leoni

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” iu nda kompozitorit Rexhep Munishi

Në një ceremoni të organizuar në kabinetin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u bë ndarja e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” dhe Çmimit Vjetor për Vepër Kamertale për vitin 2018. Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”, iu nda kompozitorit Rexhep Munishi-etonmuzikolog. Shpërblimi financiar për këtë çmim është në vlerë pesë mijë euro dhe po ashtu ky çmim u shoqërua edhe me një plaketë. Çmimi Vjetor për Vepër Kamertale iu nda kompozitorit Ardian Halimi për veprën “Inside-Out” dhe u shpërblye me dy mijë e pesëqind euro. Ministri Kujtim Gashi fillimisht uroi mirëseardhje për të gjithë dhe uroi laureatët për çmimin jetësor dhe atë vjetor në fushën e muzikës. Ai tha se ndarja e këtyre çmimeve është një përkujdesje dhe një stimulim që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e bën për të gjithë komunitetin artistik e veçanërisht për krijuesit dhe njerëzit e muzikës. “Jemi të vetëdijshëm që me këto çmime apo shpërblime nuk e shpaguajmë punën dhe mundin e madh që e bëni por megjithatë është një motivim për punë shtesë dhe angazhim dhe në të njëjtën kohë është një shenjë falënderimi për punën dhe kontributin e juaj”, tha ministri Gashi. Gjithashtu ministri Gashi foli edhe rreth rritjes së pagave për komunitetin artistik duke thënë se ky ka qenë vendim i yni në mënyrë që ta stimulojmë punën e krijuesve dhe performuesve në Kosovë. Ai u shpreh i lumtur që është në krye të Ministrisë që siç tha ai ka një komunitet shumë aktiv jo vetëm në Kosovë por edhe përtej saj. “Pa asnjë dyshim artistët tanë, krijuesit tanë , performuesit tanë, njerëzit tanë të artit dhe të muzikës janë ambasadorët më të mirë të promovimit të shtetit të Kosovës dhe në këtë drejtim në emër të Ministrisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju falënderoj për punën dhe kontributin që keni dhënë jo vetëm tani por në periudha të ndryshme kohore”, tha ai. Për vendimet e jurisë për ndarjen e këtyre çmimeve ministri theksoi: “Si ministri ne kemi bërë vetëm punën teknike ndërsa vendimmarrja ka qenë çështje e jurisë”. Në emër të jurisë e cila ka qenë në përbërje të akad. Zeqirja Ballata, prof.ass. Baki Jashari-kompozitor dhe dirigjent dhe magj. Dafina Zeqiri kompozitore, foli Zeqirja Ballata cili dha arsyetimet e jurisë për ndarjen e çmimeve dhe shpjegoi se përveç çmimeve fituesve iu ndanë edhe shpërblime financiare. Fituesi i çmimit për veprimtari jetësore “Niketë Dardani”, Rexhep Munishi, falënderoi ministrin Gashi për dorëzimin e çmimit të cilin ai e konsideroi si shumë të rëndësishëm. Ai po ashtu falënderoi edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, ata që e propozuan për këtë çmim dhe jurinë për vlerësimin e bërë. “Për gjysmë shekulli sa kam qenë aktiv jam marrë me studime, me hulumtime dhe arsimin në fushën e etnomuzikologjisë. Jam përpjekur që trashëgiminë etnomuzikore shqiptare ta hulumtoj, evidentoj dhe ta studioj në mënyrë që ta afirmoj edhe në qarqe joshqiptare. Nuk thuhet kot se  gjuha dhe muzika janë segmentet identifikuese të një kombi”, u shpreh Munishi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …