Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, politikani më pro-amerikan në Kosovë, është i vetmi që mund ta nxjerrë vendin nga kriza ku e ka degraduar, Albin Kurti, në afër katër vitet e qeverisjes së tij më shumë eksperimentale e virtuale sesa reale e përmbajtësore, sikur kishte premtuar.
Albin Kurti, me egon e tij ekstravagante dhe me qëllim për t’u treguar politikan origjinal, duke mohuar tërë punën, mundin dhe të arriturat paraprake të qeverive dhe të shtetit të Kosovës në 22 vitet e pas luftës, madje duke mos denjuar t’ ua përmend as emrat çlirimtarëve e liri-bërësve, ka bërë dhe po bën përpjekje që në politikën e tij autokratike, të vë vulën e vet albiniste, kultin e politikanit të gjithëdijshëm, sikur pretendon të paraqitet, madje duke rrezikuar skajshëm sigurinë dhe interesat e vendit. Anashkalimi e nganjëherë edhe shpërfillja e papërgjegjshme e aleatëve, injorimi i politikës zyrtare të Shqipërisë, përçarja që ka shkaktuar në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, degdisjen dhe përçarjen e shqiptarëve të tri komunave të Kosovës Lindore, injorimi me cinizëm i opozitës, janë vetëm disa nga prioritetet e tij të mendësisë një dimensionale, të egos së tij të sëmurë të super-njeriut, mbinjeriut jo niçean, por origjinal, albinian.
Përballë këtij politikanit, Albin, të cilit nuk i mungon as arroganca, kreshpërimi, megalomania, snobizmi, vetëlavdërimi, egocentrizmi, mediokriteti, urrejtja, inati aziatik i shqiptarit lindor, xhelozia e sëmurë, kemi një politikan, sikur është Ramush Haradinaj, që vjen nga mesi i vegjëlisë tradicionale shqiptare, një luftëtar të lirisë me rrënjë denbabaden qëndrestare prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e me radhë, në të gjitha lëvizjet e kryengritjet e kohës, një protagonist ndër më të njohurit për merita, guxim, trimëri, sakrificë, vetëmohim, shtet-ndërtim, mbi të gjitha dhe politikan që e ka nxjerrë në sipërfaqe lufta e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, duke qenë pjesa e saj më vitale, më qëndrestare e më sakrifikuese. Ai është luftëtar. epror, veteran dhe invalid, komandant e politikan, çlirimtar e liri-bërës, mbrojtës i UÇK-së në Hagë, personalitet ndër me meritorët e kombit.
Thjeshtësia dhe sinqeriteti i Ramush Haradinajt, burrëria dhe trimëria në luftë dhe në paqe, vizioni realist pa modifikime e ekuivokë, besa, nderi dhe krenaria e ligjshme, janë antipodi i politikanit të improvizuar, sikur është Albin Kurti, i cili lavdërohet dhe e vë në qiell meritën e demonstratës së tetorit të vitit 1997, meqë nuk asgjë tjetër me të cilën do të krenohet, përveç edhe me sulmet e dhunshme me tym e zjarr brenda dhe jashtë institucioneve të shtetit të Kosovës, për të cilat ende mendon se kanë qenë merita dhe lavdërohet se ka mbajtur edhe burg, për sulmet brenda dhe jashtë Kuvendit.
Po të bëjmë analiza dhe krahasime të kësaj natyre, me gjuhën e fakteve dhe argumenteve, do të zbulojmë dy personalitete, të cilat kanë lindur, janë rritur dhe janë maturuar kryesisht në të njëjtën periudhë kohore, por me dallime në origjinë, prejardhje, edukatë, përcaktime politike e kombëtare.
Për të vënë në pah çka ka bërë Ramush Haradinaj me tërë familjen e ngushtë e të gjerë për kombin e atdheun dhe çfarë ka bërë, Albin Kurti, me të vetët, duhet të shkruhet një libër voluminoz, ndërsa unë do të përpiqem të vë në spikamë vetëm disa të dhëna, për të parë dhe për t u bindur se cila është merita dhe pesha e këtyre dy personaliteteve që përfaqësojnë, dy kahe të politikës aktuale, veçmas në Kosovë dhe te shqiptarët përgjithësisht.
Ku ishte dhe me çka merrej Albin Kurti, në kohën kur me 6 maj të vitit 1997, Ramush Haradinaj, nën rrebeshin e armëve të forcave serbe, edhe vetë i plagosur, kishte ngarkuar mbi supe trupin e vëllait, Luanit, për të mos ia lënë forcave serbe, në vendin ku asokohe ishte kufiri me gjemba e mina, që ndante mes për mes trojet shqiptare.
Albini, asokohe ishte student, me flokë të gjata deri në brez, mbase edhe i kompleksuar për tu dukur, për t’ u dalluar nga të tjerët… Asokohe ishte në mesin e shokëve dhe shoqeve të veta studentë e studente, që mësonin nëpër shtëpi private, meqë regjimi serb i Milosheviqit i kishte mbyllur shkollat e fakultetet në gjuhën shqipe.
Ku ishte Albini më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Llaushë të Drenicës. A e përkrahu daljen, a shkroi ndonjë rresht për të, a i besonte luftës së armatosur kundër Jugosllavisë së mbetur, që tashmë kishte filluar në mënyrë të organizuar.
Ku ishte dhe me çka merrej Albini më 24 mars të vitit 1998, gjatë luftimeve prej 10 e 40 e deri në 22. 00 të natës, në Gllogjan, ku Ramushi kishte marrë plagë gjatë luftimeve. Daut Haradinaj ka treguar se në qendër të fshatit kishim marrë pikat që të mos e lejonim Serbinë të futet në mes. “Atë ditë ka qenë edhe Zoti me ne. Ata kanë pasur dëme shumë të mëdha, por edhe moralisht kanë qenë shumë të dëmtuar” thotë Daut Haradinaj. Ramushi ishte shëruar shpejt prej plagëve dhe me qindra liridashës kishte depërtuar në Shqipëri ku ishin armatosur disa qindra luftëtarë të lirisë…
Albini asokohe mund ta ketë lexuar ndonjë shkrim për atë betejë dhe asgjë më shumë.
Digresion
Në vazhdim po evidentojmë betejat më të rëndësishme të UÇK-së, në të cilat nuk kanë marrë pjesë, treshja pushtetare: Albin Kurti, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca, as prindërit e tyre, as motrat e vëllezërit e tyre, as ministrat e Kurtit me një apo dy përjashtime, as Zyrtarët e Presidencës, as më shumë se disa deputetë të Vetëvendosjes.
Ramush Haradinaj me vëllezërit, të afërmit, e bashkëluftëtarët e tij ka marrë pjesë në më shumë se 30 beteja të njohura të Zonës së Dukagjinit.
Disa nga Betejat më të njohura të UÇK-së, në vitet 1998-1999
Beteja e parë e fuqishme e UÇK-së, përballë forcave të motorizuara serbe është zhvilluar më 26 nëntor të vitit 1997, në rrugën: Skënderaj-Klinë, në fshatin Ludoviq, tash Rezallë e Re. Atë ditë forcat e motorizuara serbe janë goditur nga luftëtarët e Adem Jasharit dhe janë tërhequr prapa me dëme të konsiderueshme në teknike lufte. Beteja është zhvilluar dy ditë para daljes publike të UÇK-së. Atë ditë në betejë ka marrë pjesë vetë Legjendari, Adem Jashari dhe shumë nga luftëtarët e bërthamës së parë të UÇK-së.
Beteja në Likoshan e Qirez, më 27 shkurt 1998.
Beteja më 5.6. 7 mars 1998 te Jasharët, me ç rast ranë 56 anëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, në mesin e tyre edhe komandanti i UÇK-së, Adem Jashari.
Më 24 mars 1998 është zhvilluar Beteja në Gllogjan të Deçanit në kullën e vëllezërve Haradinaj: Luan, Ramush, Shkëlzen, Daut e Enver Haradinaj.
Beteja në Gjergjicë maj 1998, ndërsa Zënia e Grykës së Llapushnikut më 9 maj 1998.
Beteja në Bardh të Madh, 29-30 qershor 1998 ku ka marrë pjesë komandanti, Fehmi Lladrovci.
Zënia e Grykës në Caralevë më 14 qershor 1998.
Beteja e njohur dy-mujore maj qershor e Smolicës, në rrethin e Gjakovës.
Beteja e Baballoqit, në 21 prill të vitit 1998.
Beteja e Gabrricës në Kaçanik më 11 gusht 1998.
Beteja në Grykën e Llapushnikut më 25 dhe 26 korrik 1998, ku forcat serbe për herë të parë kishin vënë në veprim më shumë se 120 tanke, topa të kalibrave të mëdhenj, disa raketahedhës dhe mjete të tjera të motorizuara. Në këtë Betejë kishte rënë komandanti Imer Alushani.
Beteja e Zborcit të Shtimes më 25 korrik 1998.
Beteja e Rahavecit 19-20-21- korrik 1998
Beteja e Junikut më 10 gusht 1998.
Beteja më 22 shtator në Drenicën Qendrore, të cilën e udhëhoqi komandanti, Fehmi Lladrovci.
Beteja e Jezercit 22-23 shtator 1998.
Beteja e Vërrinit në verë të vitit 1998.
Beteja e Bajrakut, në Lluzhnicë në krye me Ismet Jasharin Komandant Kumanova, më 24 dhe 25 gusht 1998.
Beteja e verës dhe të dimrit në Shalë të Bajgorës.
Beteja e Qyshkut të Pejës.
Betejat e Rugovës.
Beteja e Dollcit në Klinë.
Beteja e Loxhës e korrikut të viti 1998.
Beteja e Budakovës, e Semetishtit, e Malishevës.
Beteja e Llapit te Tabet e Llapashticës në dhjetor të vitit 1998.
Beteja e Mujë Krasniqit të Gorozhup të Pashtrikut, më 14 dhjetor 1998, me ç rast ranë 41 dëshmorë të UÇK-së.
Beteja e e 22 shkurtit e vitit 1999 në Zonën e Shalës në mbrojtje të Shtruerës (Shtitaricës), Lugmirit (Dalakut) Akrashticës, Bukoshit, Liqenjëve dhe Taraxhës së Vushtrrisë.
Beteja e Pustenikut në zonën e Kaçanikut në maj të vitit 1999.
Beteja e Zhegocit në zonën e Karadakut.
Beteja e Marecit e 16-18 prillit të vitit 1999 ku ranë më shumë se 30 dëshmorë.
Beteja te shkëmbi i Gradinës, në Berishë, më 18 prill 1999.
Beteja në Qafë Hajlë të Rugovës në prill të vitit 1999.
Beteja e Abrisë, Likocit, Rrezallës, Prekazit, Polacit, Gradicës, Melenicës, Artakollit, Aqarevës, Kopiliqit, Gradicës, e shumë të tjera, (të cilat do të evidentohen kohë pas kohe)
Gjatë luftës së UÇK-së është i njohur edhe aksioni ushtarak i SHP të UÇK-së, “Shigjeta” në Pashtrik, aksion i përqendruar i shumë njësiteve e brigadave të Anadrinit e të Dukagjinit që kishte qëllim për të krijuar një korridor të armatimit për në zonat e luftës në Kosovë. Beteja e Kosharës ka zgjatur në muajt: prill, maj, qershor 1999.
Betejat e pandërprera të brigadave të Pashtrikut në brezin kufitar prill, maj qershor 1999.
Një aksion tejet i rëndësishëm i luftës është kryer nga njësitë e Komandantit, Besim Mala dhe Shtabit të Brigadave, Ismet Jashari, Fehmi Llardovci, Mujë Krasniqi, në natën mes 21 dhe 22 majit të vitit 1999, me rastin e rrëmbimit të armatimit dhe minave tokësore në Kazermën e ushtrisë Jugosllave afër Magurës, kur u morën qindra mina antitank, me të cilat u vulos edhe fati i luftës në Drenicën jugore, në Zonën e Llapushës e më gjerë.
Aksionet e Njësive Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të cilat janë ndërmarrë në shumë zona të Kosovës.
Aksionet luftarake në Zonën e Neredimes e pashtrikut nga Brigada e Jetullah Qarrit, Komandant Guri.
Gjatë dy viteve të luftës në Kosovës janë zhvilluar edhe beteja të tjera në shtatë zonat operative.
Serbia, gjatë luftës së viteve 1998-1999, kishte sjellë në Kosovë dy të tretat e kontingjentit ushtarak e policor. Vetëm në brezin kufitar me Shqipërinë kishte dislokuar mbi 50 mijë forca. Gjatë luftës në Kosovë armata serbe ka angazhuar qindra tanke, qindra armë të rënda të artilerisë, më shumë se 150 mijë ushtarë e policë dhe si shumë hordhi paramilitarësh, grupesh e bandash të armatosura.
Në betejat e UÇK-së kanë rënë rreth 2000 dëshmorë, janë plagosur me mijëra pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa serbët kanë vrarë e kanë masakruar më shumë se 12 mijë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Ende nuk dihet fati i rreth 1600 të tjerëve, për të cilët me të drejtë dyshohet se regjimi ua ka humbur të gjitha gjurmët.
Tani, në 25-vjetrorin e përfundimit të luftës së UÇK-së, e cila për 78 ditë u përkrah edhe nga forcat ushtarake të NATO-s, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti janë aktivë në politikë, në përpjekjet e angazhimet e tyre për ta ndihmuar vendin, secili nga këndi i vet i veprimit dhe i angazhimit.
Albin Kurti është kryetar i Vetëvendosjes dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Për dallim nga Albin Kurti, Ramush Haradinaj, ka qenë dhe ka mbetur besnik i politikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi e dëgjon zërin e popullit dhe përkushtimin e tij për Amerikën, pa të, cilën nuk ekzistojmë dot, sepse jemi në shënjestër të Rusisë.
Po vëmë në pah me këtë rast ku në një sondazh të Gallup International, Kosova shpallet shteti që ka mbështetjen më të lartë në Europë ndaj lidershipit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 83% e të anketuarve në Kosovë janë pro, ndërsa 6% nuk e mbështesin dhe 10% të tjerë kanë refuzuar të përgjigjen. Ky rezultat tregon se 16 për qind e të anketuarve që nuk duan të përcaktohen apo janë kundër Amerikës, nuk mund të jenë të asnjë partie tjetre, pos nga radhët e Vetëvendosjes.
Pavarësisht se ky konstatim mund të jetë edhe paragjykues nga ana ime, këtë fakt e mbështes në radhë të parë me qëndrimin e papërgjegjshëm të kryetarit ë Vetëvendosjes dhe kryeministrit aktual, Albin Kurti, të cilin disa herë e ka shprehur edhe publikisht, madje duke nënvizuar se jo gjithherë i dëgjon amerikanët, ndërsa një deklaratë të diplomatit amerikan, Anthony Blinken e quan naive, pa kurrfarë keqardhjeje, ashtu sikur në kohën kur ishte në opozitë fliste me cinizëm për politikanët pro amerikanë duke i fyer me “amelika-amelika”.
Krijimi i një opozite të mirëfilli i qartëson dilemat, sepse pavarësisht se populli i Kosovës është më pro amerikan, që nënkupton dhe pro evropian, Qeveria e Kosovës me politikën e saj arrogante dhe të papërgjegjshme ka bërë që Amerika dhe BE-ja t’i vënë sanksione ekonomike e politike, Shtetit të Kosovës, për shkak të Albin Kurtit.
Andaj, për një ardhmëri të sigurt dhe prosperuese të Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht, duhet përkrahur pa rezervë personalitetet më të dëshmuara të kombit, para gjatë dhe pas luftës sikur janë. Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Sami Lushtaku dhe tërë gardën e çlirimtarëve e fitimtarëve kudo ku ata janë rreshtuar.
Ahmet Qeriqi
- 9. 2024
Prishtinë