Daut Gumeni: Kur Këshilli i Evropës ka kohë edhe për përralla

 


Si për të ngushëlluar disi dështimin e bashkë-atdhetares së tij për kapjen e kriminelëve të luftës, që e mbollën territorin e ish-Jugosllavisë me varreza masive, në këtë prag të festave të fundvitit një reporter i Këshillit të Evropës, që i paska merak të veçantë të drejtat e njeriut, hodhi në tregun e politikës botimin e dytë të librit të znj. Karla del Ponte, “Përralla e Shtëpisë së Verdhë”… Që t’i vijë aq keq z. Dick Marty për dështimin e bashkatdhetares së vet në kapjen dhe nxjerrjen përpara drejtësisë ndërkombëtare të autorëve të gjëmës jugosllave, gjëmë që gjymtoi mbarë popujt e ish-Jugosllavisë, përfshi dhe vetë popullin serb, kjo do përgëzuar nga të gjithë. Por kur, në vend që të tregojë se si të mos dështojë më tej drejtësia ndërkombëtare në kryerjen e detyrës së saj të vështirë, na hedh në tregun e politikës të njëjtën përrallë, me shpresë se në prag të kryevitit do të shkojë më shumë se botimi i saj i parë, kemi drojë se kjo tregon më shumë që z. Dick Marty i vjen keq më tepër për dështimin e përgjakshëm e të turpshëm të asaj sajese të panatyrshme politike të Evropës së dikurshme koloniale, siç ishte ish–Jugosllavia.>>>


 


Ndryshe si ta shpjegojmë zellin e madh që tregon z. Marty për të akuzuar të gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë popullin e Kosovës, e madje të gjithë shqiptarët kudo që janë, se nuk na qenkan “aq civilë e paqësorë sa serbët” e tij “të pafajshëm”, mania perandorake e të cilëve dogji e përgjaku treva e popuj të tërë në këtë gadishullin tonë, të vuajtur e të gjymtuar sa nga sëmundjet e veta, edhe nga eksperimentet që kanë bërë me të fuqitë e mëdha të Evropës sonë?…


 


Se ky lloj reporteri i përcolli gjithë gëzim Këshillit të Europës (dhe ky ia miratoi në mënyrë unanime!) të gjitha të thënat që kishte vjelë në Beograd mbi “krimet” e përbindshme jo të një njeriu të vetëm, por të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shqiptarëve të Kosovës, të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të krejt shqiptarëve në mbarë botën(!) Dhe të gjitha këto akuza, ky farë reporteri i Këshillit të Europës i paraqet si të vërteta e në vend të fakteve, “fakte” të mbledhura në zyrat e së vërtetës së njohur të Beogradit për UÇK-në e për shqiptarët, në përpjekjet e emisarëve të asaj politike për të paguar dëshmi të rreme nga 70 000 e deri në 350 000 euro (për këtë, si reporteri edhe të gjithë ata që e miratuan njëzëri “Përrallën e Shtëpisë së Verdhë” të paraqitur me triumf prej z. Marty në vend të provave, le të marrin mundimin të shohin videon përkatëse, ku emisarët e Beogradit kërkojnë të paguajnë dëshmi të rreme nëpër Kosovë) dhe doemos në librin e zonjës Karla del Ponte, që për të mbuluar dështimin e saj në kapjen dhe dënimin e kriminelëve të luftës, mbushi dosje për të dërguar në Gjykatën e Hagës edhe drejtues të UÇK-së, duke vendosur të barazojë kriminelët me viktimat, që nuk kishin qëndruar urtë për të mos i lodhur aq shumë kriminelët…


 


Që në fabrikimin e atyre dosjeve duan të thonë se kanë dhënë një dorë edhe shqipfolës këtej e përtej kufirit tonë, kjo nuk i bën dot të vërteta dëshmitë e rreme, sado bujarisht që të paguhen nga politika e vjetër e Beogradit. Sepse, lëkurëshitur ka pasur e do të ketë gjithmonë në të gjitha vendet e në të gjithë popujt e kësaj bote, por me dëshmitë e rreme të lëkurëshiturve nuk besojmë se kanë kohë të merren dhe institucionet e rëndësishme ndërkombëtare. Ja dhe ta zëmë se u lodh nga dështimet zonja Karla del Ponte dhe nga inati i atyre dështimeve iu kthye dhe viktimave, meqë kriminelët nuk i kapte dot. Deri këtu edhe mund të kërkohen justifikime, se tek e fundit dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare janë të përbëra nga njerëz dhe, si qenie njerëzore, kanë dhe dobësitë e veta. Por kur pas të parës, vjen i dyti me po atë mungesë provash e me po atë mëri ndaj komandantëve trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me po atë mllef ndaj të gjithë shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri e kudo që janë, atëherë jemi të detyruar të ndalemi për të parë mirë se cili do të jetë shkaku i lajthitjes së këtyre përfaqësuesve të nderuar të institucioneve ndërkombëtare. Që orët e politikës së Beogradit mund të mbeten e të tregojnë kohë të shkuara e të paharruara nga viktimat e tyre, kjo nuk habit njeri. Por që të mbeten njëra pas tjetrës “tek ura” e të tregojnë kohë të shkuara edhe orët e miqve tanë nga vendi i bukur i orëve më të sakta të botës, kjo nuk duket më si rastësi e si dobësi e zakonshme njerëzore.


 


Nuk duket aq e natyrshme ta quash merak për drejtësi, e ca më pak për të drejtat e njeriut, këtë “gjueti” legjendash, për t’i paraqitur faqe botës e në institucionet ndërkombëtare përrallat në vend të provave e të fakteve. Se vërtet që është shërbim i domosdoshëm qytetar zbulimi i të vërtetës, ca më tepër zbulimi dhe ndëshkimi i krimeve – dhe në këtë udhë nuk besoj se i ka penguar gjë as njërin nga miqtë tanë zviceranë që të gëzojnë veten e të gjithë neve me rezultate konkrete, por kur dështimin e hetimeve të tyre përpiqen ta mbushin me dosjet e farkëtuara në qilarët e mykur të politikës së vjetër të ujkoviçëve të Beogradit, kësaj i thonë të paktën njëlloj tifoje, që ua dredh dorën aq shumë miqve tanë Ponte dhe Marty, sa, në vend që të godasin mollën e vendosur mbi kryet e djalit, i bien djalit në lule të ballit.


 


Dhe kështu nuk i gjen gjë as kriminelët, as krimin e organizuar dhe trafiqet e tij kriminale, nuk e gjen gjë as mafien që kërkon të sundojë rrugët e trafiqeve të paligjshme. Se paraqitja e përrallave në vend të provave, shpie ujë në mullirin e krimit e të mafies dhe jo në mullirin e drejtësisë. Se miku ynë Marty duhet ta dijë më mirë se ne, që zullumqarë nuk ka vetëm në politikën e Kosovës, e në politikën e Shqipërisë, por ka zullumqarë edhe në politikën e Beogradit e pse jo, dhe në politikën e Europës së Bashkuar. Se sa më shumë njerëz që të marrin pjesë në një organizëm e sa më shumë që të krijohen mundësi pasurimi prej tij, aq më shumë shtohet e fuqizohet dhe specia e zullumqarëve. Apo jo, z. Marty?


 


Se duke paraqitur përralla në vend të provave, fshihen më mirë zullumqarët e vërtetë, kudo që shabakohen me pasurinë e të tjerëve e me pasurinë publike. Dhe ai, si reporter me përvojë në këtë fushë, duhet ta dijë më mirë se shumëkush që zullumqarët e vërtetë në politikë, nuk i sulmon kurrë as politika e vjetër e Beogradit, për të cilën po bën tifo të zjarrtë në raportin e tij z. Marty. Përkundrazi, zullumqarët e vërtetë mezi i ka ajo lloj politike, jo vetëm në Beograd po kudo që është ende në fuqi. Prandaj dhe shpresa e shqiptarëve të thjeshtë, si autori i këtyre radhëve, është që në raportet e tjera z. Marty dhe të gjithë ata që merren me detyra të tilla sa të vështira dhe të domosdoshme për të ruajtur shëndetin shoqëror jo vetëm në vendet e lira e të begatuara nga puna e njerëzve të lirë, si vendi i bukur z. Marty, të paraqesë provat e pastaj të bëjë me to raportet aktakuza të mbështetura në përralla si ajo e “Shtëpisë së Verdhë”.


 


Se me aktakuza politike jemi mësuar në këto anët tona e jemi velur aq shumë me to, sa i shkon kot mundimi dhe reporterit në fjalë të Këshillit të Europës. Nëse ka vërtet një pasion aq të madh për përrallat z. Marty, do ta uronim me gjithë zemër që t’i përvishet mirë shkrimit të tyre dhe do të bëjmë si të bëjmë për t’ia botuar dhe në shqip, qysh në vëllimin e tij të parë.


 


Ndryshe qëndron puna me Këshillin e Europës. Që të merret me përralla një reporter i vetëm i këtij Këshilli aq të lartë e të nderuar, mund të jetë thjesht dhe hobi i tij personal. Por kur edhe Këshilli i Europës paska kohë të rrijë e të dëgjojë përralla me ushtri “xhindesh” e me komandantë “shejtanë” që paskan pushtuar Kosovën e vuajtur, kur Kosovën Veriore e kanë kthyer të tjerë miq të reporterit të Këshillit në limer të krimit të organizuar, një krimi aq të fuqishëm sa i djeg doganat sheshit ditën për diell e në sy të drejtësisë së Europës dhe ato forca të ligjit vetëm sa i fryjnë pluhurit nga shiritat më flamurin e BE-së që mbajnë në krah mbi uniformë; të ketë kohë për të dëgjuar përralla Këshilli i Europës, kur Kosova po dështon në zgjedhje siç ka dështuar Shqipëria dhe kur Shqipëria po katandiset me një shtet hibrid, i bekuar dhe nga miq të pushtetit në Europën e Bashkuar, apo dhe kur vetë liberalizimin e vizave për shqiptarët na thonë ta festojmë me daulle vetëm sepse zyrat e ambasadave janë transferuar në kufi, nga ku kthehen jo një e dy e pesë, por me qindra qytetarë shqiptarë, në vend që dhe për shqiptarët të zbatohet vetëm ligji si për të gjithë qytetarët e Europës, kësaj i thonë që edhe sot e këtë ditë me shqiptarët nuk vepron Europa e lirive, por Europa e vjetër koloniale me moton e saj të njohur edhe nga shqiptarët e varfër: “Buono për Albania!”. Dhe kjo nuk është vepër as e znj. del Ponte e as e reporterit Marty. Nëse është turp për ne kur festojmë me daulle dhe transferimin e zyrave të vizave nga ambasadat në kufi, vështrimi i vjetër që ka Europa për shqiptarët dhe sot e që vetëm sa përshenjet në raportin me përralla të z. Marty, nuk është më pak turp për Europën.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …