Izolimi dhe refuzimi që po ia bën në vazhdimësi Evropa shtetit të vetëm në Ballkan pa liberalizim të vizave është duke kontribuuar që shtetasit e Kosovës të kthehen nga Lindja, ndërkohë që fuqi të mëdha si Turqia janë duke e shfrytëzuar këtë mundësi për agjendat islamike. Kështu ka thënë David Philips, profesor në Universitetin Columbia të Amerikës në një intervistë për “Zërin”. Ai tha se identiteti evropian për shqiptarët po bëhet i pakapshëm dhe qytetarët e Kosovës janë të ndjeshëm ndaj radikalizmit sepse ata ndihen të refuzuar nga Evropa. Sipas tij, mohimi i udhëtimit pa viza për shqiptarët drejt BE-së përkeqëson frustrimin dhe izolimin.
Ndonëse e pranon se shqiptarët janë aleatët kryesorë të amerikanëve në Evropë, ai foli për rrezikun e influencës turke e cila po shtrihet në Kosovë dhe në Maqedoni me investimet direkte të Erdoganit. Philips kritikoi edhe politikanët shqiptarë të cilët ua kanë dhënë pasuritë kryesore kompanive turke. Sipas tij, ekstremizmi i shqiptarëve i shërben agjendës serbo-ruse. Ai tha se në përgjigje të mendimit islamofobik botëror të Trumpit, shqiptarët mund t’i profilizojnë vlerat e tyre të moderuara properëndimore në mënyrë që të thellojnë miqësinë dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.