(Komediani Chaplin, kaloi muaj duke e rishkruar këtë fjalim për fundin e filmit si një mesazh për paqe në botë, më pëlqeu ky fjalim dhe vendosa ta përkthej për ju)
” Më vjen keq, por unë nuk dua të jem perandor. Kjo nuk është puna ime. Nuk dua të sundoj apo të pushtoj askënd. Unë do të doja t’i ndihmoja të gjithë nëse është e mundur: hebre, johebre, me ngjyrë, i bardhë. Të gjithë duam të ndihmojmë njëri-tjetrin. Qeniet njerëzore janë të tilla. Ne duam të jetojmë nga lumturia e njëri-tjetrit, jo nga mjerimi i njëri-tjetrit. Ne nuk duam të urrejmë dhe përçmojmë njëri-tjetrin. Në këtë botë ka vend për të gjithë, dhe toka e mirë është e pasur dhe mund të sigurojë jetesë për të gjithë. Mënyra e jetesës mund të jetë e lirë dhe e bukur, por ne e kemi humbur rrugën.
Lakmia ka helmuar shpirtrat e njerëzve, ka rrethuar botën me urrejtje, na ka futur në mjerim dhe gjakderdhje. Jemi zhvilluar shpejtë, por jemi mbyllur në vetvete. Makineritë që japin bollëk na kanë lënë në nevojë. Njohuritë tona na kanë bërë cinikë; zgjuarsia jonë, e ashpër dhe e pasjellshme. Ne mendojmë shumë dhe ndjehemi shumë pak. Më shumë se makineri, ne kemi nevojë për njerëzim. Më shumë se zgjuarsi, ne kemi nevojë për mirësi dhe butësi. Pa këto cilësi, jeta do të jetë e dhunshme dhe gjithçka do të humbasë.
Aeroplani dhe radio na kanë afruar më shumë. Vetë natyra e këtyre shpikjeve thërret për mirësinë e njerëzve, thërret për vëllazëri universale, për unitetin e të gjithëve ne. Edhe zëri im tani po arrin miliona njerëz në mbarë botën, miliona burra, gra dhe fëmijë të dëshpëruar, viktima të një sistemi që i bën njerëzit të torturojnë dhe burgosin njerëz të pafajshëm. Atyre që mund të më dëgjojnë, u them, mos u dëshpëroni. Mjerimi që është mbi ne nuk është veçse kalimi i lakmisë, hidhërimi i njerëzve që i frikësohen rrugës së përparimit njerëzor. Urrejtja e njerëzve do të kalojë dhe diktatorët do të vdesin, dhe pushteti që ata morën nga populli do t’i kthehet popullit. Dhe për sa kohë që njerëzit vdesin, liria nuk do të humbasë kurrë. Ushtarë! Mos ua jepni veten njerëzve brutal, njerëzve që ju përbuzin, ju robërojnë, që ju regjimentojnë jetën tuaj, që ju thotë çfarë të bëni, çfarë të mendoni dhe çfarë të ndjeni! Të cilët ju shpojnë, ju shtjerrin, ju trajtojnë si bagëti, ju përdorin si ushqim topa xhyleje. Mos u jepeni këtyre njerëzve të panatyrshëm – njerëz makinerie me mendje makinerish dhe zemra makinerike! Ju nuk jeni makineri, nuk jeni bagëti, ju jeni njerëz!
Ju keni dashurinë e njerëzimit në zemrat tuaja! Ju nuk urreni! Vetëm të padashurit urrejnë, të padashurit dhe të panatyrshmit. Ushtarë! Mos luftoni për skllavërinë! Luftoni për lirinë! Në veten tuaj, ju njerëzit, keni fuqinë, fuqinë për të krijuar makina, fuqinë për të krijuar lumturi! Ju, njerëzit, keni fuqinë ta bëni këtë jetë të lirë dhe të bukur, ta bëni këtë jetë një aventurë të mrekullueshme. Atëherë, në emër të demokracisë, le ta përdorim atë pushtet. Le të bashkohemi të gjithë. Le të luftojmë për një botë të re, një botë të denjë që do t’u japë njerëzve një shans për të punuar, që do t’i japë rinisë një të ardhme dhe të moshuarve sigurinë. Me premtimin e këtyre gjërave, brutalët janë ngritur në pushtet. Por ata gënjejnë! Ata nuk e përmbushin atë premtim. Ata kurrë nuk do ta përmbushin atë! Diktatorët çlirojnë veten, por ata skllavërojnë popullin. Tani le të luftojmë për ta përmbushur atë premtim. Le të luftojmë për të çliruar botën! Për të hequr barrierat kombëtare! Për të hequr lakminë, urrejtjen dhe intolerancën! Le të luftojmë për një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe përparimi do të çojnë në lumturinë e të gjithë njerëzve. Ushtarë, në emër të demokracisë, le të bashkohemi të gjithë!”
Charlie Chaplin
Përktheu dhe përshtati: Agim A. Hoxha