Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot është takuar virtual me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe atasheun në ambasadën austriake, Martin Schaller. Ambasadori Weidinger e përgëzoi Kryeministrin Kurti për detyrën dhe përgjegjësitë e reja. Ai potencoi që Austria do të vazhdojë të mbështesë Qeverinë e Republikës së Kosovës, sikurse dhe popullin e Kosovës, në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Tutje, ai veçoi fushën e arsimit të lartë dhe atë të investimeve direkte si pika kryesore të bashkëpunimit mes dy vendeve. Ndërsa, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Weidinger për urimin, dhe shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për shtimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Austrisë.
