David Phillips: Marrëdhëniet e vështira të Albin Kurtit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

David Phillips: Marrëdhëniet e vështira të Albin Kurtit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës kanë shënuar një përkeqësim kohët e fundit. Kryeministri Albin Kurti nuk e duron dot presionin e SHBA-së për implementimin e Asocacionit të Komunave Serbe, e cila do të sillte një decentralizim të pushtetit. Kurti e sheh këtë si një hap drejt fragmentimit dhe e kundërshton Asociacionin. Sigurisht, Kosova është një vend sovran, i cili gëzon të drejtën për të vendosur vetë për politikat e saj, por qasja e Kurtit rrezikon përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe dëmton interesat kombëtare të Kosovës. Pa mbështetjen e Uashingtonit, procesi i shtetndërtimit në Kosovë nuk mund të ketë sukses.

Që prej ardhjes së Kurtit në pushtet në mars 2021, ai vazhdimisht ka dashur të krijojë përshtypjen se Kosova nuk është një shtet vasal i SHBA-së. Duke e distancuar Kosovën nga propozimet e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë, Kurti ka armiqësuar mbështetësit që ka Kosova në SHBA. Krahas kësaj, ai ka dështuar në përmbushjet e premtimeve të tij si kandidat dhe drejtues i partisë populiste Vetëvendosje për të çuar përpara procesin e njohjet të ndërsjellë me Serbinë.

Kosova është një vendi i vogël me kapacitete të pakta. Asaj i nevojitet mbështetja ndërkombëtare për t’i bërë ballë forcës së Serbisë. Serbia bën siç i thotë Moska për të diskredituar Kosovën. Moska e sheh atë si një projekt amerikan. Pengesat e sjella nga Serbia e kanë izoluar Kosovën, duke e kthyer atë në një geto, pa investime dhe pa mundësi ekonomike. Kosova po ashtu ka dhe një nga ikjet më të mëdha të trurit dhe të rinjve në Ballkan.

Me mbështetjen e Rusisë, Serbia ka qenë e aftë t’i dëmtojë përpjekjet e bëra nga diplomacia e Kosovës. Gjatë dy viteve të fundit, asnjë vend i ri nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Pjesa më e madhe e 117 vendeve, me të cilat Kosova ka krijuar marrëdhënie diplomatike, përfshi këtu SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, e kanë njohur atë që në fillim. Izraeli ishte vendi i fundit që e ka njohur Kosovën si shtet në vitin 2021. Vendet janë në pritje të një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë para se të ndërmarrin një hap përpara.

Marrëdhëniet e vështira të Kurtit me të Dërguarin Special të SHBA-së, Gabriel Eskobar, kanë ndikuar në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës. Gjatë qëndrimit të tij në SHBA në maj 2022, Kurti nuk u takua me zyrtarë amerikanë. Megjithatë, ai u takua me përfaqësues të biznesit për të promovuar investime në Kosovë. Shpenzimet e Kurtit gjatë vizitës së tij në SHBA ishin të më dha dhe kjo ka shërbyer si municion për kritikët e tij në Kosovë.

Dy muaj më vonë, në korrik 2022, Sekretari i Shtetit, Antoni Blinken e ftoi Kurtin për një vizitë në Uashington. Blinken bëri thirrje për fleksibilitet për sa i përket procesit të kalimit nga targat serbe në ato kosovare. Dy zyrtarët diskutuan po ashtu edhe për premtimin e bërë nga Kosova për implementimin e asociacionit. Në përgjigje të refuzimeve të Kurtit, në nëntor 2022 Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxiu iu refuzua viza amerikanë.

Në një kohë që marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës kishin arritur nivelin më të ulët të mundshëm, Kurti vendosi që të vizitonte Ankaranë për t’u shfaqur me presidentin turk Erdogan, një autokrat i cili lufton lirinë e shtypit dhe i cili ka burgosur më shumë se 100 mijë kundërshtarë me akuzën e “fyerjes e krenarisë turke”. Erdogan po ashtu ka kërkuar që Kosova të dorëzojë mësuesit që punojnë për lëvizjen e Fetullah Gulenit. Pas Iranit, Turqia ka numrin më të lartë të gazetarëve të burgosur.

Futja në NATO është një nga shtyllat e politikës së jashtme të Kosovës. Vizita e Kurtit në Ankara u zhvillua në një kohë kur Turqia po monitorohet nga afër për shkak se ka dështuar në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Afrimi me Erdoganin nuk e ka bërë Kosovën më të besueshme në sytë e anëtarëve të NATO-s, të cilët e konsiderojnë Aleancën më shumë sesa një organizatë sigurie. Ata e shohin atë si një bashkësi vendesh me vlera të përbashkëta.

Gjatë konferencës për shtyp me presidentin Erdogan, ky i fundit i dha leksione Kurtit se si duhej të zhvilloheshin marrëdhëniet me Serbinë. Erdogani bëri thirrje për një qasje paqësore dhe konstruktive nga të dyja palët. Por fakti që Erdogan përpiqet të heqë një shenjë barazimi mes dy vendeve në aspektin moral, është skandaloze, duke marrë parasysh krimet e Serbisë në Kosovë me më shumë se 10 mijë civilë të vrarë, një milion të shpërngulur dhe 1800 të zhdukur.
Ndërkohë që Turqia është një investitor kyç në Serbi, mbështetja që ka dhënë Turqia në Kosovë ka shkuar në drejtim të projekteve që e forcojnë identitetin islamik të Kosovës. TIKA, një degë e Ministrisë së Kulturës së Turqisë, ka shpenzuar dhjetëra miliona për të restauruar dhe për të rindërtuar xhami dhe arkitekturën otomane në Kosovë. Paratë turke atje shkojnë me valixhe në mënyrë që të mos mbeten gjurmë të dokumentuara të fondeve.

Me një popullsi prej më pak se dy milionë banorësh, Kosova ka mbi njëmijë xhami. Bashkësia Islamike e Kosovës po ndërton xhaminë më të madhe në Ballkan. “Xhamia Qendrore” do të kushtojë të paktën do të kushtojë të paktën 40 milionë dollarë me financime nga Drejtoria për Çështje Fetare e Turqisë (Diyanet).

Dhjetë vite më parë, Kurti e kritikoi qeverinë e Kosovës për vendimin e saj për t’i dhënë kompanive turke kontrollin e aeroportit dhe rrjetit të shpërndarjes së energjisë për një fraksion të vlerës së tyre të vërtetë. Sot, ai hesht në lidhje me praktikat e biznesit turk në rajon dhe promovimit të vlerave islamike mes shqiptarëve.

Administrata e Kurtit ndodhet në një udhëkryq. A do ta thellojë ai bashkëpunimin me SHBA-në apo do të anojë drejt sistemeve autokrate, si ai i Turqisë? Nëse shqiptarët e Kosovës e kundërshtojnë Asocacionin, Uashingtoni nuk e shpërfill opinionin publik, por kërkon mbështetjen e saj. Në vend se të lëshojë ultimatime, administrata Bajden duhet të modifikojë deklaratat dhe politikat e saj për të promovuar qëndrime dhe interesa të përbashkëta.

SHBA e mbështeti luftën e shqiptarëve të Kosovës për të drejta dhe pavarësi në vitet 1990. Që Kosova të shpërblejë sakrificat e popullit të saj, SHBA dhe Kurti duhet të bashkërendojnë politikat e tyre për të çuar përpara njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

SHBA nuk duhet të ushtrojë presion ndaj Kosovës për implementimin e Asocacionit, çka mund të sjellë tensione mes Kosovës dhe SHBA-së dhe mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse Kosova e implementon atë, ajo duhet të kërkojë një trajtim më të mirë nga ana e Serbisë të minoriteteve shqiptare në Preshevë dhe Bujanovc. Simetria në politikat e ndjekura nuk do ta lejojë Serbinë të ndjekë vija ekstreme.

Lajmet për Ballkanin Perëndimor zinin titujt e parë të gazetave në vitet 1990. SHBA mund të ndihmojë për zhdukjen e fantazmave të Ballkanit duke forcuar bashkëpunimin me Kosovën për të arritur normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke bërë kështu që Kosova të ketë më shumë njohje në arenën ndërkombëtare. Progresi në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një prioritet i përbashkët mes qeverive të SHBA-së dhe Kosovës dhe nga të dyja palët duhet të tregohet fleksibilitet.

*Z. Filips është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias. Ai ka punuar si këshilltar dhe ekspert i politikave të jashtme në Departamentin e Shtetit gjatë administratave të Klintonit, Bushit dhe Obamës. Znj. Xharra është një gazetare investigative, autore e një sërë botimeve mbi ekstremizmin fetar në Ballkan dhe agjendën islamike të Turqisë. Ajo ka marrë Çmimin Ndërkombëtar të Grave të Guximshme nga Departamenti i Shtetit në vitin 2015.  (Tema 17 shkurt 2023)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …