Çmimet për letërsi, vlerësim dhe nxitje për krijimtari

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të 12-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë Çmimin Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet vjetore për letërsi. Juria profesionale për vlerësimin e çmimeve në përbërje të prof. dr. Hysen Matoshi – kryetar, Adem Zejnullahu, Faik Shkodra, Emin Emini dhe Riza Haziri –anëtarë, kanë vendosur që çmimet të dhurohen për: Çmimi Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” t’i jepet Sabile Keçmezi – Basha; Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” t’i jepet Rrahman Paçarizi për veprën “Shtatë udhë” dhe Albina Idrizi për veprën “Përsëri mars”; Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” t’iu jepet Xhevdet Bajraj për vëllimin “Kur qajnë hardhitë” dhe Nexhat Rexha për vëllimin “Duke kërkuar hijen tënde”; Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” t’i jepet Berat Dakaj (Armagedoni) për studimin “Dramat e Qosjes”; Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” t’i jepet Isa Memishi për përkthimin e romanit “Guaska” të Mustafa Halifas; dhe Çmimi për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj “Vehbi Kikaj” t’i ipet Januz Fetahaj për veprën “Libri i përrallave të gjyshit”. Me këtë rast, në një ceremoni të organizuar në kabinetin e Ministres Vlora Dumoshi, e para e MKRS-së u uroi mirëseardhje laureatëve dhe anëtarëve të jurisë. “Në këtë ditë të shënuar kujtojmë të gjithë ata krijues që me veprat e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë tonë. Jo rastësisht ndarja e çmimeve të letërsisë po bëhet sot në këtë ceremoni të organizuar nga ministria, sepse përveç që po ndajmë çmime të rëndësishme për letërsinë, kulturën dhe artin, përveç që sot po i shpërblejmë krijuesit e letërsisë, po e festojmë edhe përvjetorin e shtetësisë së Kosovës. Sot simbolikisht më takoi mua si Ministre që të ndaj këto çmime, ndonëse të gjitha punët rreth vlerësimit të tyre i takojnë mandatit të qeverisjes së kaluar ”, tha mes tjerash ministrja. Duke filluar nga procedurat e hapjes së konkursit e deri tek ndarja e çmimeve parashihen me rregullore të veçantë të MKRS-së, e cila procedurë përfshin dhe emërimin e një jurie, e cila rekomandon laureatët e çmimeve. “Unë si Ministre e vlerësoj lart ndarjen e çmimeve për letërsi, sepse besoj se duke ndarë këto çmime në baza të rregullta vjetore, ne i kontribuojmë edhe stimulimit dhe nxitjes së krijueseve të shkruajnë, të krijojnë dhe ta pasurojnë artin e fjalës sonë të shkruar”, u shpreh ministrja, duke rikonfirmuar se mbetet e përkushtuar të punojë shumë në mbështetjen e të gjitha fushave të kulturës dhe të artit, të krijuesve dhe performuesve për ta avancuar kulturën e Kosovës dhe për ta promovuar vendin. Kryetari i Komisionit vlerësues z. Hysen Matoshi, konfirmoi se vlerësimi i Jurisë për ndarjen e Çmimit “Azem Shkreli” autores Sabile Keçmezi – Basha, është dhënë me motivacionin për punën e saj krijuese në fushën e letërsisë, një varg veprash që shquhen për prurje të reja, si në përmbajtjet ideore, ashtu edhe në format letrare. Ndërsa për çmimet tjera, juria dha këto vlerësime: Proza “Shtatë udhë” e autorit Rrahman Paçarizi të kujton rrëfimin biblik për krijimin e botës e të njeriut brenda një jave. Romani “Përsëri mars” i Albina Idrizit ngërthen vlera ideore, estetike dhe artistike; elemente të bollshme realiste, aktuale, madje historike. Përmbledhja poetike “Kur qajnë hardhitë” e Xhevdet Bajrajt, shquhet për intonacionin e veçantë ligjërimor e estetik, për krijimin e kodeve dhe figurave poetike me një emancipim të thellë mendimor e emocional. Përmbledhja poetike “Duke kërkuar hijen tënde” e Nexhat Rexhës shpërfaq dramën e individit si reagim artistik përballë bëmave të historisë dhe të aktualitetit. Studimi monografik “Dramat e Qosjes” i Berat Dakajt (Armagedonit) ngërthen një shumësi elementesh dhe premisash të zhvillimit të dramës shqipe në kontestin historik, teoriko-letrar, ideoestetik, filozofik, antropologjik, mitologjik e socio-psikologjik. Romani autobiografik “Guaska” i Mustafa Halifas, shkrimtar sirian, është njëra ndër veprat lapidare që, nëpërmjet një rrëfimi të çlirët, përshkruan dhunën dhe brutalitetin e pushteteve, rrjedhojat që ia krijon individit të qëndruarit brenda guaskës kufizuese. Tregimet e vëllimit “Libri i përrallave të gjyshit” të Jonuz Fetahajt përshkohen me ngjarje që trajtojnë botën e brendshme të fëmijëve, dëshirat, ëndrrat, mendimet mbi jetën dhe për jetën. Ndërkaq, Sabile Keçmezi-Basha si fituese kryesore e çmimit dhe në emër të laureatëve e falënderoi Ministren Dumoshi për ndarjen e çmimit dhe tha se ndihet e nderuar me marrjen e çmimit për veprën jetësore me emrin e të madhit Azem Shkreli.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …