Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Beograd, Kriostofer Hill, ka thënë se fillimisht duhet të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe pastaj të procedohet me planin franko-gjerman. Këto komente Hill i ka bërë në muzeun, “Nikola Tesla” pas nënshkrimit të një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe USAID-it. Ai ka thënë se asociacioni është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit. Sipas tij një herë duhet të përfundohet asociacioni dhe më pas të vazhdohet me propozimin franko-gjerman. Nëse e lexoni tekstin me kujdes, gjashtë pikat e para kanë të bëjnë me formimin e asociacionit dhe ky është një element thelbësor për të ecur përpara. Kjo duhet të trajtohet në radhë të parë, pasuar nga ajo që thuhet në propozimin franko-gjerman i cili gëzon përkrahje nga BE-ja. Ky dokument ka të bëjë me ide më të gjera që kërkojnë më shumë kohë”, ka thënë Hill.
