderi”, për të gjitha çështjet që ju ngritët në New York dhe për përkrahjen e vazhdueshme. Falë juve dy festa të Kosovës njihen në dy institucione në New York. Davidi ka kërkuar që një rrugë në New York të quhet Ismail Qemaili. Po ashtu edhe një rrugë me emrin Isa Boletini. Miqësia dhe aleanca jonë nuk është e rastësishme por është vëllazëri e përjetshme”. “Populli shqiptar e kujton kontributin historik të tyre, në këtë angazhim nuk duhet te harrojmë diasporën që bëjnë kontribut për shqiptarët. Nuk harrojmë kontributin e presidentëve te SHBA-së. Sot është një moment gëzimi dhe krenarie për Malishevën, kjo komunë është shembull i  lirisë dhe i nderit”, ka thënë kryetari Kastrati, në ceremoninë e sotme. Paraprakisht, vendimin e Kuvendit të Komunës për shpalljen “Qytetar nderi” për tri personalitetet amerikane, e ka lexuar kryesuesi i KK të Malishevës, Argjend Thaçi, si dhe biografinë e secilit. Pas marrjes së çmimit, të tri personalitetet nga New York-u, shprehën kënaqësinë e tyre për marrjen e këtij çmimi dhe nga sot e konsiderojnë veten, banorë të Komunës së Malishevës dhe se ndihen shumë të nderuar dhe të respektuar për këtë. “Jam me të vërtetë i nderuar për këtë çmim që e mora sot dhe dua ta falënderoj kryetarin e Komunës për të gjitha këto që po i bënë për komunitetin shqiptar në New York”, tha Charles D. Fall, ndërsa David Carr, tha se “të pranoj një çmim të tillë do te thotë gjithçka për mua. Kam ardhur për disa arsye dhe njëra prej tyre është se edhe pse jemi dy amerikanë të partive te ndryshme ne bashkohemi dhe do te jemi gjithmonë miqtë e juaj”. Më i emocionuar ishte aktivisti, Naser Nika, një shqiptar-amerikan, që gjithë jetën e tij ja kushtoi çështjes.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …