Për nder të 14-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në sallën e Kuvendit të Komunës së Deçanit është mbajtur Seancë Solemne e cila është hapur nga Kryesuesi i Kuvendit të Komunës Hajdar Sutaj. Në këtë mbledhje solemne, në praninë e kolegëve fjalën e mori i pari i Komunës Bashkim Ramosaj i cili tha se sot kur shënojmë ditën e Pavarësisë së vendit tonë ne i përulemi sakrificës dhe luftës së të rënëve për atdhe, atyre që janë meritorë për ditët e festave që ne i gëzojmë sot. I përulemi luftës së UÇK-së, dëshmorëve e martirëve të rënë për atdhe. Më pas është vazhduar me homazhe pranë shtatoreve të Dëshmorëve në qendër të qytetit, duke vazhduar më pas në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan, në vendin e trimave dhe heronjve tonë. Andaj, në këtë festë të madhe të Pavarësisë të mos harrojmë kush jemi, të mos e harrojmë të kaluarën dhe sakrificën e gjeneratave para nesh, të jemi falënderues për miqtë dhe aleatët tonë në mënyrë që Kosovën ta bëjmë vendin që e kemi ëndërruar me shekuj, ka thënë kryetari Ramosaj.