Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se takimi i delegacionit amerikan me atë rus në Riad të Arabisë Saudite, ka përfunduar pas katër orësh. Yuri Ushakov, këshilltari për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i suksesshëm. Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, sipas agjencive shtetërore të lajmeve në Rusi. Ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin. Pala amerikane ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë. Pala ruse, ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me Amerikën.
