Filologu dhe etnologu serb, Vuk (Stefanoviq) Karaxhiq, konsiderohet si një nga nismëtarët e nacionalizmit serb. I frymëzuar nga rryma e romantizmit që përfaqësohej nga mileu gjerman si vëllezërit Grim, Gëte dhe Herder, Karaxhiq do t’i përveshej punës për të mbledhur visaret e folklorit të sllavëve të jugut. Fryt i punës së tij ishte edhe standardizimi i alfabetit cirilik, çka rriti ndjeshëm vëllimin e botimeve në gjuhën serbe, krahasuar me dialektet e tjera sllavo-jugore. Karaxhiq ishte në dijeni edhe të këngëve popullore shqiptare, një pjesë të të cilave i ka përfshirë në botimet e tij. Tevona, vizioni i tij ideologjik do të bëhej ai i Serbisë së Madhe, që duke gërshetuar gjysmë të vërtetat bashkë me mite, synonte të serbizonte popujt në Ballkan. Në librin e tij, «Srbi svi i svuda» (Serb të gjithë e kudo), Karaxhiq bënte një inspektim shterues të gjendjes së sllavëve të jugut. Ajo çka nguc vëmendjen është se etnologu serb pezmatohet nga fakti që një pjesë e konsiderueshme e serbëve të kohës së tij e ndjesonin vetën si turq, duke vënë madje më tepër theksin të identiteti regjional. Karaxhiq rropatet që lexuesit e tij t’i bind me shembuj ku tejkaloheshin ndasitë fetare. Ai përmend me theks të veçantë magjarët e gjermanët, por mbi të gjithë shqiptarët, për të cilët thotë se janë «shembull që duhet ndjekur». Karaxhiq, pa e fshehur një dozë lakmie, vëren sesi shqiptarët e konsideronin njëri tjetrin vëllezër, duke i lënë mënjanë përkatësitë fetare. Sipas fjalëve të tij «…ata (arnautët) janë të fesë katolike (dhe diku mund të ketë edhe të ritit ortodoks), por të gjithë thirren shqiptarë, ata urrehen aq pak mes vete, saqë kundrejt fqinjëve jetojnë si vëllezër sikur të ishin të një feje, madje një shqiptar i fesë myslimane do t’i vriste 10 turq për një shqiptar të fesë së krishterë, njësoj si një shqiptar i fesë katolike do t’i vriste 10 italianë për një shqiptar mysliman» («…njih (Arnauta) ima i Rimskoga (a može biti gdješto i Grčkoga) zakona, pa se svi zovu Arnauti, i da rečemo da se između sebe malo mrze, ali prema drugijem narodima žive kao i braća, kao da su svi jednoga zakona, i jedan bi od njih Turskoga zakona ubio deset pravijeh Turaka za jednoga Arnautina makar koga Hrišćanskog zakona, kao što bi i Arnautin Rimskoga zakona ubio deset Talijanaca za jednoga Arnautina Turskoga zakona»). Tutje, Karaxhiq me një psherëtime dhimbje e dëshpërimi përpiqet t’i qëmtojë shkaqet se përse të serbët urrehej aq shumë emri i tij kombëtar, krejt ndryshe nga shqiptarët. rkl/
Kontrolloni gjithashtu
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …