Çlirim Fetah Gega: Për të quar në vend amanetin e dëshmorëve ka edhe shumë për t’u bërë

(Intervistë me Çlirim Gegën, djali i heroit, Fetah Ahmet Gega)

RKL: Çlirim Gega, mirë se vini në Radion Kosova e Lirë! 

Mirë se u gjej, faleminderit për ftesë.

RKL: Ju jeni djali i dëshmorit të kombit, Fetah Gega, i cili i takon plejadës së atdhetarëve të përkushtuar të lirisë, gardës së liridashësve e liri bërësve të Kosovës, jeni nga një familje e cila gjithnjë ka qenë në shënjestër të dhunës e represionit të regjimit antishqiptar të ish Jugosllavisë. Na thoni diçka më shumë për familjen, babanë dëshmor, gjyshin atdhetar…

Çlirim Fetah Gega: Po, si shumë familje tjera atdhetare edhe familja jonë ishte njëra ndër to të cilat  pa kursyer as edhe jetën i dolën në mbrojtje atdheut, duke filluar nga të parët tanë Avdi Adem Gega, që ishte babai i gjyshit të babit i cili kishte vuajtur nëntë vite nëpër burgjet e tmerrit në Mitrovicë të Sremit, Nishit etj., që asokohe edhe tokën ia kishin konfiskuar si armik i përbetuar i shtetit jugosllav, duke vazhduar pastaj rezistenca me bijtë e Avdiut, Hajdarin gjyshi i babit dhe Shaipin e deri tek Sejdi dhe Mejdi Gega, djemtë e axhës së babit dhe pastaj me përjetësimin e babit në piedestalin e lirisë.

 RKL: Ku gjendeni tani, me se merreni, si ia dilni?

Çlirim Fetah Gega: Për momentin ne jemi duke vazhduar shkollimin, unë dhe vëllai Fitimi,  jemi studentë të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” ndërsa vëllai i vogël që tani e mbanë emrin e babit, është maturant në Gjimnazin “Jeta e Re”, në Therandë, por pa rrethin familjar do ishte e vështirë t’ia dilnim.

RKL: Babai Juaj, ka qenë bashkëluftëtar i luftëtarëve emblematikë të UÇK-së, shumica dëshmorë të kombit. Por ata që janë gjallë a ju takojnë, a ju përkrahin?

 

Çlirim Fetah Gega: Po të them të drejtën takohemi shpesh, më tregojnë kujtimet e asaj kohe te lavdishme, tregojnë për luftën, sakrificat e shumë e shumë luftëtarëve, më flasin shpesh për babin, është shumë interesante se në të gjithë kujtesën e shokëve figura e babit i ka tiparet e një trimi të veçantë, e një heroi që vetëm guxim e buzëqeshje u ka dhuruar shokëve, prandaj edhe unë kur ndodhem në mesin e tyre  ndihem shumë  i lumtur, më duket që për një moment gjatë bisedave më shfaqet edhe vetë figura e babit.

RKL: Dëshmorët, jetën, luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht tani për interesa personale edhe po i ndajnë, a mendoni se, Ju familjet e dëshmorëve duhet të reagoni për raste të tilla?

Çlirim Fetah Gega: Mendoj se ky është gabimi më i madh i shoqërisë sonë, po do ishte  mirë që të ishim të bashkuar edhe ne si familjarë të tyre, që njëherë e përgjithmonë t’iu jepnim fund këtyre ndasive.

RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

Çlirim Fetah Gega: Për të quar në vend amanetin e tyre ka edhe shumë për t’u bërë, mendoj që ata nuk e donin këtë përçarje dhe këtë ndasi që fatkeqësisht është duke ndodhur në popullin tonë.

RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo për familjet e dëshmorëve?

Çlirim Fetah Gega: Përveç disa benificioneve si të gjitha familjet tjera të dëshmorëve, këtë vit babi u dekorua me urdhrin ‘’ Hero i Kosovës’’ nga kryetari, Hashim Thaçi, mirëpo për ne edhe shumë familje të tjera të dëshmorëve mendoj se do të duhej të ishte një respekt dhe një ndihmë më e madhe nga shoqëria.

 

 RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, ndonjë kujtim të veçantë RKL: Kur është takimi i fundit, me babin Tuaj, a ju kujtohet diçka?

Çlirim Fetah Gega: Kemi disa kujtime nga babi qysh prej kohës kur ishte në perëndim por edhe pak nga lufta, disa fotografi në të cilat fytyra e tij vetëm e buzëqeshur rri, por kujtimi më i bukur për të është vet emri dhe madhështia e tij. Takimi i fundit me babin ishte diku kah mesi i muajit Mars të vitit 1999 e mbaj shumë në kujtesë takimin e asaj dite, ndoshta ishte edhe parandjenja që do e shihja për të fundit herë. Të them drejt atë  ditë për pak çaste sa ishim me të, në fytyrën e tij lexova lirinë që do të vinte, foli pak për luftën, tregoi për friken që u kishte hyrë ne palce serbëve, pastaj ne u përshëndetëm na tha se duhet të shkoj tek shokët dhe se luftën do ta fitojmë ne. Pas disa ditëve ne shkuam për Shqipëri saktësisht në Shëngjin ku dhe aty morëm lajmin për përjetësimin e babit në altarin e lirisë nga i madhi Gjeneral Tahir Sinani që ishte Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut dhe që nuk mund të rri pa përmend të gjithë atë respekt të shtetit amë, ato tubime madhështore që bënë për babin.

 

RKL: Në emër të stafit të Radios dhe dëgjuesve tanë Ju përshëndesim dhe iu falënderojmë përzemërsisht për intervistën!

Çlirim Fetah Gega: Falënderim dhe respekt  shumë të veçantë nga familja jonë edhe për ju Radion e vetme të Luftës Çlirimtare, dhe gjithë dëgjuesve tuaj.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …