Ish-deputeti i LVV, Dardan Sejdiu, ka shpërthyer ndaj ish-bashkëpartiakëve të tij për heshtjen që ata po mbajnë ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ai ka kujtuar takimet e kaluara brenda VV-së, kur “mllefi, zelli dhe gatishmëria për reagim” ishin karakteristikat e atyre që sot janë ministra dhe zyrtarë të lartë në qeveri. Sipas tij, ata që dikur ishin të gatshëm të reagojnë tani nuk e thonë asnjë fjalë për shtrenjtimin e rrymës. Sejdiu theksoi se VV erdhi në pushtet duke premtuar nacionalizimin e shpërndarjes së energjisë, por tani, pas katër vitesh, ajo po hesht para çdo shtrenjtimi të energjisë. Ai e cilësoi si turp që asnjë parti politike, përfshirë edhe qeverinë, nuk ka dërguar një koment në Zyrën e ZRRE kundër ngritjes së çmimit të rrymës.
