leoni

Ahmet Qeriqi

“Darka e fundit…”, fragment nga romani në dorëshkrim: “Guri i Betimit”, i autorit Ahmet Qeriqi

Në mbrëmjen,  e cila ende përcëllonte nga vapa e ditës dhe përcillej me një mungesë ajri të pastër, dy taborët e  mëdhenj kishin marrë pamje të një qetësie përpara furtunës mizore, e cila nuk vinte nga natyra, as nga Zoti, por nga sundimtarët, që pretendonin të ishin zotër në tokë, secili në të drejtën e fuqinë e vet. Edhe pse nuk ishte caktuar dita e sulmit, një ditë më parë, tre lajmëtarë të Sulltanit, kishin depërtuar në Kampin e krishterë të Llazarit dhe kishin përcjellë propozimin e Sulltan Muradit të Parë, ku thuhej: “Është ftesa jonë e fundit që të dorëzoheni, të mos derdhim gjakun kot, të pranoni  vasalitetin, ashtu sikur shumë prijës tuaj dhe të Bizantit dhe të mos na pengoni në rrugën tonë drejt veriut e perëndimit. Nëse dorëzoheni dhe lidhim paqe, nuk do të hakmerremi për krimin e shëmtuar që na keni bërë tri vjet më parë në Pallatnik. Nëse nuk i përfillni kërkesat tona, më 15 qershor do të nis lufta të cilën, me emër të Allahut  do ta humbisni ju, duke derdhur gjakun rrëke”.

Në kohën kur lajmëtari kishte përfunduar leximin e ofertës së Sulltanit, prijësi Vojvoda Kosaniq i kishte fyer ata duke i kërcënuar se të nesërmen,  trupat e tyre do ta mbulonin lumin e Sinisë dhe të Allpit, pastaj  do të bëheshin mish për sorra e zhgaba, që do të vinin e do të ushqeheshin me kërmat turke edhe nga krejt Azia.

 Natën e 14 qershorit të viti 1389, në Kodrën përballë kampeve, në Rezidencën e Mbretit Llazar ishin tubuar të gjithë prijësit në tavolinën e madhe, të shtruar enkas me pije e mish, me qëllim që ajo darkë të shënonte takimin e fundit të Mbretit me prijësit, por edhe një konsultim paraprak, lidhur me betejën që do të fillonte në mëngjesin e ditës pasuese. Ishte nata që më vonë në kujtesën e të krishterëve do të kujtohej si Dita  e Parashikimit për flijim apo e Vidovdanit,  sikur huhet në traditën serbe.

Nga Rezidenca e cila ishte në anën lindore të kështjellës së vjetër të Pirustinëve të kohës së Dardanisë, vërehej perëndimi i diellit, në majat e Qyqavisë.

Në ballin lindor të tavolinës së madhe ishte ulur Mbreti në fronin e ngritur më lartë se tavolina në formë të P-isë greke, ku ishin ulur sipas radhës, posteve  dhe rëndësisë,  të gjithë të ftuarit.

Mbreti Llazar, në pjesën ballore të tavolinës, para fronit e  kishte vendosur shpatën, mburojën dhe helmetën  mbretërore, ndërsa kurorën e mbante në kokë. Afër tij ishte ulur  mbretëresha, Melisa, pastaj Patriarku, Danillo dhe kryeprifti Mihail. Në anën e majtë ishin ulur, Vuk Brankoviqi, dhëndri i Mbretit, pastaj Ilija Kosanoviqi, Plaku Bogdan i Jugut të Maqedonisë, Krajmir Vojvoda, Milan Toplica, Prijësi  Vukotiq i Bosnjës e të tjerë.

Në anën djathtë, ishte ulur dhëndri i dytë i Llazarit  Gjergj Ballsha i Dytë, Gjon Kastrioti, Ivan Palishi i Kroacisë,  Tvrtko Kotromaniqi, Konstandin Uglesha, dy bijtë e rinj të Llazarit, pastaj ishin vendosur dy karrige të zbrazëta për dy  vasalët e Turqisë, Konstandin Dragoshi e  Marko Kraleviqi, të cilët kishin premtuar se do të luftonin kundër turqve, por nuk kishin arritur në Fushën e Kosovës, duke pritur të mësonin se kush kishte fituar luftën. Po ashtu në këtë radhë ishte ulur edhe Mojsi Arvanitasi me dy vëllezërit dhe krejt të fund fare, fill i vetëm ishte ulur  Mirosh Danai, i quajtur nga serbët,   Millosh Kopiliqi.

Sapo kishte perënduar  dielli prapa maleve të Qyqavisë, mugëtira e ditës së përvëluar nga nxehtësia dhe vapa e padurueshme kishte lëshuar puhiza të ajrit  të nxehtë, që shpërndahej bashkë me pluhurin e ditës,  të ngritur lartë nga rrugëtimet e qindta mijëra njerëzve  nga të dyja kampet. Një pluhur aq i dendur  dhe me një erë të rëndë  sa vështirësonte edhe frymëmarrjen,  por edhe  pamjen e terrenit.

Pasi ishte konstatuar se të ftuarit kryesorë ishin të pranishëm, në takimin e fundit para fillimit të luftës me turqit, fjalën e kishte marrë, Mbreti Llazar.

Ai ishte ngritur nga froni kishte ngritur dollinë e parë, në gotën e arit. Atë e kishte ngritur për brezat e parë, pastaj për plakun Bogdan të Jugut me nëntë bijtë e tij, pastaj për Vuk Brankoviqin, Kosaniq Ivanin, Millan Toplicën e të gjithë trimat që sipas tij ishin të gatshëm të luftonin dhe të vdisnin qysh në mëngjes për Mbretin e tyre. Secilit prej trimave  u kishte përmendur e lavdëruar nga një mëritë të veçantë, por nuk kishte përmendur asnjë nga emrat e aleatëve, edhe pse ata ishin të pranishëm madje në radhët e  para,  krejt afër tij.

Pastaj  kishte thënë se nëse do ta pinte gotën për trimëri, atë do të pinte për Millosh Kopiliqin, por jo për nderin e besnikërinë e tij dhe  iu kishte drejtuar me fjalët:

– Me shëndet Millosh, me besë dhe i pabesë!.

– Ti nesër do të më tradhtosh në Fushë të Kosovës!.

– Ti, do t’i bashkohesh Sulltan Muradit!.

Të gjithë prijësit kishin shikuar  nga Mirosh Danai, duke pritur se si do të reagonte pas akuzës për tradhti, nga vetë mbreti.

Miroshi ishte ngritur në këmbë i veshur me rroba kalorësie, me flokët lëshuar përposh pa helmetë në kokë dhe iu kishte drejtuar Mbretit e të pranishmëve:

– Të faleminderit ty o mbret Llazar, për bekimin e trimërisë të cilën duket se ma pranon, por nuk të falënderoj për fjalët që m’ i the, dhe për akuzën e pabazë me të cilën po kërkon të më poshtërosh, këtu  në prani të të gjithë princave.

– Ju me prijësit tuaj më keni detyruar të shkoj te Sulltani,  sepse nuk na keni pranuar gjuhën, besën e traditën tonë, sepse keni nxjerrë ligje që na trajtojnë si kafshë e jo si njerëz. Ma keni vrarë babanë, prijësin më besnik të Mbretit Dushan, vetëm që  të mos arrinte t’ ia thoshte me gojën e tij Papës, në Avinjon sesi jeni sjellë  me ne. Keni helmuar edhe mbretin Dushan, sepse donte të lidhej  me Papën për një kryqëzatë të përgjithshme kundër Turqisë, dhe në krye të saj ai të emërohej kapiten i luftës.

Na keni vrarë e na keni plaçkitur, na i keni dhunuar gratë e nuset tona, na i keni ndarë dysh me shpatë fëmijët tanë, vetëm sepse nuk flasim gjuhën tuaj dhe nuk u bindemi zakoneve tuaja. Mbreti Juaj, Dushan kishte nxjerrë një ligj që lejonte zhigosjen në fytyrë e trup. Në Zakonikun e drejtësisë suaj  që keni vënë në vend të Biblës shkruan:  “I za jeres latinskuju; shto su se obratili hristijani va azamistvo, da se vazvrate va hristijanstvo. Ako li se kto obrete prečuv i ne vazvrativ se va hristijanstvo, da se kaže kako piše u zakoniku svetih otac. I kto se obrete jeretig, žive va hristijaneh, da se žeže po obrazu i da se prožene; kto li ga ima tajiti, i trazi da se žeže”. (Në rast se gjendet një klerik latin që përpiqet ta konvertojë një të krishterë (ortodoks) në besimin latin, ai do të dënohet me vdekje…”. “Në rast se gjendet një besimtar latin që është martuar fshehurazi me një grua ortodokse, ai duhet të pagëzohet sipas mënyrës ortodokse, e në rast se nuk dëgjon të pagëzohet, atij do t’i merret gruaja, fëmijët e shtëpia, do të katandiset në mjerim e do të detyrohet të emigrojë…”). Dhe kjo është vetëm njëra nga zezonat që na keni bërë, në emër të ligjit tuaj që nuk njeh as mësimet elementare të Biblës.

Në muajt e fundit,  derisa po përgatiteshim për luftë, pesë fshatrat tona ia falët dhëndrit Brankoviq si miraz për  bijën tuaj, Marën. Krimet që i keni bërë popullatës sonë janë të panumërta dhe nuk kemi kohë t’i themi të gjitha sot e këtu.

Është Ati ynë i madh në qiell,  i cili qysh nesër do t’ i  ndëshkojë të gjithë për krimet që i kanë bërë. Nesër do të jetë ferri i kësaj bote dhe shumë prej nesh, nuk do të shihemi më kurrë për së gjalli.

Unë nuk jam tradhtar i fesë dhe këtë do ta dëshmoj nesër, sepse vetëm unë jam ai që do të futem te çadra e Sulltanit. Ju nuk mund të arrini as te balli i vijës luftarake, sepse unë e njoh Sulltanin dhe ai më njeh mua.

– Të njeh sepse je tradhtar, je turk, kishte bërtitur, Vuk Brankoviqi dhe kishte nxjerrë shpatën nga mielli, por Llazari kishte kërkuar të dëgjohej, Mirosh Danai dhe të mos i merrej fjala.

– E ke nxjerrë atë shpatë edhe njëherë tjetër kundër meje, por është ky Mbreti Llazar që ta ka shpëtuar kokën dhe të ka bërë dhëndër, por Mbreti nesër do ta kuptojë dhe do të bindet vetë se çfarë njeriu të pa besë i ka besuar. Nesër do të duhet shpata, nëse ta mbanë të luftosh. Ti je ai që do ta pranosh vasalitetin dhe nuk do të futesh fare në luftë, iu kishte drejtuar Brankoviqit. Ky tjetri, kishte drejtuar dorën nga Gjergj Ballsha, do të ikë nga fusha e betejës, sepse asnjëherë nuk ka luftuar kundër turqve dhe nuk e merr  me mend  si bëhen ata një me erën, kur sulmojnë.  Unë dhe vetëm unë jam ai që mund të ia marr shpirtin, Sulltan Muradit, kishte thënë dhe ishte larguar nga Kuvendi.

Duke parë përçarjen dhe duke iu besuar fjalëve të Mirosh Danait, Mojsi Arvanitasi me dy vëllezërit ishin larguar nga darka dhe iu kishin bashkuar Miroshit, për të cilin kishin dëgjuar, por e kishin parë për herë të parë.

Sapo kishte zbritur nga kështjella e rrënuar e Pirustinëve, kishte parë vëllanë, Fitoshin Gjin Muletën, Gjergj Alpushin dhe pesë kalorës të cilët e kishin pritur  në vendin e caktuar paraprakisht.

– Ke të fala  bese e nderi nga Thanas Arianiti, prijës Mirosh Danai. Kemi ardhur me porosinë e tij, si truproja besnike, dhe  tash po e kuptojmë se qenkeni i rrezikuar nga të dyja anët. Unë jam Miftar Zenebishi, apo Dimitri, ushtari i Thoma Mavrotit. Këtu kemi sjellë edhe një dervish plak, të cilin e morëm në rrugë, meqë kërkonte të mësonte ku ndodheshit ju, pasi edhe ky ka një porosi, por jo nga Edreneja.

– Mirë se keni ardhur vëllezër të mi. E dija se Thanasi nuk do të më linte vetëm. Po ku ndodhet ai, ke ndonjë lajm?.

– Prijësi Bajazid, sado që i do, nuk lejoi që ata të vinin në ekspeditën tonë, me arsyetimin se ata duhej ta ruanin Pallatin, bashkë me prijësin Orhan  dhe  së bashku me bostanxhinjtë e tjerë, në mungesë të Sulltanit.

– Po ku është dervishi që keni sjellë?

– Ja atje po kryen lutjet e mbrëmjes. Ne po shkojmë në kamp dhe po iu bashkohemi forcave tuaja. Kemi nevojë të çlodhemi nga rruga e gjatë që kemi bërë.

Sapo ishin larguar të gjithë dervishi me mjekër të bardhë e kishte përshëndetur prijësin Mirosh, me dorë në zemër, pastaj kishte bërë kryq. Edhe pse nuk ishin parë disa vjet, Miroshi e kishte njohur Damjanusin dhe aq  shumë ishte gëzuar sa i dukej që zemra do t’ i dilte nga vendi.

– O At i nderuar, të falem o Zot, që qenke ndër të gjallët dhe që je lajmëruar në çastin më vendimtar të jetës sime. Po më duket se qielli është hapur të më përpijë. E kishte shtrënguar aq fort në kraharor sa i kishte shkaktuar edhe dhembje, Damjanusit  asokohe 78-vjeçar.

Miroshi me Damjanusin ishin nisur drejt çadrës. Ai kishte kërkuar nga rojat ta ftonin edhe Fitoshin,  Bdek Zografin, Gjin Muletën dhe Mojsi Arvanitasin.

Pasi ishin përshëndetur të gjithë dhe kishin shprehur gëzim pa masë me ardhjen e Damjanusit, njeriut aq të nderuar e të respektuar, fjalën e kishte marrë i sapoardhuri.

– Bijtë e mi, nuk kam moshë për rrugë të gjata, por nuk munda pa ardhur, edhe pse ka një muaj që jam nisur me një grup dervishësh, nga të cilët u ndava tinës sapo i pashë kalorësit që kërkonin të mësonin vendqëndrimin Tuaj. E njoha dhe më njohu ushtari besnik i Toma Mavrotit. E di se është një natë vendimtare, por sonte, prej shumë nga ju gjumë nuk ka, andaj, hani e pini me masë në mënyrë që të jeni të përgatitur për betejë, varësisht nga zhvillimet e ditës së nesërme.

– Nuk jemi në ballët të betejës o Ati ynë. Ata kanë shprehur hapur dyshimin dhe është fat që kemi një situatë të tillë kritike, sepse do të më sulmonin të gjithë, veçmas Brankoviqi dhe Balsha. Por nga frika se do t’ i bashkohesha ushtrisë së Muratit ata janë tërhequr, mirëpo po na mbajnë në shënjestër dhe kudo kanë futur njerëz të tyre për të mësuar lëvizjet tona, thotë Mirosh Danai.

– Pse është ky dyshim aq i madh o kapedan, kishte pyetur Mojsi Arvanitasi. Të gjithë të krishterë jemi dhe po luftojmë në mbrojtje të vendeve tona, jo për të pushtuar të tjerët.

– Nuk i njihni rrethanat te ne o vëlla Mojsi, iu  kishte  përgjigjur Bdek Zografi. Ne përveç fesë nuk kemi asgjë të përbashkët me rashjanët, këta serbë e sllavë, të cilët ka afër dy shekuj që kanë pushtuar trojet tona dhe nuk na trajtojnë njerëzisht, por kanë nxjerrë edhe ligje për të na sunduar e për të na  poshtëruar. Këta na vrasin kudo ku na gjejnë të ndarë, na dhunojnë femrat, na i vrasin tinëz fëmijët, janë njerëz të ligj, por ja që sot na ka bashkuar një rrezik tjetër edhe më i rëndë.

– Sapo kam dëgjuar prijësin Mirosh se çfarë i tha  Mbretit Llazar, unë me dy vëllezërit e mi  dhe të gjithë kalorësit iu kemi bashkuar juve. Sikur na thoni ju, do të veprojmë  kishte thënë Mojsi Arvanitasi.

– Duhet të kemi një të madh kujdes vëllezër, thotë Gjin Muleta. Jemi mes dy zjarresh dhe të dyja na djegin. Ma thotë mendja se kësaj radhe duhet të ruhemi e të mos rrëshqasim. Nëse fitojnë rashjanët, ne të humbur jemi, nëse fitojnë turqit po t iu bashkohemi atyre tradhtarë do të na quajnë…

– Nuk ka fare rëndësi si na quajnë, o bijtë e mi. Ne jemi në rrugën e drejtë të Jezu Krishtit, por nuk mjafton kjo. Edhe këta pushtuesit tanë, në emër të Krishtit na vrasin e na dhunojnë, sepse duan të sundojnë mbi të dobëtit, sepse duan të na bëjnë si vetë. Nesër, meqë nuk na kanë caktuar në ballin e luftës, por na kanë lënë si forcë rezervë, duhet nga dy sy të bëjmë katër e të mos dëmtohemi kot. Dy muaj më parë me “Vëllazërinë tonë të fshehtë”  jemi takuar në Prizrend dhe nga analiza që iu kemi bërë rrethanave duke u mbështetur në njerëzit tanë besnikë, madje duke ditur epërsinë e madhe të forcave turke, të cilat gjatë katër muajve kanë pushtuar pjesën prej Adrianopojës e deri në këtë fushën tonë të bekuar, jemi të sigurt se do të pësojmë një humbje të rëndë dhe të pariparueshme për shumë kohë. Kjo forcë ka mundur mongolët, ka zënë në rrethim Konstandinopojën, ka pushtuar Anatolinë, fiset sasanide.  17 vjet më parë fituan në Marizzë, një fitore spartane, që nuk e kishte pritur askush. Bota jonë në perëndim dhe Papa edhe pse ka ndihmuar me para e me mjete, nuk beson në fitore, andaj edhe nuk i ka dërguar ushtritë e veta. Ajo mori mësim nga humbja në Marizzë. Ai e di se sllavët nuk dinë të luftojnë, dinë vetëm të vrasin, të dhunojnë të bëjnë krime. Edhe principatat e Bizantit nuk pranuan të bashkohen në flamurin e Mbretit Llazar. Vetëm Gjergj Ballsha i Dytë dhe Gjoni i Kastriotëve u bashkuan. Më dhimbset Gjoni se ai nuk i njeh sa duhet rashjanët, ndërsa Ballshajt janë vasalë të pashpallur të tyre dhe kanë miqësi të shumanshme.  Lufta është e humbur vëllezër,   ka mbetur vetëm të derdhet gjaku rrëke, i të gjithë atyre që do të luftojnë. Andaj, kam bërë rrugë të gjatë, dhe kam ardhur me detyrë  për t iu porositur të përmbaheni, të mundohemi ta gjejmë rrugën, e cila do të na dëmtojnë më pak. Nuk është me rëndësi si na quajnë, ata të cilët i njohim kush janë, kishte thënë në fund të fjalës së tij Damjanusi.

– Fjalë me vend o Ati ynë i madh, kishte aprovuar, Mirosh Danai dhe kishte vazhduar. Pasi po shihet se kjo nuk ka për të qenë lufta e jonë dhe nuk do të përfitojmë asgjë, pse atëherë të shkojmë si cjapi te kasapi. Të presim deri atje ku mund ta mbajmë situatën në duart tona.

– Nëse situata që do të zhvillohet nesër do të kërkojë diçka tjetër nga ne, unë propozoj ta ruajmë krahun e Gjon Kastriotit, kishte shtuar Mojsi Arvanitasi.

– Ai është radhitur me Brankoviqin  e Ballshën, ata sipas të gjitha gjasave nuk do të futen fare në luftë. Por edhe unë pranoj ta mbështesim Gjonin nëse rrezikohet të humb kokën ai apo trupat e tij, kishte përmbyllur Kuvendin e asaj nate, Mirosh Danai.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …