D. Goxhaj: Veteranët pse presin kot nga Qeveria e nuk i bashkohen protestave të opozitës?

Më 7 janar 2016, mësuam përmes shtypit ditor dhe mediave të tjera në Kosovë se OVL e Ushtrisë Çlirimatare e Kosovës, përmes sekretart të saj, Faton Klinaku, nëpërmjet gazetës “Epoka e Re”, ka bërë me dije se ftesës për takim e veteranëve, drejtuar qeverisë së Prishtinë, (konkretisht zotërinjve Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe ministrit Abrashi), edhe pse është dorëzuar para disa muajve, nuk i është kthyer asnjë lloj përgjigjeje, edhe pse bie ndesh me afatet ligjore në Kosovë. Si rrjedhojë, kryesia e OVL të UÇK-së është fyer së tepërmi dhe, si rrjedhojë, na qenka nervozuar shumë, ndaj dhe ka lëshuar një “ultimatum”, se do t’i bëjnë gjëmën Qeverisë Mustafa-Thaçi, “Nëse nuk na takojnë brenda javës së ardhshme, atëherë ne do të marrim masa të tjera, qoftë protesta apo demonstrata, sepse me të vërtetë e kanë tepruar.”

 

Porsa e lexon këtë deklaratë “ultimative”, natyrshëm të lind pyetja se, pse këta “trima” nuk i bashkangjiten protestës mbarëpopullore, me qenë se “Qeveria me të vërtetë e ka tepëruar”, (derisa opozita po bën thirrje), e cila do të zhvillohet në datën 9 janar 2016, apo presin se mbase trembet Qeveria pas kësaj proteste masive dhe nga frika e saj, do, s’do, ka me prit edhe përfaqësuesit e OVL?! Apo kanë frikë se mos Qeveria i akuzon si përkrahës së popullit demostrues dhe u heq pagën (rrogën) mujore që kanë këtu e 16 vjet që po e marrin, duke mos bërë asgjë në të mirë të veteranëve të asaj lufte çlirimtare, duke u kthyer në levë e Qeverisë dhe e PDK-së dhe jo në opozitë e Qeverisë!

 

Dihet që çdo organizatë shoqërore, që nuk është partiake, është dhe duhet të jetë opozitare e çdo lloj qeverie dhe jo levë e saj. Por, me sa kemi parë këta 17 vjet, kryesia qëndrore e OVL-së së “famshme” e UÇK-së, s’ka qenë dhe nuk është gjë tjetër, veçse një bisht i PDK, edhe kur kjo është në pushtet, edhe kur PDK nuk është në pushtet, gjë që ia ka ulur në zero besimin dhe respektin e shumicës së veteranëve ndaj saj, por edhe besimin dhe respektin e popullit.

 

Ngaqë kryesia e kësaj OVL-je ëshët kaq servile e bindur e PDK-së, prandaj ajo nuk zgjidhet me rotacion demokratik. Si rrjedhojë, ata që janë zgjedhur në krye të saj qysh në vitin 1999, ka gjasa që edhe kur të kenë shkuar në atë dynja, kanë me qenë në këto funksione perms bijve të tyre, duke mos u zevendësuar kurrën e kurrës nga veteranë të tjerë. Me sa duket, e kanë përvetësuar mirë Makiavelin, i cili thotë: “Pushteti trashëgohet”.

 

Prandaj, ky “ultimatum” i tyre, nuk është gjë tjetër, veçse një tullumbace dhe përgjigje indirekte për Qeverinë, me domethienien: “Ne nuk e mbështesim opozitën dhe jemi me ju”, si dhe me nëntekstin tjetër që: “OVL e UÇK-së është dakort me tre marrëveshjet e nënshkruara nga kjo Qeveri: Gjykatën Speciale, krijimin e Zajednicës dhe kthimin e Serbisë në Kosovë si dhe me faljen e 8.000 hektarëve të territorit të Kosovës Malit të Zi”.

Kemi më se të drejtë të dalim në këtë përfundim se, edhe pse opozita ka katër muaj që po lufton me të gjitha mënyrat për anullimin e këtyre marrëveshjeve, kjo OVL asnjëherë nuk i ka dalë në mbështetje opozitës në kërkesat e saj. Prandaj kemi të drejtën të shprehemi, se OVL e UÇK-së nuk është gjë tjetër veçse një rryp transmesioni i PDK-së së udhëhequr nga Hashim Thaçi, për të mashtruar dhe mbajtur nën tutelë gjithë veteranët e luftës çlirimtare të Kosovës. Prandaj edhe kjo deklaratë e tyre “ultimative” nuk është gjë tjetër, veçse me thënë: “Na ka çu nana PDK me la gojën”.  Dhe kjo ngaqë PDK-ja i ka korruptuar drejtuesit kryesorë të OVL, duke i hapur vetes namin se PDK mbështet veteranët e UÇK-së, prandaj ajo e ka privatizuar atë luftë, edhe pse të gjitha qeveritë e Kosovës, si ato të krijuara nga PDK ashtu edhe ato nga LDK-ja, janë bërë direkt apo indirekt, (përmes heshjes së tyre institucionale), vegla të propagandës kundër UÇK-së dhe denigrimit të veteranëve të asaj lufte, përderisa kanë hedhur gjithnjë poshtë të gjitha kërkesat e vetranëve, si dhe kanë eleminuar çdo lloj gjurme të ekzistencës së një Ushtrie Çlirimtare të Kosovës. Gjë që kemi parë më se 15 vjet që nuk është dëgjuar të festohet data e krijimit të asnjë formacioni dhe institucioni të UÇK-së; përveç Radio Kosova e Lirë, në festën e së cilës nuk kanë marrë pjesë kurrë këta “udhëheqës të lavdishëm” dhe nuk e kanë mbështetur me asnjë lloj forme. Këtë pozicionim të Qeverisë së Kosovës dhe të kryesisë së OVL ndaj UÇK-së, nuk e kuptojnë vetëm ata që janë të verbër dhe ata që duan të jenë të verbër.

Tiranë, 7.1.2016

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …