leoni

Daut Idriz Zagragja (2.3.1971 – 29.1.1999)

Daut Idriz Zagragja (2.3.1971 – 29.1.1999)

-«Haj medet, na shkuan djemtë e rinj! Kush do të na dalë tash i vrarë !”. – ”Qe besa hiç nuk po më pëlqen ky lajm!”…Ky ishte dialogu i parandjenjës së prindërve të dëshmorit Daut Zagragja, Idrizit e Safetes, atë ditë të acartë janari të vitit 1999, kur në valët e radiostacionit të luftës, Kosova e lirë, dëgjojnë lajmin e rëndë për rënien e 14 luftëtarëve të lirisë e të 8 civilëve, në Rogovë të Hasit. Më 29 janar, Kosova e lirë, programin e vet, në orën 16.00 e hapi me një përshëndetje të pazakonshme për dëgjuesit. Fjalët e folësit: ”Mirëdita dëgjues të dashur, por mirë s’i thonë!…” – paralajmëronin ngjarje të pakëndshme për popullin e Kosovës, i cili po derdhte gjak për liri a vdekje. Ky paralajmërim dridh zemrat dhe shpirtin e mijëra prindërve shqiptarë, anembanë Kosovës, sikurse ua dridh Idrizit e Safetes në Bajë të Pejës, të cilëve, në atë çast nuk u kishte shkuar mendja se në mesin e atyre 14 luftëtarëve të rënë të lirisë do të ishte edhe biri i tyre, Dauti. Fshamjet që atyre ua nxjerr nga thellësia e shpirtit lajmi i Kosovës së lirë, shprehnin dhembjen kolektive që ato ditë të vështira përjetonte populli shqiptar.

Familja e Zagragja nga fshati Drejë e Burimit (ish-Istog), gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore nuk ishte ndarë mirë me banorët e afërt serbë. Ata ia uzurpojnë tokën e frytshme në Zallq, por edhe rrezikojnë jetën e meshkujve të saj, duke vrarë tre prej tyre. I këtij gjiri familjar ishte edhe Idriz Zagragja, babai i dëshmorit Daut Zagragja.

Në vitet 60 të shekullit të kaluar Idrizi me familje, për jetë më të mirë e më të qetë shpërngulet nga Dreja në Bajë të Pejës. Më 2 mars të vitit 1971, familjes së tij i shtohet një anëtar dhe shtëpisë një gëzim, por edhe Kosovës një krismë lirie. Atë ditë, në Bajë lind dëshmori Daut Zagragja.

Që si fëmijë, Dauti shfaq një natyrë të veçantë, mjaft dinamike dhe tërheqëse për njerëzit e familjes dhe për bashkëmoshatarët. Ai kalon një jetë shumë harmonike fëmijërore edhe me vëllanë, Ramën dhe me motrat, Ylfeten e Mirveten. Kjo natyrë e tij do të formësohet dalëngadalë në karakter, i cili do të pasqyrohet gjatë tërë jetës së tij, në shkollë, në punë e në luftë.

Shkollën fillore e kryen në Bajë, pas së cilës regjistrohet në shkollën e mesme teknike të Burimit, në paralelen e Gurrakocit. Pas përfundimit të shkollës së mesme, në vitin 1991 ftohet në shërbimin ushtarak të armatës jugosllave në Kroaci. Në këtë kohë Serbia hegjemoniste, me ndihmën e Armatës Jugosllave e fillon luftën kundër Kroacisë. Kjo luftë sprovon ndërgjegjen e pjesëtarëve të kësaj armate që u përkisnin popujve të ndryshëm. Sidomos ajo sprovon ndërgjegjen e të rinjve shqiptarë të cilët ishin mobilizuar dhunshëm në radhët e një armate që simbolizonte shtypjen shtetërore serbomadhe mbi shqiptarët. Prandaj, tre muaj para përfundimit të shërbimit ushtarak, Dauti ik nga radhët e APJ-së dhe hidhet në radhët e forcave mbrojtëse të Kroacisë, duke u mobilizuar në Gardën e këtij vendi.

Në përfundim të shërbimit në Gradën kroate, shkon në Slloveni, me qëllim që të kalojë në vendet përendimore, e konkretisht në Zvicër te xhaxhai, Ajeti. Me të arritur në Zvicër, një kohë të caktuar bën punë të ndryshme, për të mbajtur veten dhe për ta ndihmuar paksa familjen në Kosovë. Më vonë, nga Zvicra kalon në Gjermani, te xhaxhai tjetër, Brahimi, ku edhe atje punon dhe fiton nga puna e tij. Gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani merret edhe me aktivitete sportive, në kuadrin e një ekipi futbollistik gjerman.

Vitet në Përendim kalojnë njëri pas tjetrit dhe Dauti vazhdon të jetojë me mallin për prindërit, vëllain, motrat e gjithë rrethin tjetër familjar dhe me nostalgjinë për vendlindjen e për gjithë Kosovën. Ai nuk mund të kthehej në Kosovë, sepse si të gjithë të rinjtë e tjerë shqiptarë të cilët e kishin braktisur ushtrinë serbe, ndodhej në regjistrin e personave të ndjekur penalisht. Nuk mund të kthehej në Kosovë, sepse tashmë ishte person jolegal për pushtetin e Beogradit. Nuk mund të kthehej në vendlindje, sepse në Kosovë sundonte ligji i apart’hejdit klasik, ligji i diskriminimit, i asimilimit dhe i shfarosjes së shqiptarëve. Pa të drejtën e kthimit në atdhe, në shpirtin e Dautit rëndonte e dyfishtë pesha e mallit në dhe të huaj, duke mos dalluar nëse ishte më i madh malli për nënën, apo për Kosovën, shumë vjet pa i parë. Kjo ndjenjë nuk e lë të qetë për asnjë çast, prandaj mendja e tij flë te ata dy emra sinonimë e të shenjtë. Në kontakt me qarqe të lëvizjes kombëtare në mërgim, siç ishte Lëvizja Popullore e Kosovës, ai jo vetëm mendon për fatin e Kosovës, por edhe angazhohet konkretisht për ta ndryshuar gjendjen e saj, duke ndihmuar financiarisht organizimin e veprimtarisë kombëtare. Ky angazhim së shpejti reflektohet në familjen e tij, së cilës i pakësohet mbështetja financiare e arritur nga Dauti. Tashmë inkurajimi më i madh për të ishte fakti se mamia e lirisë së Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, po përgatitej për misionin e saj. Pjesë e këtij misioni do të bëhet me devotshmëri edhe dëshmori Daut Zagragja.

Pas fillimit të luftës çlirimtare në Kosovë në pranverë të vitit 1998, edhe për Dautin arrin dita e ëndërruar për t’u kthyer në Kosovë, si ushtar i lirisë. Prandaj në verën e po atij viti, nga Gjermania shkon në Shqipëri ku ndodheshin bazat e logjistikës së UÇK-së. Ai kthehet në Shqipëri me qëllim të hyrjes në Kosovë e të mobilizimit në frontet e luftës. Mirëpo, pas kontaktit me eprorët e UÇK-së e me luftëtarë të tjerë, ngarkohet me detyrë në Zyren e logjistikës në Papaj , të cilën e kryen me disiplinë ushtarake e me përkushtim të lartë. Në këtë detyrë jep kontribut të çmueshëm për furnizimin e njësiteve të UÇK-së me armë e me mjete të tjera ushtarake. Më vonë do ta rrahë shumë herë rrugën e gjatë të bartjes së armatimit dhe të shkeljes së kufirit ku bënte roje vdekja, të kufirit në mes Kosovës e Shqipërisë. Këtë rrugë dhe këtë shkelje kufiri ai e bën me shumë shokë të armëve, siç ishin, Nasim Haradinaj, Adem Haxhosaj, Musë Krasniqi, Hysen Dreshaj e të tjerë. Gjatë kohës së qëndrimit me detyra ushtarake në bazat e logjistikës në Shqipëri, Dauti kishte krijuar raporte të ngushta vëllazërore me banorët vendës, shtëpitë e të cilëve i kishte bërë edhe të vetat. E tillë dhe bazë e përhershme e Dautit ishte edhe shtëpia e Sulë Kucës nga Tropoja.

Në një mbrëmje të janarit të vitit 1999, në shtëpinë e Idriz Zagragjës cingëron telefoni. Matanë receptorit paraqitet Dauti. Me të bisedon edhe e ëma, duke menduar se ai po paraqitej nga Gjermania e largët. Por, jo. Dauti po lajmërohej dhe po fliste nga Kodrat e Arrabërdës, fshat vetëm disa kilometra larg Bajës. Në malet dhe kodrat e këtij fshati ai ndodhej bashkë me shokët me armë në dorë në detyra ushtarake, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. «Jo nënë, nuk po flas nga Gjermania, por nga Kodrat e Arraberdës. Jam me shokët e luftës. Kemi vendosur të luftojmë deri në çlirimin e Kosovës. Gëzohem që jeni mirë, por deri atëherë të mos më pritni në shtëpi». Këto fjalë kishte thënë Dauti në bisedën telefonike me prindërit dhe të dashurit e familjes së tij atë mbrëmje janari. Dhe vërtet, edhe pse aq afër shtëpisë ku kishte lindur e ishte rritur, edhe pse qe shtatë vjet nuk e kishte parë e përqafuar të ëmën, ai asnjëherë nuk vizitoi shtëpinë dhe nuk kontaktoi me asnjërin prej anëtarëve të familjes. Sepse kishte vendosur të kthehej në shtëpi vetëm pasi ta çlironte Kosovën. Sepse kishte vendosur të kthehej me fitore. Sepse kishte vendosur të mos kthehej në shtëpi qoftë edhe shtatë vjet të tjera, në qoftë se edhe për aq vjet do të zgjaste lufta çlirimtare, derisa të mos bëhej Kosova e lirë.

Dëshmori Daut Zagraxha, kishte ndarë mendjen dhe ishte përgatitur që më parë për të luftuar për lirinë e Kosovës. Këtë qëllim ia kishte shprehur edhe të atit, Idrizit, kur ky e kishte vizituar në Gjermani, në vitin 1997. Prandaj kthimin në Kosovë si çlirimtar e përjeton si realizim të një qëllimi për të cilin ishte përcaktuar, por edhe si akt të shijimit të lirisë. Ai e kishte parë dhe prekur lirinë e Kosovës ende pa përfunduar lufta, në zjarr lufte, në krisma armësh të lirisë, në rëniet dhe ngritjet e çlirimtarëve. Këtë ndjenjë të fuqishme jo vetëm e kishte ngulitur në zemër, por edhe e kishte skalitur në trup. Në pjesën e majtë të gjoksit e kishte tatuazhuar figurën e shqiponjës dykrenore dhe brenda trupit të saj kishte shkruar: “7 vjet robëri dhe 1 vjet liri në Malet e Kosovës”.

Meqenëse nevojat e UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit për armë ishin të mëdha, kurse njëri prej ushtarëve me përvojë të suksesshme në çështjen e sigurimit e të bartjes së armatimit nga Shqipëria ishte dëshmori Daut Zagragja, në fund të janarit të vitit 1999 për këtë qëllim ai me shumë bashkëluftëtarë niset për në Shqipëri. Mirëpo, në afërsi të kufirit në trevën e Hasit, ata bien në pritën e forcave serbe, me ç’rast shkëmbehet zjarr, pas së cilit, grupi i ushtarëve të UÇK-së detyrohet të kthehet pas, që të ndërrojë drejtimin e lëvizjes për në Shqipëri. Në orët e natës ndërmjet 28 e 29 janarit, grupi prej 25 çlirimtarësh arrin në fshatin Rogovë, ku ndalon për të kaluar pjesën tjetër të natës e për të pushuar pas lodhjes dhe asaj rruge të mundimshme. Mirëpo, forcat serbe dhe informatorët e tyre lokalë u kishin rënë në gjurmë pjesëtarëve të UÇK-së dhe kishin mësuar edhe vendin ku ata ishin strehuar, prandaj në orët e hershme të mëngjesit të 29 janarit të vitit 1999, i rrethojnë dhe i sulmojnë ata në befasi. Në atë rrethim, bien në fushën e nderit 25 pjesëtarë të UÇK-së dhe 6 burra të familjes ku ishin strehuar ata e të fshatit Rogovë. Në mesin e pjesëtarëve të UÇK-së bie edhe dëshmori Daut Zagragja, duke e përmbyllur kështu kapitullin e ndritshëm të jetës së tij të shkurtër por të lavdishme. Pesë ditë më vonë u bë varrimi i tij në vendin e lindjes, në Bajë. Ato ditë familja e tij mbahej në vëzhgim të rreptë policor. Sepse, tashmë pushtuesi serb i frikësohej edhe varreve të dëshmorëve.

Kujtimin për dëshmorin Daut Zagragja e ngjallin reliket e vlefshme që sot ruajnë familja dhe bashkëluftëtarët e tij: dorëshkrim ditari të luftës; fotografi të bëra në qendrën stërvitore në Papaj, flamurin e qëndisur më 1.5.1993; pasaporta shqiptare e të tjera. Ndërsa pavdekësinë e tij e simbolizojnë mirënjohjet dhe dekoratat e shumta të dhëna në përvjetorë e rënies, nga Qevreria e Përkohshme e Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit; Shoqata e FDUÇK-së e të tjera.

Emrin e dëshmorit Daut Zagragja, pas luftës e ka përtërirë fëmija i vëllait, Ramës, Dauti i Ri, i cili sa herë ndodhet përballë fotografisë së xhaxhit dëshmor, merr qëndrim gatitu dhe e përshëndet atë ushtarakisht. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …