Debat i kryetarit Asllanaj me qytetarë të Mushtishtit

Organizuar nga Lëvizja Fol, në ambientet e ShFMU “Edit Durham” në Mushtisht, kryetari i Komunës së Suharekës z.Sali  Asllanaj, ka debatuar  me  banorët  e fshatit  Mushtishtit. Ai në ciklin e debateve që tashmë po organizohen anekënd vendit FOL HAPUR, është përgjigjur në të gjitha pyetjet dhe kërkesat e të pranishmëve, që kryesisht kishin të bënin me investimet në Mushtisht. Fillimisht kryetari Asllanaj është përgjigjur në pyetjet e drejtuesit të debatit z. Petrit Zogaj rreth kërkesave të qytetarëve që i kishin arritur atij, siç ishin: Hapja e rrugës Mushtisht – Shtërpcë, përfundimi  i  kanalizimit të fshatit ku edhe 10% e banorëve kanë mbetur pa u kyçur në rrjet, rregullimi i shtratit të lumit, ndërtimi  i disa rrugëve lokale  në fshat etj. Pyetje të ngjashme kryetarit Asllanaj iu bënë edhe nga pjesëmarrësit në debat, për të cilat kryetari është përgjigjur dhe ka dhënë arsyetime, sqarime dhe premtime se do të kryhen të gjitha sipas planit që ka qeverisja lokale në Suharekë. Petrit Zogaj, në fund të debatit ka thënë se ky është debati i shtatë i këtij lloji dhe është njëri ndër debatet që më së paku ka pas ankesa dhe polemika në mes të banorëve dhe kryetarit të komunës. Sipas këtij vlerësimi, Komuna e Suharekës, del se banorët e fshatit janë të kënaqur me qeverisjen lokale në këtë fshat.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …