Dan Kosumi

Dan Kosumi: Kënga e pambarueme

Unë biri i kësaj toke të nëmur

I babë Shukrisë e nanē Bisë

Krahlidhur me ty loke dardane

E qyqen mbi kryqin e Justinianes

Bri Ulpianës së lavdishme

Dergjur nën rrasat e gurëve të mermertë

Pa gjëmë dhe vaje për kobe epokash

Kuvendoj me orët e bardha dhe zanat e kreshnikëve

Duke tjerrë penin e bishtit të kalit në Trojë

Lidhur prej barkut deri n’brina të dhisë!

 

Shtatë palë qiej e shtatë palë tokë

Bërë gojë e vesh prej zanit të lahutarit

Dhe ahmës gurgule në prehër

Ndjenë harmoninë melodisë si në përrallë

E harku farfurit mbi drurin e thatë të frashërit të zi

Kur edhe zanat me nanëzezën oiiii

Ju thërrasin trimnive të zëna rob në kangët epike!

 

E zërat nga shtatë pash nën dhe thërrasin e plasin:

– Qou he burrë e ngjitu deri n’kullen e gjysëmrrënueme

Merri në duar ato veshje të balsamueme me gjakun e Ademit,

Hamzes dhe të gjithë atij fisi të Jasharëve

Ma gjej edhe një burrë që do ju bijnë taman për trupi

E që s’e tremb erë e that e gjakut

As duhmë e barotit të shkrepun

Ma gjej një së paku aman – një për farë

Që këngën ta bëjë këngë – elegjinë ta ngjallë !

 

E nëse përveç trimërive të bronxta 

S’ke më kë ta bësh një dert si n’kohë t’lavdisë

Ngjitju Bjeshkës së Qyqavicës

Dhe thirr me sa zë që ke:

– Heeeeuuu priteee priteeee Azem Galicën

E nëse as ai nuk të përgjigjet

Zgjidhe një trung t’bam korb të zi prej rrufesë

Vishja atij teshat e trimnisë bre

Qitja n’krah maliherin

Lidhja brezit rrethatoren me fishek

E n’shokë vendosja nagantin me mulli …

E pastaj… Pastaj qëndro kryelartë përball tij

Dhe fshija sytë e verbuem prej lotit të nënave

E vajit të zanave oiii oiii oiii

 

Euuuu mjeri u’ i mjeriiiiii…

Që s’ma hjek mallin e Hamzës e të Ademit

As nuk më ngjanë me Zahirin

As me Fehmiun e Xhevën

As me Adrianin,Tahir Tropojën e Kumanovën

E as me Katanën…

 

Ia shtrëngova dëndënes fijet prej bojëkáne

Derisa i bana tela që të jehojnë si zë njeriu

Dhe nisa përvajshëm duke i thirrë një për një

Ademin, Zahirin, Bekimin, Agimin, Shkëlzenin …

Për t’ju lutur e lutur atyre që të më falin

Pasi nuk gjeta ndonjë mashkull

Që din me ecë drejt udhës së tyne të nisur

Për t’mos i lënë kund vend tradhtisë…

 

Medet o medet…

Edhe kënga mbet e pambarueme

Edhe kënga më mbet shkret !

 

27 shtator 2019

Bernë – Zvicër

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …