Analisti i mirënjohur amerikan, Daniel Serwer, është cituar të ketë deklaruar se Kosova e Serbia duhet të arrijnë marrëveshje, por gjithashtu ka nënvizuar se “shpërblimet” e premtuara nga BE-ja mund të mos realizohen. Këtë qëndrim ai e ka prezantuar në një shkrim dedikuar zgjedhjeve në Serbi dhe situatës së krijuar tyre në Ballkanin Perëndimor dhe për dinamizimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Serweri është shprehur se Kurti, njëjtë si Vuçiqi kanë mbështetje të fuqishme politike dhe duhet të bëjnë zgjedhjet e tyre karshi dialogut, ndërsa BE-ja po i ndërlikon gjërat. Më tutje, ai ka thënë se ideja që Brukseli do ta shpërblente Kosovën në rast të marrëveshjes me Serbinë është e dyshimtë për arsye se ata nuk e kanë plotësuar premtimin e tyre për heqje të vizave. “Kryeministri i Kosovës, Kurti po ashtu ka mbështetje të fortë politike. Ai po përballet me një skemë të brendshme politike që në përgjithësi kundërshton lëshimet ndaj Beogradit. Ai gjithashtu duhet të zgjedhë nëse do të marrë rrezikun politik të arritjes së një marrëveshjeje që do të sjellë kompromis me armikun. BE-ja, e cila ka qenë jo-zemërgjerë ndaj Kosovës duke i mohuar asaj një program për heqjen e vizave, e ndërlikon llogaritjen e tij. Nëse Brukseli do të shpërblente Kosovën për një marrëveshje me Serbinë është e dyshimtë, jo vetëm sepse vende si Franca, Holanda dhe mbi të gjitha Hungaria janë armiqësore ndaj Prishtinës. Premtimet e bëra mund të mos mbahen, si me heqjen e vizave”, ka deklaruar analisti, Dainel Serwer.