Dalip Alshiqi u lind me 6 qershor të vitit 1950 në fshatin Sharban. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme teknike në Podujevë. Familja e tij ishte e njohur për atdhetarizëm, të cilën e barti edhe tek me të rinjtë dhe për këtë familja e Dalipit ishte një kohë të gjatë në shënjestër të pushtuesve. Babai i Dalipit, Hajrullahu, u burgos disa herë nga pushtuesit serbë dhe veglat e tij. Pas përfundimit të shkollës së mesme ai shkoi në Austri, ku qëndroi mese tri vite, por dashuria e madhe për Kosovën nuk e lejoi të qëndronte më gjatë ndonëse atje kishte fituar edhe pensionin.
Gjate demonstratave të vitit 1981 dhe atyre te viteve të ’90-ta, nga urrejtja e madhe që kishte për pushtuesit, ai çdoherë gjente mënyrën për t’u kacafytur me ta, ku në demonstratat e vitit 1981 Dalipi hapi zjarr në drejtim të policisë serbe në lagjen Kodra e Trimave, pastaj vazhdoi t’i sulmonte te vendi i quajtur :Hani i Dilit” ku Dalipi vrau një polic serb. Pas kësaj, policia serbe, rrethoi gjithë Kodrën e Trimave dhe Kolovicen. Dalipi vazhdoi rrugën për në Sharban por ai hasi prapë në hordhitë serbe te vendi i quajtur “Bunari i Hajratit” në Kolovicë dhe vazhduan shkëmbimin e zjarrit deri sa u tërhoq në drejtim te fshatit Siqevë për të shkuar në drejtim të Sharbanit.
Që nga viti 1981 Dalipi kishte kontakte të vazhdueshme me Nuhi Berishen e Rexhep Malen dhe mbesën e tij Shukrie Gashi. Me vonë u aktivizua edhe në Lëvizjen për Republikën e Kosovës e cila udhëhiqej nga Rexhepi e Nuhiu me shoke.
Ishte prilli i vitit 1983 kur arrestohet një grup veprimtaresh në Gjilan, dhe pastaj këlyshët e Serbisë si: Lutfi Ajazi, Bashkim Kursani e shume të tjerë kishin filluar aksionin për arrestimin e mbesës se Dalipit, Shukrie Gashi e cila vepronte dhe punonte me Nuhi Berishen e Rexhep Malen.
Shukria pasi që vërejti se po rrethoheshin nga policia, ajo së bashku me xhaxhain e saj Fehmi Gashi dalin nga shtëpia dhe largohen për në Sharban, ku aty si gjithnjë i pret Dalipi dhe menjëherë kalojnë në ilegalitet te thelle duke jetuar maleve te Gollakut.
Dalipi ishte gjithnjë krah i Shukries, por një natë Shukria vendos që të shkojë në shtëpi për të parë nënën dhe babanë e saj. Atë natë spiunët e lajmërojnë Lutfi Ajazin me shokë dhe në mëngjesin e 26 prillit të vitit 1983 Shukrija arrestohet në shtëpi.
Në protestat e vitit 1997 Dalipi ishte gjithnjë pjesëmarrës. Policia serbe e tërbuar vazhdonte të ushtronte terror mbi popullin shqiptarë. Në një rast, një polic serb iu vërsul një vajze të re dhe filloi ta godiste me pendrek. Dalipi e pa dhe nuk mundi të rrijë indiferent, ai gjeti një shufër hekuri dhe e goditi policin deri në alivanosje edhe pse polici ishte i armatosur. Demonstratat e atyre viteve i konsideronte shumë të qëlluara dhe ishte pjesëmarrës aktiv i tyre.
Dalip Alshiqi, kishte gruan dhe nëntë fëmijë, por dëshira e madhe që atdheu dhe fëmijët e tij të kenë një të ardhme të lirë dhe të lumtur ishte më e madhe se çdo gjë.
“Ai edhe para inkuadrimit të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kishte kontakte të vazhdueshme me Mustafë Llapashticen, me të cilin bashkëpunonin për formimin e grupeve të armatosura”. Kontaktet e para i pati pikërisht me Ejup Maqedoncin-“Ukin”, ish komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 “Hyzri Talla”. Si detyrë të parë në jetën ushtarake, merr përgjegjësinë për krijimin e njësitit në Sharbanin e Epërm si dhe caktimin e pikave të vëzhgimit.
Ishte diku nëntori i vitit 1998, kur së pari si ushtar i Batalionit të Parë, merr pjesë në ofensivën armike në Llap dhe në Besi si dhe në sulmin e dytë në Besi. “Ishte ushtari i parë, që së bashku me Sadik Alshiqin, në Sharbanin e Epërm krijuan bazën e Batalionit të Parë në Vanovc.
Ishte aktiv në çdo moment, asnjëherë nuk u ikte detyrave por posa dëgjoheshin krismat e pushkëve, atë e shihje të vinte në mesin e shokëve. Si njeri me vizion politik edhe gjate kësaj periudhe shpërndau gazetën “Çlirimi” duke qenë i bindur se puna politike është e domosdoshme edhe gjatë luftës ..
Pas krijimit të sektorit të Mbrojtjes Civile në kuadër të Batalionit të Parë, ai ngarkohet me detyrën e zëvendëskomandantit të Mbrojtjes Civile në Sharbanin e Epërm, ku organizuan strehimin e të ardhurve nga zonat e Llapit e Prishtina, siguruan ushqim rezerve për batalionin, krijuan sistemin e rojeve të MC dhe njësitet vëzhguese të saj.
Rruga Sharban i Ulët- Koliq, do të shërbejë me vonë si një arterie për qarkullimin Shtabit e ushtareve dhe mjeteve ushtarake dhe si pikë ndërlidhjeje rruge mes kjo të Brigadës 153 dhe Shtabit të Zonës Operative të Llapit që mbulohej nga Dalipi dhe çdo kalim i ushtarëve të UÇK-së, në këtë rrugë përcillej nga Dalipi. Ishte ai i cili organizonte ushtarëve të UCK-së. “U vra duke mos dashur ta lëshojë pikën në pozicionin e tij edhe pse e shihte rrezikun”- tregon me tej Ejup Maqedonci. “Kishim mese 60 refugjatë në shtëpi. Ishte data 18 prill 1999 kur Dalipi erdhi në shtëpi, me vete kishte dy bomba dore dhe një automatik me tha se do të nisej në piken e vëzhgimit sepse ushtria serbe po i afrohej popullatës civile që ishin duke u larguar në drejtim të Koliqit. Kur doli për tu nisur drejt pikës së vëzhgimit atij iu bashkëngjiten Raifi dhe Kujtimi, ndërsa kur mbërrin tek vendi i quajtur “Rogat e Hamitit”, ka vëzhguar terrenin dhe ka parë se ushtria serbe po vinte në drejtim të tyre. Ai u pozicionua dhe menjëherë filloi t’i sulmonte, ndërsa Raifin dhe Kujtimin, për mungesë të armatimeve i detyron të tërhiqen, ndërsa luftën me serbet e vazhdoi i vetëm. Edhe sot shihet gardhi i djegur në afërsi te të cilit ishte i pozicionuar, ndërsa 96 plumba i mban ende druri i qarrit që gjendet po ashtu në afërsi. Dalipi nuk kishte asnjë plumb në trup ngase ishte vrarë me granate minahedhësi, e cila e kishte qëlluar në fytyrë.
Gjatë çdo bisede që bëhej për luftën, Dalipi thoshte se rasti për të luftuar për atdhe vjen rrallë dhe ky rast është rasti më i mirë që mund t’i jepet njeriut, andaj plumbi në shpinë duke ikur nuk bën të na kap, dhe për këtë arsye unë betohem se shkau shpinën s’ka me ma pa kurrë, ashtu edhe ndodhi Dalipi u vra në një lufte balle për balle me armikun.
Familja e tij, e cila jetonte diku në një banesë në lagjen “Dardania”, edhe pse kishte marrë lajmin për rënien e Dalipit, po mbahej disi, ndërsa nëna e tij, sa herë shkonte dikush për ta ngushëlluar, çdokujt i përgjigjej me kurajë dhe u thoshte: “Te gjithë do t’i jepja po qe nevoja, sepse liria është e shtrenjtë loke, ajo nuk fitohet pa gjak”. Dëshmori Dalip Alshiqi dekorohet me urdhrin “Hero i Kosovës”, nga presidenti Hashim Thaqi.
Nga familja Alshiqi në Sharban gjatë luftës janë martirizuar: Asllan Safet dhe Haki Alshiqi. Po ashtu ne mesin e familjes Alshiqi janë 15 ushtarë e invalid të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për kontributin e dhënë në luftë edhe familja Alshiqi dekorohet me urdhrin “Hero i Kosovës”, në këtë dedikim të presidentit Hashim Thaqi shkruhej: “Urdhrin e Lirisë” e ndava sot për familjen Alshiqi që dha një kontribut shumë të çmuar për liri dhe pavarësi. Sakrifica e kësaj familje dhe shumë të tjerave në Kosovë na obligojnë që të punojmë edhe më shumë për forcimin e shtetit tonë. (Shukrije Gashi)
