Rrjeti i pajtimit KOMRA, në reagimin e nënshkruar nga aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, i ka bërë thirrje Shërbimit sekret serb (BIA) në Serbi që t’i ndërpresë punët dhe veprat, të cilat, rrezikojnë lirinë e shprehjes politike, lirinë e qarkullimit dhe aktivizimin në fushën e ballafaqimit rajonal me të kaluarën dhe me pajtimin. Ky reagim i referohet marrjes në pyetje të drejtorit të Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, nga inspektorët e BIA-s, i cili në cilësinë e avokuesit publik të pajtimit rajonal ishte pjesë në Forumin e XIV-të për drejtësinë tranzicionale në vendet post-jugosllave, i cili është mbajtur në Beograd.
BIA serbe i di punët e veta por di po ashtu se sa “brohoritje të çoroditura” i ka bërë ky Adriatiku, ardhjes së Epopesë të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së.
BIA nuk mund të mos e dijë se babai i Adriatikut ishte prokuror i regjimeve serbe dhe ndëshkonte shqiptarët nacionalist e irredentistë, madje edhe vëllezërit e Jusuf e Bardhosh Gërvallës.
BIA i di shumë mirë ku i ka dhe ku i ka vendosur bijtë dhe bijat e veta në Kosovë. Ndërsa ky Adriatiku e di shumë më mirë se për çka e kanë pyetur dhe e pyesin inspektorët e BIA-s, pasi nuk qenka hera e parë dhe sigurisht nuk do të jetë biseda e fundit informative e BIA-s.
Ai këtë do të duhej ta thoshte vetë, si avokat i vetvetes, nëse nuk është në pyetje edhe diçka tjetër përveç përpjekjeve për ta rregulluar të kaluarën e shqiptarëve në kohën e regjimit të Millosheviqit dhe pajtimin e tyre me serbët. Këtë mbase e ka për detyrë ta thotë edhe avokatja e tij, Natasha Kandiq, e cila reagoi me këtë rast, para Adriatikut, me sa dimë ne.(RKL)