Dardan Ibrahimi: Nënë dëshmori e përlotur

Dardan Ibrahimi: Nënë dëshmori e përlotur

Nënë dëshmori e përlotur

E di biri im, nuk do të dëshiroje të më shihje kështu.
Jam lodhur më, edhe rrudhat më kanë mbuluar kapakët e syve.
As varrin nuk po e shoh mirë për ta pastruar nga therrat.
Nuk kisha rrugë tjetër, më mirë të qaj mbi varrin tënd,
ndoshta lotët ta pastrojnë varrin e pluhërosur,
sesa të qaj mbi kravatat e “shokëve” të tu, e të derdhen lotët së koti.
Po, po bir, ata as derën nuk na e dinë, e lëre më që nuk e dinë,
se sa vite u bënë,e ne ende sillemi sa në një vend, e sa në tjetrin,
për t’a futur kokën e jetimit nën strehë.
Edhe pse asnjë nanë nuk do e nxirrte këtë nga goja,
por kur po e di që ti nuk po e përjeton këtë kohë, më mirë që je këtu e faqebardhë.
Bir, vitet po shkojnë, e nânës plaga vetëm sa po i zgjerohet.
Biri yt po rritet e mbi të po rritet edhe barra.
Sapo e ka përfunduar shkollën e mesme,
herë pas here me barkun bosh ka shkuar…. ahhh sikur të isha në vendin tënd e mos ta shihja mjerimin…
Më fal drita ime.
Po mundohem që në sy të nipit të mbjelli fije shprese,
sepse gjaku yt dhe i shokëve që ke pranë i’u falë kësaj toke që e deshët shumë.
Nuk do të ndalem deri në frymën time të fundit, që t’i tregoj nipit për të kaluarën tonë,
për vuajtjet, këmbënguljen për liri dhe trimërinë e juaj.
Bir, përvjetorët vijnë e shkojnë,
ju do të kujtoheni përherë me datëlindje sepse nuk keni vdekur, por keni rënë për të mos vdekur kurrë.
O biri nanës, nuk dua ta zgjas më shumë, nuk dua të të ngarkojë edhe ty.
Pusho i qetë këtu me shokë. Ju fizikisht nën këtë dhe të kësaj toke të shenjtë,
shpirtërisht mbi qiell krenar e të pashoq.

Të përjetshëm ju dëshmorë.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …