Kryesuesi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Mihael Davenport ka thënë për mediet se kapitulli i 35-të ka të bëjë me normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd – Prishtinë, po këto nuk janë bisedime për njohjen e Kosovës, meqë në asnjë dokument të Këshillit të Evropës nuk përmendet njohja e Kosovës dhe se për këtë nuk bëhet fjalë as në negociata. Lidhur me këtë është e qartë se duhet të arrihet edhe marrëveshja e detyrueshme juridike, ka thënë Davenport, duke hedhur poshtë interpretimin se kapitulli 35 e favorizon Prishtinën dhe se asaj praktikisht i jep të drejtën e vetos për hyrjen e Serbisë në BE. Fjala është për dialog në të cilin kanë detyrime të dy palët se nuk guxojnë ta bllokojnë njëra – tjetrën në rrugën e integrimeve evropiane, ka thënë Davenport, mirpo nuk ka sqaruar pse Serbia mund ta bllokojë Kosovën ndërsa Kosova nuk mund ta bllokojë Serbinë. Këtë duket se nuk e ka të qartë as Qeveria e Kosovës e cila krejt bisedimet i ka vënë në favor të mundësimit të hyrjes së Serbisë në BE.
2. 1. 2916 6.00 dhe 8.00
Në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese tashmë marrëveshjen për Asociacionin e ka shpallur të vdekur. “Marrëveshjet dhe ‘Zajednica’ kanë vdekur, ato janë anuluar. Një kreaturë institucionale, komponentët e së cilës janë në kundërshtim me parimet dhe frymën e Kushtetutës, nuk mund të zbatohen, aq më pak nga kjo Qeveri e cila nuk ka as legjitimitet e as legalitet të vazhdojë më tutje. Dialogu me Serbinë do të prodhojë shkelje të reja. Askush nga ne nuk ka mandat të bëhet pjesë dhe të iniciojë shkelje të tilla”, ka thënë Ymeri. Ai ka treguar se mbështetja qytetare për opozitën është duke u rritur. Sipas tij, këtë po e tregojnë edhe sondazhet e porositura nga organizatat që i shërbejnë Qeverisë. Ymeri ka paralajmëruar se protesta e 9 janarit do të jetë qytetare, masive dhe paqësore. Ai ka thënë se, nëse Qeveria nuk reflekton shpejt, kjo do të thotë se viti 2016 do të nisë me fundin e kësaj Qeverie. “Zgjedhjet e parakohshme do të sillnin frymëmarrje të re demokratike në këtë vend. Nuk duhet të harrojmë se edhe në zgjedhjet e 2014-s shumica e qytetarëve votoi që shteti të çlirohej prej PDK-së e prej SHIK-ut. Por, për shkak të tradhtisë dhe të impotencës së Isa Mustafës, kjo nuk ndodhi”, është shprehur Ymeri.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se gjatë vitit 2015 vendi ynë është ballafaquar me pasojat e viteve të tjera, të cilat kanë qenë joproduktive dhe jo të duhura. Sipas tij, ajo që ka bërë opozita në vitin 2015 ka qenë e suksesshme, pasi ka filluar një mënyrë e re e thënies po ose jo nga qytetarët. “Nuk e shoh një vit me të arritura, por e shoh të ballafaqimit të Kosovës me shumë probleme të grumbulluara për shkak të qeverisjes së dobët gjatë viteve të kaluara. Kosova më nuk po i hesht problemet, por po përballet me to, duke mos lejuar të kalojnë pa e thënë fjalën dhe mendimin e vet, edhe kur provohet të ngulfatet. Pra, ajo që ka bërë opozita në 2015-n është e suksesshme”, ka deklaruar Haradinaj në një intervistë për “Epokën e re”.
Kryetari i NISMËS për Kosovën, Fatmir Limaj, vlerëson se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të gjithë kanë pritur vazhdimin e konsolidimit të shoqëri, mirëpo gjatë këtij viti që e kemi lënë pas, Kosova nuk ka qenë në pozitë më të vështirë, që nga paslufta. Limaj ka thënë se pasojat e vendimeve që janë marrë gjatë këtij viti mund të jenë me pasoja të mëdha për të ardhmen. Mendoj se që nga paslufta asnjëherë Kosova nuk ka qenë në pozita më të vështira në të gjitha drejtimet: politike, ekonomike, sociale, por edhe shoqërore. Pas shpalljes së pavarësisë të gjithë kanë pritur vazhdimin e konsolidimin tonë shoqëror, por në vitin 2015 ka ndodhur e kundërta. Gjatë këtij viti vendi ka kaluar nëpër sfida të mëdha politike dhe ky vit është karakterizuar nga një papërgjegjësi e madhe politike”. Ne sot kemi probleme me shëndetësinë, kemi probleme me një armatë njerëzish që gjoja po i shkollojmë me arsim superior, duke ndërtuar universitete në çdo lokalitet dhe duke i mashtruar djemtë dhe vajzat e reja. Kjo situatë dhe në këtë situatë fajin kryesor e kanë politikanët, ka thënë Limaj.
Kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka deklaruar për të përditshmen serbe “Blic”, se ideja për formimin e Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, ka qenë pjesë e platformës së tij, si një autonomi brenda autonomisë së Kosovës. Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ai ka sqaruar se pas përfundimit të dialogut në kuadër të kapitullit 35, që ka të bëjë me normalizimin e raporteve mes dy vendeve, ai do ta dërgojë ndonjë marrëveshje për ta interpretuar kushtetutshmërinë nga gjykata serbe.
AKS-në e kanë pranuar përfaqësues të BE-së e Prishtinës, duke nënkuptuar se ajo nuk do të themelohet kurrë. Ne duhet të insistojmë në Asociacionin që është autonomi brenda autonomisë sepse në të kundërtën do të vihet në pikëpyetje vazhdimi i dialogut”, ka thënë Nikoliq.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është shprehur i bindur se marrëveshja PDK-LDK do të zbatohet tërësisht, dhe sipas tij, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi në muajt e parë të këtij viti do të zgjidhet kryetar i Republikës së Kosovës. Kreu i Qeverisë ka folur edhe për të arriturat gjatë vitit që lamë pas, duke përmendur me theks të posaçëm jetësimin e reformës fiskale, punësimin e mbi 15 mijë qytetarëve si dhe masat subvencionuese për bujqësinë. Mustafa ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin do t’i hap rrugën vazhdimit të hartimit të statutit, sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel. “Gjykata ka vlerësuar se marrëveshja, në disa pjesë të saj nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës, por jo me nene të veçanta. Tani, gjatë hartimit të statutit të Asociacionit duhet që gjithçka të miratohet në përputhje me Kushtetutën dhe dispozitat e saj dhe ne atë do të bëjmë”, është shprehur kryeministri, Mustafa.
Bashkatdhetarët tanë me vetëdije ose jo, po e pasurojnë Serbinë. Pavarësisht raportimeve për radhë të gjata pritje, sjellje të vrazhda nga autoritetet serbe, gjoba të larta e maltretime nga më të ndryshmet, ata po e zgjedhin Serbinë për të hyrë në territorin e Kosovës ose për të shkuar drejt vendeve perëndimore. Burime nga terreni bëjnë të ditur se kolona të gjata janë krijuar edhe sot në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë. Autoritetet serbe punojnë vetëm me një sportel, çka po krijon kolona e pritje që zgjasin me orë të tëra. Thirrjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme që të përdoren edhe pikëkalimet kufitare me shtetet e tjera, duket se nuk kanë pasur kurrfarë efekti tek bashkatdhetarët tanë. As raportimet që flasin për maltretime nga policët serbë, nuk ua kanë ndërruar mendjen mërgimtarëve tanë, të cilët zgjedhin Serbinë si vend transiti. Për një pjesë të madhe të tyre nuk bën fare përshtypje fakti që Rruga e Kombit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë si një prej autostradave më moderne në Evropën Juglindore, siguron jo vetëm komoditet në udhëtim, por edhe shpejtësi dhe lidhje me vendet e tjera si Mali i Zi e Kroacia.
Kryesimin gjashtëmujor të Bashkimit Evropian, dje Holanda e mori ngas Luksemburgu, ndërsa e dorëzon te Sllovakia më 1 korrik e cila stafetën ia jep Maltës më 1 janar 2017. Holanda për herë të 12-të mori në kryesim BE-në, por kësaj radhe në kohën kur Evropa po ballafaqohet me sfida të mëdha sigurie dhe me krizën më të rëndë të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore. Duke paralajmëruar parimet e kryesimit me Këshillin e Evropës, shefi i diplomacisë holandeze Bert Koenders, ka thënë se Haga do t’iu përkushtohet çështjeve thelbësore të BE-së, rritës ekonomike dhe ngritjes së punësisë, e qëllimi do të jetë lidhja më e madhe e qytetarëve dhe e shoqërisë civile me Brukselin. Holanda merr kryesimin në momentin kur opinioni nuk i përkrah pa rezervë vendimet e BE-së. Pas sulmeve në Francë dhe pas valës së refugjatëve e migrantëve, BE është në një test serioz”, ka thënë Koenders.