Kosova duhet të përmbushë edhe kriterin e fundit për liberalizim të vizave, sepse është kusht i BE-së dhe ne patjetër duhet ta miratojmë ka thënë ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku. Ai kërkon ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, në mënyrë që të mos u lihet hapësirë vendeve të BE-së që të dalin kundër vendimit. Ministri Çollaku tha se ky kusht specifik është kërkuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave të publikuar në dhjetor të 2015. “Tani është koha për qartësi dhe të pranojmë se ky është një kusht i vendosur nga BE-ja dhe si i tillë nuk mund të anashkalohet”, tha ministri Çollaku në një intervistë për gazetën Zëri.
