Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj ka konstatuar se rritja e çmimit të rrymës nuk është fatkeqësi, i ka dy adresa: Qeveria dhe KEDS. Ai ka shkruar më tutje se KEDS duhet ta publikojë fitimin menjëherë. Qeveria të na tregojë pse po hesht, pse nuk po vepron karshi oligarkëve? “Energjia elektrike është kusht themelor jete. Duke qenë kështu, një qeveri që mendon për njerëzit këtë duhet ta trajtojë si të drejtë, dhe jo si mall. Prej vitit 2021, energjia është shtrenjtuar 2 herë. Ndonëse jo në të njëjtën masë, secila shtresë shoqërore, por edhe secili biznes e ka vuajtur çmimin e energjisë. Dikush i ka më të pakta produktet e shportës së ushqimit, dikush më të rrallë argëtimin, dikujt i është rritur kostoja e prodhimit. Ekziston veç një përjashtim: e pa ndikuar, si një ishull, si një zonë eksterritoriale, ka mbetur kompania KEDS. KEDS merr prej Kosovës pavarësisht nëse Kosova s’ka. Njëherë merr prej qytetarëve; kur atyre iu shtrëngohet rripi, fitimin ia kompenson Qeveria nga buxheti” ka shkruar mes tjerash, kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj.
