Dëshmori, Shefqet Zeka, student nga Prishtina, afër një muaj para se të përjetësohej për lirinë e Kosovës, më 26 gusht të vitit 1998 ka shkruar një letër, një koment politik shumë realist për situatën e asaj kohe në vend. Nga përmbajtja e letrës kuptojmë se ai i njihte jashtëzakonisht mirë rrethanat politike dhe te UÇK-ja e shihte të vetmen shpresë për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Me atë bindje ai iu kishte bashkuar radhëve të çlirimtarëve nën komandën e Fehmi Lladrovcit. Shefqet Zeka ka rënë më 22 shtator 1998 në të njëjtën ditë kur kanë rënë edhe: Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fatime Hetemi.
Letrën e ka ruajtur dhe e ka dërguar në Redaksinë e Radios Kosava e Lirë, motra e dëshmorit, Hatixhe Zeka-Mehmeti.
Kosova digjet flakë para diplomacisë ndërkombëtare
Kosova digjet flakë, Kosova gjëmon nga artileria e pushtuesit serb, Kosova masakrohet në mënyrën më barbare nga kriminelët serbë.
Kosova para etnocidit. Kosova i mbush fushat me varre,rrugët me gjak shqiptari,Liria dhe Pavarësia janë më të shtrenjtë se jeta !
Në Kosovë për dite bëhet gjenocid. Etnocidi ka filluar, vija e keqe kaloj shumë herë në Kosovë, amerikanet dhe evropianët akoma janë skeptikë sa i përket ndërhyrjes ushtarake, sepse akoma gjaku i shqiptarëve nuk e ka mbuluar nën-qiellin e Kosovës, atë ballkanik ndoshta edhe evropianë; njëkohësisht diplomatëve te moderuar dhe të butë si”delja rude”që i sillen vërdallë kasapit te Ballkanit, duke i dëshmuar “karotën dhe shkopin”.Mirëpo karota ishte më e frytshme dhe më progresive, sepse gjaku tani po e mbush normën e duhur, bile rrugët e Kosovës marshojnë nga gjaku i derdhur i fëmijëve, grave, lehonave, pleqve. Numri i të uriturve është ne rritje e sipër, përhapja e epidemive është e pranishme kudo, por kjo për Bashkësinë Relevante Ndërkombëtare duket se ende është pak…
Shumë fshatra janë bërë rrafsh me tokë, Qyteti i Deçanit i përngjan Vukovarit famëkeq, Rahoveci shndërrohet në Srebrenicë…Policia, paramilitarë dhe ushtria jugosllave me gjithë arsenalin që posedon përdor dhe sulmon popullsinë civile, fshatrat etnikisht te pastra, kjo metodë e kasaphanës përdoret para Botës së qytetëruar civile dhe demokratike. Para shekullit 21 përsëritet tragjedia e Bosnjës, Ruandës ,… në mesin Ballkanik.
Gjërat rrodhen para syve te diplomacisë ndërkombëtare,e cila me hapa të paefektshëm hapi “Paketën”e sugjerimeve dhe sanksioneve, që fillimisht u shtiren si veprime të shpejta dhe mesazhe të qarta qe ju drejtuan qeverisë së Beogradit, se Bashkësia ndërkombëtare nuk i lejon vetes përsëritjen e gabimeve të së kaluarës, që e përvëluan Bosnjën. E tani Kosovën e ndjekë i njëjti fat tragjik. Mirëpo sa vlejnë këto mesazhe të qarta për Jugosllavinë e vetëshpallur, ku asnjëra prej tyre nuk përfillet dhe as që realizohet, andaj kuvendimet që i bëri Grupi i Kontaktit ishin në hijen e ministrave dhe ministreshave politike dhe drejtorëve politikë.
Është indikativ fakti se që prej 9 marsit, kur u mbajt mbledhja e Grupit të Kontaktit të gjitha masat ndëshkuese që i nxorën prej paketës drejtuar qeverisë së Beogradit megjithatë mbetën në letër, nuk u konkretizuan në asnjë aspekt në vepër, megjithatë mbetën kërcënime.
Konkretisht sinjalet e ashpra drejtuar Beogradit për tërheqjen e menjëhershme të policisë, paramilitarëve dhe armatës së Jugosllavisë së vetëshpallur nga Kosova nuk u realizuan, e çka i mbetet tjetër Grupit të Kontaktit për veprime …?
Premtimet e Bashkësisë Ndërkombëtare OSBE-së SHBA-së, OKB-së, NATO-s, njëkohësisht vetë Presidentit Bill Klinton “se një Bosnjë të dytë nuk do ta lejojnë të përsëritet në Kosovë ” mbetën vetëm fjalë boshe ,veçse lufta në Kosovë tashmë i përngjanë asaj të Kroacisë dhe Bosnjës…
E kreut politik dhe subjekteve politike ne Kosove çka u mbetet tjetër?
A duhet UÇK-ja të jetë Ushtri e shtetit apo forcë e ndonjë subjekti Politik?
A mendojnë subjektet politike që janë duke e dëmtuar UÇK-në?
Për këtë UÇK-ja kërkon unitetin ndërmjet forcave politike!
Subjekteve politike u bëjmë me dije se: populli, rinia, gabimet të cilat jeni duke i bërë kurrë nuk do t’ua falë! Ju lutemi mos luani me nderin e popullit dhe gjakun e bijve dhe bijave te cilët për çdo ditë e derdhin për ta mbrojtur çdo pëllëmbë te tokës së Kosovës!
Ju faleminderit,
Shefqet Zeka
26 gusht 1998