Në raportin e Departamentit Amerikan për Kosovën është përmendur shkarkimi i Valdete Dakaj nga presidentja Vjosa Osmani, si dhe kritikat e hapura ndaj saj para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021. Shkarkimi kishte ndodhur më 14 qershor, ndërsa 11 organizata civile e cilësuan atë si shkarkim politik. Të gjitha këto zhvillime janë përmendur në raportin e DASH-it. Në raport shkruan: “Më 22 janar, përpara zgjedhjeve të 14 shkurtit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për të mohuar certifikimin e kandidatëve të çdo partie me një dënim penal në tre vitet e fundit, në përputhje me ligjet që rregullojnë përshtatshmërinë e fushatës. Të nesërmen, presidentja e atëhershme Vjosa Osmani e kritikoi këtë votim në një deklaratë publike. Më pas, më 14 qershor, presidentja Osmani shkarkoi kryetaren e komisionit zgjedhor Valdete Daka për gjoja se ka vepruar në mënyrë që ka cenuar rëndë pavarësinë dhe integritetin e komisionit. Njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile së bashku e quajtën vendimin e Osmanit të motivuar politikisht dhe në raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së theksohej “Vendimi i Presidentes së Kosovës për shkarkimin e ish-kryetares së komisionit zgjedhor më 14 qershor, katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve komunale, nuk ka mundur të arsyetohet në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit dhe as me arsyet e renditura në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Veçanërisht, të dyja vendimet shihen nga partitë opozitare dhe shoqëria civile si të motivuara politikisht”, thuhet në raport.