Debatohet studimi i fizibilitetit për zonën qendër në Ferizaj

Prezantimi i studimit të fizibilitetit për zonën qendër të qytetit të Ferizajt ka përballur të martën në një debat përfaqësuesit e firmës kontraktuese INSI, drejtuesit e pushtetit lokal dhe qytetarët.

Këta të fundit, nuk kanë mundur të pajtohen me qasjen e firmës kontraktuese që përmes projekteve të prezantuara në studim t’u imponojnë edhe versionin e tyre, për të cilin ata shprehen rezerva dhe kundërshtime. Fillimisht përfaqësuesit e firmës kanë prezantuar elementet e studimit duke vë në dukje ndryshimet në pjesë të ndryshme të kësaj pjese të qytetit.

Sheshi i qytetit, tregu i gjelbër ditor, kullat binjake, biblioteka rajonale dhe medioteka, mbikalimi në afërsi të kompleksit universitar si dhe disa objekte banesore-komerciale në disa pjesë të kësaj zone, të paraqitura në studim e kanë dominuar edhe debatin, me ç’rast qytetarët kanë dhënë edhe vërejtjet e tyre.

“Duhet të nisemi prej diku, ky studim i fizibilitetit për këtë zonë i paraqitur këtu përbën bazën prej ku duhet nisur. Padyshim se kjo është  vetëm faza fillestare për të vazhduar më pastaj edhe me fazat tjera ku kontributi qytetarë dhe i grupeve të interesit do të jetë i mirëpritur”, ka thënë Ismajl Baftijarai  nga Instituti INSI, ndërsa Emin Hysaj  arkitetkt ka prezantuar pjesë të studimit duke dhënë shpjegime për zona të veçanta të paraqitura në studim.

Në anën tjetër qytetarët, por edhe shoqëria civile kanë adresuar vërejtjet e tyre duke thënë se vizioni i kompanisë  duhet të përputhet me vizionin e qytetarëve dhe se këta të fundit duhet ta japin fjalën e fundit. Arbër Kadriu, nga INPO-ja, ka thënë se kompania kontraktuese nuk është e interesuar fare për shqetësimin qytetarë, ndërsa ka shtuar se ndjeshmëria qytetare është shumë fish më e lartë. “Projektet e prezantuara janë iluzioniste, utopike dhe se nuk do ta kenë konsensusin qytetarë. Jemi të interesuar për ruajtjen e pjesës së vjetër të qytetit”, ka thënë Kadriu.

Më i zëshmi në kundërshtimin e këtij projekti ka qenë, Afrim Demiri, i cili i ndikuar nga pamjet e paraqitura ka thënë se për një moment është gjendur para një realiteti krejtësisht tjetër.

“Këtu pashë një segment krejt tjetër të qytetit. Ndjeshmëria për qytetin te qon të konstatimi mbi vrasjen e identitetit. Nga kjo lindë pyetja se cili është Ferizaj që duam ta ruajmë, cili është qytetit që duam ta zhvillojmë dhe cili është ai ku duam të arrijmë”, ka thënë Demiri, teksa ka nënvizuar se ky qytet ka emocione që nuk duhet shkelur.

“Ju duhet sjellur mënyrat për ndryshime, e jo të sjellni përfundime përmes projekteve të përfunduara”, ka thënë Demiri

Samir Reka, banor i kësaj zone,por edhe Musli Marveci, kanë ngritur problemin e zbatimit të ligjeve në kuadër të këtij studimi,i pari, ndërsa i dyti ka ngritur çështjen e zhvendosjes së stacionit të autobusëve dhe krijimin e tregut të gjelbërt në atë zonë pa marr parasysh interesin qytetarë. Se ky studim është bërë pa u konsultuar fare ekspertët e komunës dhe grupet e interesit e ka thënë edhe arkitetkti Përparim Qalaj, i cili  vërejtjet e tij janë drejtuar në projektin e sheshit të qytetit,i cili sipas tij lë shumë për të dëshiruar.

Në  krejt këtë kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i ka siguruara qytetarët se ky version i paraqitur përbën vetëm nismën për ta arritur një koncensus të gjërë me qytetarët dhe se në fazat tjera të gjitha çështjet e ngritura do të debatohen. Svarqa, ka vë në dukje se studimi i fizibilitetit për zonën qendër është me  interes për qytetarët,investitorët dhe komunën dhe se në asnjë mënyrë nuk ndikon negativisht në kahjet zhvillimore të komunës, nuk prekë integritetin e hekurudhës dhe se nuk e determinon kahjen e shtrirjes së qytetit. Sipas tij, ky studim do t’i respektoj edhe planin zhvillimor të komunës dhe hartat zonale që pritet të miratohen gjatë këtij viti.

“Nëse mendoni se nuk po respektojmë funksionin  tonë e keni gabim. Ne po i zbatojmë funksionet tona bazuar në ligjet në fuqi. Jam i interesuar që me qenë të gjithë pjesë e kontributit në arritjen e koncensusuit qytetarë”, ka thënë Svarqa, derisa në një moment duke debatuar me qytetarët është shprehur se” diskutimi me emocione nuk i jep të drejtë askujt me dashtë qytetin ma shumë se ne”

Ky ka qenë debati i parë me qytetarët lidhur me studimin e fizibilitetit për këtë zonë, për të cilin, këta të fundit thanë se këtu më së paku ka pasur studim, e më shumë prezantim të projekteve të cilat është menduar ta shtrijnë ndikimin tek qytetarët.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …