Çka paraqet cigarja “gjigande” në buzët e heroit, Agim Ramadani, në mozaikun e përuruar, në Gjilan?

Çka paraqet cigarja “gjigande” në buzët e heroit, Agim Ramadani, në mozaikun e përuruar, në Gjilan?

Në dy muajt e fundit janë shënuar dështime të njëpasnjëshme në skalitjen e realizimin e disa projekteve  për  personalitetet  kombëtare, në Kosovë madje edhe ato për Skënderbeun, Adem Jasharin e heronj të tjerë të kombit. Po kështu kishte dështuar edhe projekti për shtatoren e Adem Demaçit në njëvjetorin e ndarjes së tij  nga jeta.

Këto dështime kanë emër dhe adresë, por pak kush mbanë përgjegjësi, pak kush kujdeset që një monument, shtatore, bust, pllakë përkujtimore, të sajohet në atë mënyrë që  t’ i përballojë kohës dhe t’i përmbush veç tjerash, kërkesat ideore, historike, tematike, artistike.

Më 14 dhjetor 2020 në Gjilan u përurua mozaiku për Agim Ramadanin, për të cilin madje u tha se  qenka vepër e përmasave botërore.

Më këtë rast, ministri Quni, në cilësi edhe të bashkëluftëtarit dhe mikut të ngushtë të heroit Agim Ramadani, theksoi se personaliteti madhështor i Agimit, mozaiku tashmë vepër e përmasave botërore dhe datës së sotme historike janë unike e që së bashku krijojnë ndërlidhjen e veçantë dhe me vlera të  papërsëritshme. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili vlerësoi lartë ideatorët dhe realizuesit e projektit duke theksuar se Agimi zbarkoi aty ku e ka vendin duke shërbyer gjithmonë si inspirues dhe motivues për ushtarët e rinj dhe shëmbëlltyrë e flijimit madhështor për liri. Nga ana e tij, realizuesi i mozaikut, Besart Gashi shprehu me emocione nderin dhe respektin që ka për heroin Agim Ramadani dhe të gjithë të rënët për liri duke shprehur se ndjehet i privilegjuar që ka arritur të realizoj projektin e tij tashmë me përmasa ndërkombëtare të vendosur në vend dhe ngjarje të veçantë.

 

Nuk është aspak modeste, (për të mos thënë edhe diçka më shumë),  që autori i një mozaiku apo i çfarëdo krijimi tjetër të thotë për veten,  se paska realizuar një vepër me përmasa ndërkombëtare. Vogëlsia nuk bëhet e madhe  me fjalë, me vetëlavdërim, po me punë dhe mund, që nuk duket se kanë munguar, por tekefundit mozaiku nuk është punuar gratis, në nderim të heroit as të luftës së tij.

Sipas vlerësimit tim,  ajo që bie në sy në radhë të parë është dis-proporcioni i cigares në buzët e heroit  dhe para së gjithash  vetë ajo.

Çfarë vlere paraqet  cigarja në buzë e një komandanti të luftës, tani në një mozaik pavarësisht se Agim Ramadani dhe shumë luftëtarë kanë tymosur duhan.

Me çka mund të dëshmohet se cigarja në buzë kompleton karakterin dhe temperamentin e tij?

Pse duhet tiposur në kujtesën e shikuesit cigarja,  si pjesë e integritetit dhe temperamentit të tij, kur ka pasur sa e sa elementë të tjerë, sikur janë  arma, rrethatorja, bomba, apo ndoshta krejt këto janë mënjanuar  me qëllim të paraqitjes moderne të figurës së heroit, në akord me politikën e moderuar, gjithnjë servile ndaj të huajve.

Heroi,  Agim Ramadani, mbetet pjesë e historisë së kombit, me armët e tij dhe me mesazhin kuptimplotë e  madhështor: “Mallkuar qoftë gjaku im nëse vdes pa luftuar” dhe natyrisht se ai nuk ka luftuar me cigare në gojë, por me armën krahut, i pajisur me municion bomba dore, pushkë snajperë, kuptohet edhe uniformë me tri shkronjat e shenjta të UÇK-së të cilat nuk shihen askund në mozaik.

Uniforma pa ato shkronja, mbetet vetëm uniformë, unike për çdo ushtarak.

Është fat që autori ka vënë një krah shqiponje në mozaik,  sa për ta identifikuar përkatësinë e tij kombëtare, por  pa uniformën e UÇK-së, pa emblemën e saj, pa asnjë element të armëve të tij, gjithçka ka mbetur pezull, sepse ai ishte betuar se do të luftonte me armë dhe kishte luftuar dhe kishte rënë duke luftuar me to, jo me cigare në gojë.

Kështu si është për mendimin tim, duket se projekti i mozaikut është realizuar me porosi politike nga sponsori.

Ahmet Qeriqi

  1. 12. 2020

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …