Dashnim Hebibi: Përurohet monografia e SH.H

Kryesia e Shoqatës Humanitare “Medvegja”, me qendrën e saj në Fully të Zvicrës, bashkë me anëtarët e saj, pas Medvegjës, Prishtinës, Fully, Brukselit e Berlinit, ditë më parë, monografinë: ” 30 vjet në shërbim të kombit”, që pa dritën e botimit para disa muajve, e promovuan edhe në kryeqendrën e shtetit mik të kombit tonë Kroacisë, në Zagreb, ku ishin mbledhur shumë veprimtarë e bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare. Falë organizimit të shkëlqyer të Klubit të Femrave Shqiptare të Kroacisë “Mbretëresha Teuta”-Zagreb, e në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore Shqiptare të Kroacisë “Shkëndija” dhe me përkrahjen e Ambasadave të Shipërisë dhe Kosovës, u promovua kjo monografi me një domethënie të veçantë, ku në çdo flet të kësaj monografie, argumenton, se edhe mërgata shqiptare e Medvegjës, nuk është ndalur në situata të ndryshme për të mirën e Kosovës dhe të të githa trevave shqiptare. Zonja Shenida Bilalli, veprimtare e palodhur, me një organizim shembullorë, që nuk kemi mësuar fatkeqësisht ta shohim edhe diku tjetër, ishte munduar me shpirt, që të del sa më mirë, duke ftuar personalitete e veprimtarë të ndryshëm, që janë në Zagreb e në tërë Kroacisë dhe ja kishte dalur. Gjithçka, ishte për mrekulli. Klubi i Femrave Shqiptare në Kroaci, me një përvojë të gjatë të jetës kulturore në Kroaci, dëshmoi edhe njëherë, se përvoja profesionale e bënë të veten.

Kryesia e Shoqatës në përbërje nga Zenel Neziri kryetar, Fadil Selmani sekretar, Ismet Selmani ish kryetar, Rexhep Selmani anëtarë, Sabit Hyseni anëtarë, Zymer Selmani anëtarë, u mirëpritën, si është më së miri nga organizatorët. E së bashku me kryesinë e shoqatës, ishin edhe autorët e monografisë Dr.sc.Llukman Halili dhe Mr.sc.Dashnim Hebibi. Klubi i Femrave Shqiptare të Kroacisë „Mbretëresha Teuta “- Zagreb, Shoqata Kulturore Shqiptare e Kroacisë “Shkëndija”-Zagreb dhe me përkrahje të Ambasadës se Shqipërisë dhe të Kosovës në Republikën e Kroacisë, bënë të mundur, që veprimtarët medvegjas, që përveç të flasin për punën e tyre humanitare, që e kanë bërë ndër vite, të bashkëbisedojnë edhe me shumë veprimtarë, që ishin prezent për situatën aktuale në Medvegjë e me rrethinë.

Ashtu, edhe si ishte parapa nga organizatorët, promovimi filloi në orën 18.00, në qendër të Zagrebit në Qendrën Kulturore Informative. Zonja Shenida, e cila gëzon autoritet të madh në Zagreb e në tërë Kroacinë, ishte përkrahur edhe nga shumë veprimtarë të tjerë, për të nderuar medvegjasit në këtë promovim. Atëherë, edhe kur pritej, që të filloj ky eveniment i madh kulturorë, u pa duke ardhur edhe Prof.dr.Zef Mirdita, i cili edhe pse në moshë të thyer, deshti, që ti nderoj medvegjasit, ata vëllezër të një gjaku, gjuhe e flamuri. Zef Mirdita, ishte i shoqëruar nga i biri i tij dhe me plot emocione, iu drejtua musafirëve, që kishin ardhur nga Zvicra, për ti përshëndetur dhe për ti përqafuar, ashtu, si e do zakoni ynë shqiptarë. Edhe nga të pranishmit e tjerë, që kishin ardhur për të përcjellur këtë promovim, e përshëndetën profesorin e nderuar. Atëherë, kur ishte gjithçka gati edhe zonja Shenida për pak çaste bashkëbisedoi me z.Vedat Zogejani, i cili poashtu, ishte angazhuar shumë, që të del sa më mirë ky eveniment kulturorë, e filluan promovimin.

Në sfond shihej, mbretëresha Teutë, ndërsa në rend të parë ishin të ulur, Ambasadori i Shqipërisë z.Pëllumb Qazimi dhe Ambasadorja e Kosovës zonja Shkendije Geci – Sherifi, zëvendësja e kryetarit të Zagrebit zonja Merdita Agai. Të pranishëm të tjerë ishte edhe Gjeneral Skender Hoxha, së bashku me ushtarakun e FSK-së Qazim Gllareva. Vlenë të përmendet, se të gjithë të pranishmit, ishin veprimtarë të dëshmuar, si Zef Kaçinari, Frrok Prek Palaj, Sejfedin Prekazi dhe shumë të tjerë.

Promovimi u hap nga grupi vallëzues ” ILIRE “, të cilat prezantuan performancën e “Teuta ” me melodinë “Baresha”, të kompozitorit Rexhë Mulliqi, me koreografi nga regjisorja Shenide Bilalli. Ndërsa, në shqip dhe kroatisht, e moderuan manifestimin, studentët shqiptarë të Zagrebit, Gentijana Fana dhe Edmond Mullajupi, të cilit shkëlqyen. Më pastaj fjalën e mori edhe organizatorja, njëherit moderatorja, regjisorja e njohur e dokumentarëve në Kroaci dhe redaktorja e revistës “Illyria”, pra zonja Shenida Bilalli, e cila ndër të tjera potencoi: ” Kam nderin dhe kënaqësinë, që t`ju përshëndes, që të gjithëve dhe të falënderoj edhe kryesinë e shoqatës, e cila na ka besuar, që të organizojmë këtë monografi, shoqatë, sipas burimeve tona, që i kemi siguruar, ka ndihmuar shumë Kosovën dhe çdo trevë shqiptare, edhe ate pa u ndalur asnjëherë, për tre dekada me radhë. Dua që t`ju njoftoj, të nderuar të pranishëm, se ka disa arsye, pse pranova, që të jem bashkëorganizatore e këtij promovim libri, kryesisht, se e njoh mikun tim Dr.sc. Llukman Halilin, si gazetar të njohur nga TV Prishtinës, e njëherit ishte edhe student i Zagrebibit, anëtar i ” Shkëndisë “, si dhe i përkiste brezit të studentëve shqiptarë në Zagreb. Falënderoj edhe sekretarin e Shoqërisë “Shkëndija” z.Vedat Zogianin dhe kryetarin Behar Mullajupin, të cilit pa prites, pranuan të organizojmë këtë promovim libri, kur është në pyetje Medvegja, ajo tokë shqiptare. Zonja Shenida, me modesti, ia dha fjalën, Prof.dr.Zef Mirdita, i cili me shumë emocione përshëndeti të pranishmit dhe me lot në sy kujtoi Medvegjën ate tokë Dardane.

Prof.Zefi, duke ju dridhur buza, potencoi, se ajo tokë shqiptare, nuk është ashtu si duhet të jetë. Kemi informacione të mjaftueshme, se në çfarë gjendje është, por ne nuk do ta harrojmë dhe pa asnjë dyshim, se ato toka janë shqiptare. Kujtoj edhe mikun tim të madh Akademikun Idriz Ajeti, me të cilin kemi bashkëpunuar shumë dhe padyshim, se është përmendur edhe vendëlindja e tij dhe e tërë Medvegja.

Organizatorët i përgëzoj për këtë punë të shkëlqyer, që e kanë bërë, ndërsa kryesisë së Shoqatës Humanitare “Medvegja”, i dëshiroj, që edhe në të ardhmen të jenë të bashkuar nëmes veti, të mos thehen. Paskeni bërë një punë vërtet të madhe. Monografia e tregon, se paskeni ndihmuar shumë, ju lumtë. Ndërsa autorëve i uroj, që të mos ndalen dhe ju lumtë për punën që e paskan bërë”. Pas fjalëve të profesorit Zef, fjala iu dha edhe autorëve Dr.sc.Llukman Halili dhe Mr.sc.Dashnim Hebibi, të cilët në pika të shkurtërta njoftuan të pranishmit për punën që kanë bërë në këtë monografi, kryesisht, kanë mbledhur materiale që kanë pasur kryesia ndër vite dhe shkrime nëpër media të shkruara dhe i kanë publikuar ashtu si ishin.

Me një fjalë, monografia është shkruar, thanë autorët nga veprimtarët medvegjas, e konkretisht nga kryesia aktuale e shoqatës dhe kryesive të kaluara, sepse ata kanë ruajtur dokumente të vlefshme, që janë krejt me data, prandaj, janë marrur këto fakte dhe janë skanuar e më pastaj janë plasuar. Autorët thanë, se në manifestimet e medvegjasëve në Zvicër, ishin dhe marrin pjesë gjithmonë personalitete të larta zvicerane, kryetar partish me ndikim në qeverinë zvicerane, ministra, deputet, kryetar komunash, drejtorë shkollash, e shumë zviceranë të tjerë, pa përjashtuar edhe elitën e politikës shqiptare, qoftë ajo nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia.

Me mbështetje të madhe për organizatorët e këtij promovimi dhe për autorët e monografisë, siç thamë edhe më lartë, është bashkuar edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci Pëllumb Qazimi, i i cili uroi autorët e monografisë për këtë punë të madhe, që e kanë bërë dhe pastaj edhe pëfaqësuesit e Shoqatës Humanitare “Medvegja”.

Ambasadori i Shqipërisë, tha, se është i informuar me situatën në Medvegjë e në përgjithësi në Luginë të Preshevës dhe shpreson, se edhe atje, do të bëhet mirë. Medvegja, ishte shqiptare dhe, do të mbetet shqiptare, pavarësisht situatës atje. Ndërsa juve të shoqatës, ju uroj shumë shëndet e suksese në të gjitha sferat. Shoqata juaj, nuk është ndalur asnjëherë, jemi informuar nga mediat tona të shkruara dhe ato vizuele. Kisha dashur, që të jeni bashkë, kështu siç po ju shobh, kryetar e ish kryetar, e këtu shoh, se suksesi nuk do ju mungoj. Diaspora shqiptare, ka pasur, ka dhe do të ketë veprimtarë, nuk është ndalur asnjëherë, prandaj, padyshim, se do të mbeteteni gjithmonë të nderuar”. Të pranishmit i përshëndeti edhe ambasadorja e Kosovës në Kroaci, zonja Shkëndija Geci – Sherifi, e cila tha: ” Në mënyrë të veçantë, jam e lumtur, që intelektualët shqiptarë dhe të gjithë të tjerët nga diaspora shqiptare, janë shumë aktivë dhe me kënaqësi të posaçme mbështes angazhimin e tyre, për promovimin e vlerave dhe traditave shqiptare përmes fjalës së shkruar  Një fakt më lenë shumë përshtypje edhe puna që kanë bërë autorët, të cilët, gjithë këtë monografi e kanë përgaditur, pa asnjë kompenzim monetarë.

Medvegja, ajo tokë shqiptare, padyshim, se pret mbështetje nga të gjithë. Një është e sigurt, se nuk harrohet ajo trevë shqiptare. Veprimtarët medvegjas, ju të nderuar mërgimtarë, keni bërë shumë për të mirën e Kosovës edhe në monografi shihet kontributi juaj. Edhe shumë shoqata të tjera kanë vepruar në gjithë diasporën, prandaj, mërgimtarët mbeten shumë të respektuar, sepse ka sakrifikuar shumë për atdheun”.

Kryetari i Shoqatës Humanitare “Medvegja” z.Zenel Neziri, pasi përshëndeti organizatorët, përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe profesorin e nderuar Zef Mirdita. Z.Neziri, falënderoi edhe për përkrahjen e kryesisë së shoqatës dhe anëtarëve, të cilët, në çdo kohë, janë afër dhe janë unik nëmes veti. Ai ndër të tjera shtoi: ” Është kënaqësi të nderuar të pranishëm, që ne sot, kemi edhe pasaportën tonë, pasaportën e shoqatës, ku nuk jemi ndalur në asnjë kohë, aty ku është kërkuar ndihma jonë. Edhe kryesitë e kaluara, por edhe kjo që jam duke e udhëhequr, kanë sakrifikuar shumë për të mirën e atdheut. Jemi munduar, aq sa kemi pasur mundësi.

Thuajse, që të gjitha i kemi të pasqyruara në këtë monografi, që falë disa afaristëve medvegjas, e botuam dhe kjo do ti mbetet gjeneratave të reja. Pra, monografia është realizuar, jo nga buxheti i shoqatës, por nga afaristë, që i përshëndes edhe njëherë nga zemra. Ajo që shkruhet nuk harrohet, prandaj, është shkruar, ajo që e kemi poseduar në kryesi, pra ate dokumentacion, si dhe foto, që kemi mbledhur nga ata, që kanë përcjellur aktivitetet tona. Padyshim, se falënderoj edhe shtëpinë botuese, autorët, lektorin, radhitësinë e librit e të gjithë, që kanë kontribuar në forma të ndryshme, që të kemi monografinë.

Pas Medvegjës, Prishtinës, Brukselit e Berlinit, erdhëm në mesin tuaj, duke e ditur, se edhe mërgata shqiptare në Kroaci ka dhënë shumë për të mirën e tokave shqiptare. Erdhëm, që të bashkëbisedojmë edhe për Medvegjën, pse jo të marrim ndonjë fjalë të mirë, ndonjë ide për të mirën e asaj Medvegje, që ishte shqiptare, por tash më, ka mbetur në duart e dikujt tjetër, me një numër të vogël të banorëve.

Nuk dua të ndalem të flas me politikë, sepse jemi në promovim, por dua që të theksoj edhe njëherë, se atje është një situatë e brishtë. Kemi punuar e do të punojmë për të mirën e Medvegjës. Ka ardhur koha, që ti kthehemi më shumë Medvegjës, sepse sinqerisht, më së paku kemi punuar për Medvegjën, ishin ato situata që ishin, që të gjithë i dijmë. Edhe nga ky vend, ju drejtohem juve të nderuar motra e vëllezër dhe të gjithë atyre, që do të dëgjojnë dhe e dijnë, se Medvegja është diku, që të ndihmojnë këtë tokë shqiptare në forma të ndryshme. Zoti e bekoftë popullin shqiptarë dhe gjithë miqtë e saj. Të mos e harrojmë Medvegjën, se edhe Medvegja është kuq e zi”.

Fjala iu dha edhe sekretarit të shoqatës z.Fadil Selmani, i cili me disa fjalë elaboroi për punën që ka bërë shoqata humanitare dhe me disa fjalë edhe për situatën në Medvegjë.  Ai përshëndeti edhe organizatorët, dhe të gjithë të pranishmit. Z.Selmani, përmendi edhe manifestimet, që i organizon shoqata brenda një viti, pastaj turnirin e futbollit dhe raportet e shkëlqyera, që i kanë me thuajse të gjitha shoqatat që veprojnë në Zvicër. Ai nënvizioi, se shoqata, siç dihet nuk është politike dhe gëzon autoritet nga të gjithë, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Luginë të Preshevës. Për situatën në Medvegjë, nuk do të ndalem, sepse kam besim, se të gjithë jeni të njoftuar.

Sa i përket monografisë, është bërë një punë shumë e madhe, e këtë e vlerësojnë elita intelektuale shqiptare. Është krejt e natyrshme, se ndoshta ka mbetur edhe diçka të shtohet, megjithate, vjenë ribotimi, e ku do të kemi mundësi, që ti pasqyrohen. Kurrë nuk mundemi të themi, se krejt është përfshirë, sepse shoqata nuk është ndalur për as një ditë.

Tek ne, kemi pasur bëmirësi dhe vetëm bëmirësi. Raportet tona janë të shëndosha edhe me shtetin mik të kombit tonë Zvicrën. Të mos vonohemi për Medvegjën, duhet punë konkrete”. Me disa fjalë, edhe veprimtari Ismet Selmani, ish kryetar i shoqatës dhe njëherit, anëtarë besnik i shoqatës, foli disa fjalë në përgjithësi për Medvegjën, për pozitën e atyre trevave shqiptare, duke ia bërë me dije të gjithë të pranishmëve, se situata është emergjente dhe duhet, që shteti shqiptarë dhe ai i Kosovës, të mos na lëjnë anash. Serbët, gëzojnë në Kosovë të gjitha të drejtat, e ne jemi në një situatë mjerimi. E mira e të mirës, është që edhe faktori ndërkombëtarë, të angazhohet më shumë në këtë pjesë të shqiptarisë, që ka mbet në mëshirë të kohës. Që të bëhet e mundur, të kthehen ata banorë që iu larguan Medvegjës. Ajo Medvegjë është mrekulli, vetëm perendia ka ditur ta bëjë ashtu si është. Shoqata, ka qenë dhe është zëri i fuqishëm për Medvegjën dhe ne edhe në të ardhmen, brez pas brezi, nuk do të pushojmë për vendin tonë, për vendin e të parëve”.

Me disa fjalë, i përshëndeti të pranishmit edhe gjeneral Skender Hoxha, i cili përgëzoi për këtë punë të madhe që ka bërë shoqata. Gjithashtu, monografinë e vlerësoi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shpreson, se Medvegja, Bujanoci dhe Presheva, nuk do të jenë të harruara, sepse nuk harrohet një pjesë e trupit. E dijmë, se si është situta atje, por, kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë, se janë jetima”. Në fund të këtij evenimenti kulturor, autorët e monografisë dhe kryesia e shoqatës, edhe njëherë, iu drejtuan që të gjithëve, që të ndihmohet Medvegja. Kjo shoqatë për tre dekada ndihmoi Kosovën dhe nëpër shumë toka të tjera shqiptare, prandaj, ka ardhur momenti, që ti ndihmohet tash Medvegjës. Kryetari i Shoqatës Humanitare “Medvegja”, z.Zenel Neziri, ia dorëzoi nga një monografi zonjës Shenida, Profesorit Zef Mirdita dhe shumë të tjerëve. Më pastaj u shtua edhe një koktej. Sekretari i Shoqatës Kulturore “Shkëndia”, z. Vedat Zogjani, u falënderua disa herë nga kryesia e shoqatës dhe autorët, e së bashku edhe zonjën Shenida, që bënë të mundur, që zëri i Medvegjës të dëgjohet edhe në mes të Zagrebit. Pas Zagrebit, kryesia e shoqatës, me anëtarët e saj, do të promovoj monografinë edhe nëpër qendra të tjera europiane, por edhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni dhe në Preshevë e Bujanoc.

Komisioni për informim i SHH “Medvegja”, Fully, Valis

Legjenda e fotove: Pamje nga promovimi i Monografisë së Shoqatës Humanitare “Medvegja” : “30 vjet në shërbim të kombit”

(Dashnim Hebibi)

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …