leoni

Dardan Dedja: Mustafa Ataturku, krijuesi i Turqisë moderne

Ataturku, rrjedh nga një familje fshatare, pranë qytezës Koxhanxhëk, komunë në Dibër, ka lindur më 1881, në Selanik dhe vitet e fëmijërisë dhe rinisë i ka kaluar në Shqipëri e në Maqedoni. M.Q.Ataturku, i rritur në një rreth ku shqiptarët e turqit janë lidhur edhe më marrëdhënie martesore, problemet socio-etnike dhe politike të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e Rumelisë, i dinte fare mirë. Kapiteni shtatmadhor, M.Q.Ataturk, që bashkëpunonte edhe me patriotë shqiptarë, në një bisedë, në 1907, në Kraferie, me shokët e tij ushtarë, i thoshte mikut të tij të ngushtë, Ali Faut Pashë Xhebesoj, lidhur me fatin e shtetit osman:

 “…Fuqitë e mëdha kanë vendosur me kohë të copëtojnë perandorinë osmane dhe tani, sipas këtij projekti pjesa lindore dhe perëndimore e Trakisë do të mbetet në duar të turqve… Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Greqia do t’u lihen shteteve të sipërpërmendura në bazë të shumicës etnike, sipas vendimit të konferencës diplomatike që do të mbahet në Stamboll, të drejtuar prej shtetit osman… Shqipëria do të shpallet e pavarur.

Pasi më 1908, u rishpall Meshrutijeti (Hyrieti) Liria, e bazuar në kushtetutën e pezulluar që më 1876, me përpjekjet e përbashkëta të intelektualëve dhe muxhahidinëve turq e shqiptarë, në Selanik, partia “Ittihat ve Terakki” (Bashkim e Përparim) kishte organizuar një takim, në darkë ceremoniale. Në këtë festë kishin marrë pjesë edhe oficeri turk Mustafa Qemali, heroi gjirokastrit Bajo Topulli dhe udhëheqësi i çetave kombëtare shqiptare, korçari Mihal Grameno, të cilët patën midis tyre një bisedë intime, lavdëruan dhe përgëzuan revolucionin e 23 korrikut 1908, të realizuar prej vëllazërisë turko-shqiptare.

  1. Qemali kishte asistuar në operacionin ushtarak të Shqipërisë, në 1910. Një ditë, kur kuvendonte me oficerët e Korparmatës III, një oficer gjerman deshi të ngrinte dollinë për nderin dhe fitoren osmane. Mirëpo, u kundërshtua nga M. Qemali, i cili duke u ngritur në këmbë i dha këtë përgjigje oficerit gjerman: “Unë si oficer turk, nuk është e mundur ta ngre dollinë për dorëzimin e shqiptarëve. Dëgjoni shokë! Jo dita e osmanllinjve, por do të vijë dita e ushtrisë turke, e popullit turk, që do të gëzojë pavarësinë! Dhe ne, gotat e rakisë, do t’i pimë krenarë për nderin e armatës fitimtare turke”.

  1. Qemali, që shërbeu edhe si atashe ushtarak pranë ambasadës turke në Sofie, qysh nga 13 tetori 1913 deri në janar të vitit 1915, i kishte mësuar fare mirë problemet politike dhe diplomatike ndërkombëtare, sidomos ato lidhur me viset e Ballkanit. Kryekomandanti Mustafa Qemal Pasha, që nisi luftën nacionalçlirimtare të turqve në Anadoll, 19 maj 1919, pasi themeloi edhe Qeverinë e Turqisë së Re, në 23 prill 1920, në Ankara, aty vendosi edhe marrëdhëniet politike ushtarake, kulturore me Qeverinë shqiptare, që kishte lindur nga Kongresi i Lushnjës, në 28-31 janar 1920. Në ato vite, Turqia e Re po luftonte me Greqinë, e cila ishte bërë masha e superfuqive evropiane. Grekët, që kishin zbarkuar në 15 maj 1919, në Izmir, nuk kërcënonin vetëm Anadollin, por edhe Qeverinë e Tiranës dhe përpiqeshin të aneksonin Shqipërinë Jugore, të ashtuquajtur “Vorio-Epir” (Epiri i Veriut). Shqipëria dhe Greqia nuk ishin marrë vesh në Konferencën e Paqes, të mbajtur në Paris, gjatë viteve 1919-1920. Strategu i madh, M. Q. Pasha, synonte të përçante armatën greke, në 1920, siç e kemi thënë më lart, i dërgoi Qeverisë së Tiranës një delegacion ushtarakësh prej 25 vetash, të kryesuar prej kolonelit të shtatmadhorisë, Salahabin Shkoza.

Marrëveshja turko -shqiptare

 

Ushtria turke dhe populli turk, që ishin ngritur në LNÇ, nën udhëheqjen e Mustafa Qemalit, në 9 shtator 1922, i hodhi grekët në det, përpara Izmirit. Bashkëpunimi ushtarak, kulturor, ekonomik, që filloi midis Ankarasë dhe Tiranës përfundoi me marrëveshjen miqësore të përjetshme, të nënshkruar në Ankara, në 15 dhjetor 1923. Neni i parë i kësaj marrëveshjeje, që vazhdon të jetë në fuqi, është si vijon:

Midis Republikës së Turqisë dhe shtetit shqiptar, në mes të nënshtetasve shqiptarë e turq, do të sundojë paqja, miqësia dhe vëllazëria e përhershme dhe kjo miqësi nuk do të prishet kurrë. Lidhjet miqësore tradicionale dhe historike vazhduan pa pasur asnjë problem. Do kujtuar se bajraktari i Matit, Ahmet Zogu, në 24 dhjetor 1924, me ndihmën e serbëve rrëzoi Qeverinë Demokratike Republikane të Fan. S. Nolit dhe u mbështet tek Italia fashiste, deri në 7 prill 1939. Ahmet Zogu, megjithëse kishte premtuar se nuk do të largohej nga Republika, në 1 shtator 1928, u vetëshpall “Mbret i Shqiptarëve”. M. Qemal Ataturku u zemërua shumë. Kur gazetari francez M. Henry Berro, u prit prej M. Q. Ataturkut, lidhur me shpalljen e mbretërisë zogolliane, Mustafa Qemali i tha:

“Si?! Aprovim i mbretërisë shqiptare?… Jo? Nuk është e mundur. Ju lutem mos më bëni fjalë për atë “person”… Unë nuk e njoh Zogun! S’dua ta njoh fare!… (Le Petite Parisien, 11 tetor 1928). Po edhe gazetat turke të asaj kohe, mbretërinë zogolliane nuk e aprovuan. E kritikuan gjerë e gjatë. Gjithashtu, ballkanologu gjerman Richard Busehzunther, duke komentuar vetë shpalljen e Mbretërisë së Zogut, shkruante: “Rrezikun e Mbretërisë për shqiptarët, së pari e kishte parakuptuar M. Q. Ataturku. Duke u vetëshpallur Mbret, A. Zogu, interesat kombëtare dhe patriotike të Shqipërisë i kishte shfrytëzuar për interesat e tij personale dhe shërbimet publike i kishte vënë në interesin familjar zogollian. Shqipërinë e kishte bërë çiflig të zogollianëve. Faturën e këtij gabimi e pagoi populli. Shqipëria i qe shitur Italisë, pavarësinë ia dhuroi Romës Fashiste… Këtë rrezik vetëm M. Qemal Ataturku largpamës e kishte dalluar, diplomatët evropianë ishin në gjumë”. Presidenti M. Q. Ataturk që tërhoqi ministrin e tij nga Tirana, marrëdhëniet miqësore me mbretërinë shqiptare, deri sa ndërroi jetën më 1938, i kishte vënë në frigorifer. Mirëpo, shqiptar-dashësi Ataturk, që synonte interesat e Shqipërisë, marrëdhëniet diplomatike nuk i ndërpreu. Sidomos gjatë viteve 1929-33, kur ishte krijuar Antanta Ballkanike, ftonte edhe Shqipërinë në Kongrese.

Në mbledhjen e vitit 1932, kishte marrë pjesë si delegat i Shqipërisë, poeti i Lahutës së Malësisë, At Gjergj Fishta. Marrëdhëniet diplomatike të Turqisë deri më 1938, rregulloheshin me  nivelin diplomatik si i ngarkuar me punë, ndërsa konsullata e Vlorës ishte mbyllur që në 1930. Presidenti i Republikës së Turqisë, M. Q. Ataturku kishte shkruar me dorën e tij 197 faqe për librin, që do të botohej prej Prof. Dr. Afet Inan, me titullin “Medeni Bilgiler”, njohuri civile, 1931-32, për shkollat e mesme, popullit shqiptar të udhëhequr nga mbreti Ahmet Zogu, nuk e konsideronte të lirë, sovran…Ataturku, bajraktarin Ahmet Zogu, i cili ishte shkolluar në Stamboll, s’e fali kurrë, po edhe marrëdhëniet qeveritare me Tiranën nuk i ndërpreu, sepse Ataturku e respektonte popullin shqiptar, sidomos për intelektualët e Shqipërisë kishte simpati të madhe. Librin e Ismet Totos, “Gazi Qemal Ataturk” (1935) e kishte pritur me kënaqësi dhe shpresonte se edhe Shqipëria do të arrinte të bëhej një shtet republikan…

Ataturku e dinte mirë se populli dhe intelektualët e Shqipërisë ishin demokratë. Për këtë shkak, M. Qemali dërgonte gazetarët dhe diplomatët më të mirë në Shqipëri. Diplomati, romancieri i dalluar, Jakub Kadri Karaosmanoglu, që shërbeu si ministër në Tiranë, gjatë viteve 1934-36, mbresat e tij interesante për Shqipërinë i botoi në gazeta dhe më vonë si libër me titull “Zorakli diplomat” (Diplomat Padashje). Gjithashtu, edhe shkrimtarët përparimtarë shqiptarë, në gazetat dhe revistat shqiptare, si: “Bota e Re” dhe “Përpjekja Shqiptare” (1936-1938), drejtuar nga Bramo Merxhani, si dhe në fletore të diasporës shqiptare, “Liria Kombëtare” (Zvicër), “Dielli” (Boston), botonin shkrime e studime serioze për Ataturkun dhe Turqinë qemaliste. Ismet Totoja që kishte botuar monografinë e mirënjohur “Gazi M. Q. Ataturk” (1935) ishte kalbur në burgun e Ahmet Zogut. Vlen të theksohet se Presidenti M. Q. Ataturk, sidomos gjatë viteve 1930-34, kur zhvillohej lidhja ballkanike dhe kur priste në audiencë ministrat e Shqipërisë, nuk zinte në gojë emrin Ahmet Zogu, por vlerësonte marrëdhëniet vëllazërore shekullore turko-shqiptare dhe kombit shqiptar i uronte lumturi, begati, qetësi e paqe. Sipas ushtarit të dalluar shqiptar, Ahmet Turkdogani nga Prishtina, roje e Ataturkut, qysh nga viti 1919 deri në 1938, Ataturku zhvillimet e Shqipërisë i ndiqte me kujdes dhe ushqente shpresë se, edhe populli shqiptar liridashës do të shpëtonte nga Sulltan Ahmet Zogu, do të gëzonte demokracinë që e meritonte.

Si u quajt “Ataturk”, babai i Turqisë moderne?

Është e natyrshme të kërkohet me kujdes dhe të mësohet origjina e një njeriu të madh si Ataturku. Ai ka lindur në Selanik, në 25 dhjetor 1881, në një shtëpi modeste pranë limanit, e cila sot është muzeum. Mbi derën e saj lexohen këto fjalë: “Ataturku, shpëtimtari i madh dhe heroi i pashoq i Turqisë, i lindur në këtë shtëpi, në 1881. Babai i tij, Ali Rizai, ishte nëpunës, por më vonë u mor me tregti private. Nëna e Mustafait, Zybejdeja, ka qenë një zonjë shtëpiake. Kur M. Qemali vazhdonte shkollën e mesme ushtarake, mësuesi i tij, që quhej edhe ai Mustafa i propozon:

“Unë quhem Mustafa, edhe ti Mustafa, kjo nuk më pëlqen. Midis nesh duhet të ketë një ndryshim, prandaj emri yt duhet të jetë Mustafa Qemal”… Fjala Qemal në fjalorin turko-arab ka kuptimin: i pjekur. Në 1934, ministri i Arsimit i asaj kohe tha në radio: “Mustafa Qemali është ati i turqve” dhe qysh nga ajo ditë, gazetat e popullit e quajtën Ataturk. Udhëheqësi i Turqisë të nesërmen mori letërnjoftimin e tij, ku ishte shkruar: Ataturk.

Ç’kanë shkruar historianët turq e të huaj për origjinën. Dëshira për ta pasur “turk të pastër”

A ishte shqiptar Mustafa Qemali i madh?

E vetmja çështje që ka preokupuar biografët dhe që është diskutuar ishte origjina e gjyshërve të Mustafa Qemal Ataturkut. Disa autorë evropianë janë përpjekur të tregojnë nga raca e huaj, p.sh. shkrimtari i famshëm anglez kapiteni Mr. Harold Amstrong shkruan si vijon: “Ali Rizai dhe Zybejdeja ndër turqit osman bënin një jetë modeste, por fisnike. Ali Rizai nuk kishte mendime ideale. Qëkurse ish i vogël, duke kaluar malet e Shqipërisë, pati ardhur në Selanik dhe atje gjeti një punë në zyrën e taksave osmane. Zybejdeja nuk kishte pas shkollë, por shtëpinë e rregullonte mirë. Qe një vajzë e një katundari të ardhur nga Shqipëria e Jugut, nënën e kishte nga Maqedonia. Në kohën e Sulltan Abdylhamitit, vendi ishte mbushur me kryengritje, sidomos Ballkani dhe manastiri rreth e rrotull qe bërë “Depo Baruti”, që priste çastin e shpërthimit. Burrit energjik, Mustafa Qemalit, këto ngjarje i dukeshin në favor të dëshirës së tij. Si çdo shqiptar e maqedonas, instiktet e tij lëviznin kundër çdo fuqie tiranike. Ai me gjithë shpirt ishte revolucionar dhe përparimtar”.

Edhe një shkrimtar arab, i quajtur Aziz Hnaki, ish-ambasador në Ankara, shkruan si vijon: “Zybejdeja që vjen nga një baba shqiptar dhe mëmë maqedonase, prej të cilëve ka marrë vullnet, liri, egoizëm dhe ashpërsi, deshi t’i jepte djalit të saj edukatë fetare… Por Mustafa Qemalit i ziente në damarë gjaku i Lekës së Madh dhe i Mehmet Ali Pashë Kavallës”.

Profesori turk Enver Behnam Shapolyo shkruan: “Për gjyshërit e Ataturkut kisha pyetur një shok shkolle të Ataturkut, që ka qenë deputet, i quajtur Haxhi Mehmeti. Ai më tha: -Gjyshërit e Ataturkut janë nga komuna e Dibrës, Koxhshëk, të cilët kishin ardhur nga Konja e Anadollit dhe flisnin turqisht, për këtë shkak quheshin edhe “konjarë”…

Shkrimtari i mirënjohur Jakup Kadri Karaosmanologu, i cili gjatë viteve 1934-36 ka shërbyer në Tiranë si ministër i Turqisë, thotë: “…Në fakt, prej këtij kombi kanë dalë disa burra shteti të mëdhenj. Po vallë këta njerëz a janë krejtësisht prej racës turke? Kurrën e kurrës! Disa nga ata janë hungarezë, shqiptarë, boshnjakë, grekë, armenë, izraelitë, të islamizuar…

Por, edhe disa shkrimtarë subjektivë të perëndimit, duke gabuar, nuk kanë dashur t’i japin popullit turk këtë nder me burra të mëdhenj. Dhe më në fund janë munduar të na marrin edhe Mustafa Qemalin tonë! Ata janë lodhur të konsiderojnë Ataturkun si bir i një ati e mëme nga racë e huaj…”

Ende le të shtojmë se shkrimtari historian Murat Sertologu, me pseudonimin “Eski bir Pehivan” (një ish-pelivan), në gazetën Terxhuman, të datës 1 prill 1970, ka shkruar si vijon: “…Dikur, për të mësuar biografinë e Ataturkut dhe sidomos prejardhjen e tij, kisha vajtur deri në Selanik dhe kisha bërë hulumtime… Së pari, shënoj se Ali Riza efendiu ka qenë mjek i Ataturkut… Babai i vërtetë i Mustafa Qemalit është Beqir Agai. Ai quhej Beqir Aga, shqiptar… Punonte rojtar në doganë. Ishte i ashpër, por njeri i ndershëm. Zybejde hanëmi ishte bashkëshortja e tij. Beqir Agai kishte vrarë një kaçak, kontrabandist të doganës dhe kishte rënë në burg, ku dhe kishte vdekur…

Zybejdeja hanëmi nga bashkëshorti i parë ka pasur dy djem, Syreja dhe Mustafa dhe një vajzë Makbulen.  Zonja Zybejde pasi mbeti e ve, u vendos në çifligun e Muhsin Beut, afër aeroportit të sotëm në Selanik. Zybejdeja, pasi u martua me Ali Riza efendiun, të tre fëmijët jetim i regjistroi mbi burrin e dytë… Sureja Beu, kur ishte kapiten ushtrie kreu vetëvrasje për një shkak të paditur… “Unë këto shënime i bëj për t’i shërbyer historisë…” – citon profesori turk Murat Sertoglu…

Ky lajm, me pretendime të rëndësishme, në shtypin turk dhe në qarqet intelektuale zyrtare bëri bujë. U botuan mjaft shkrime protestuese.

Shkrimtari Murat Sertolgu me pseudonimin “Një ish-pehlivan”, në të njëjtën gazetë (Terxhuman), në datën 4 prill 1970, botonte këtë përgjigje të shkurtër: “për shkrimin që botova, lidhur me Ataturkun, prej lexuesve mora mjaft letra dhe më kërkuan në telefon. Madje, shumë nga ata u munduan të vinin deri në gazetë dhe të kërkonin informacione plotësuese për të. Atyre u rekomandova të paraqiteshin tek ambasadori z. Fizruz Kesim, i cili është nga të afërmit e tij fisnorë dhe z. Ali Këllëç që ka qenë pjesëtari më i afërt personal i Ataturkut. Dijeni të plota mund t’i siguroni nga ata zotërinjtë e lartpërmendur.

Pasi kjo çështje u mbyll, kopjet e gazetës Terxhuman ia dërgova z. Nezir Leskoviku, i cili në 12 prill 1970, më shkruante: “Kur lexova shkrimet e ish-pehlivanit, m’u ngjall në kujtesë. Një ditë në Tiranë, kur po bënin muhabet me disa shokë në kafenenë “Kulla e Sahatit”, pranë nesh asistonte edhe një ish-oficer që kishte jetuar në Turqi. Duke u përzier në bisedën tonë, tha: “Unë shërbimin ushtarak e kam kryer pranë ushtarëve të M. Q. Ataturkut. Një ditë, Pashai më dha urdhër: – Sillmë Kalin. Ia solla, por u zemërua duke më pyetur. – Hani bukë juve? Ku e ka “eyer”? Unë u shastisa, nuk dija çdo të thotë “eyer”. Pasha e kuptoi hallin tim dhe më sqaroi: – Shalën more shalën, – më tha… Pra, më duket se mjaftojnë këto fjalë”.

Opinioni intelektual i Turqisë nuk pranon që Ataturku të ketë rrjedhur nga një racë e huaj. Në të vërtetë, Mustafa Qemali në Turqi njihet dhe cilësohet si një bashkatdhetar me origjinë turke, ati i turqve, Ataturk.

Me këto rreshta që po shkruajmë, nuk diskutojmë dhe kurrsesi nuk duam të themi që Mustafa Qemali rrjedh nga një racë e huaj. Atëherë kemi bërë pjesë në të njëjtën Perandori, atributet dhe kontributet i kishim të përbashkëta. Një miku im historian që e lexoi këtë libër para se ta botonim, më tha: “këtë pjesën që flet për origjinën e Ataturkut më mirë hiqe se nuk dihet se si do të mendojnë turqit. Iu përgjigja mikut tim se këto janë shkruar në shtypin turk, nuk kemi shtuar, as pakësuar asnjë germë, gjithçka që themi janë marrë dhe botuar nga gazetat e Turqisë, gjithçka bëhet me dashamirësi.

Ataturku, jetëshkrimin dhe kombësinë e tij e ka shkruar me dorën e vet dhe ka theksuar: “Ne multu turku dilyen” që në shqip domethënë: “Sa i lumtur të jesh, të bëhesh turk”. Shkurt nënvizojmë se Ataturku ka qenë atdhedashës dhe kombdashës turk.  Ataturku për kombësinë kërkonte tre kushte kryesore: “mendime, ndenja dhe gjuhë turke…”

Pretendimet dhe imagjinatat e Armstrongut, Ataturku i pat përgënjeshtruar me anën e shkrimtarit të mirënjohur Nexhmetin Sadak, në gazetën “Aksham”, në datën 7 dhjetor 1932.

Kontrolloni gjithashtu

Lasgush Poradeci (1899 - 1987), poet, shkrimtar dhe përkthyes i talentuar

Lasgush Poradeci (1899 – 1987), poet, shkrimtar dhe përkthyes i talentuar

Llazar Gusho u lind në Pogradec, më 27 dhjetor të vitit 1899. Ka vdekur në …