Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës, lidhur me akuzat e ish-kryeminstrit, Sali Berisha kundër Ambasadores Yuri Kim, e cila sipas tij, po sillet si guvernatore në Shqipëri dhe se mbështet kryeministrin Edi Rama, tha se “Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara kundër ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar”. Ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe ka zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë. Shtetet e Bashkuara, i vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëdhëniet tona, i mbijetuan komunizmit falë angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë thuhet mes tjerash në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.