Në një komunikatë për medie, dega e PDK-së në Gjilan ka bërë të ditur se kryetari i kësaj komune Haziri gjatë vitit 2015 nuk ka ditur t’i shpenzojë tre milionë euro. “Qeverisja komunale ende po ankohet për borxhet e trashëguara, ndërsa atij po i tepron buxheti për investime kapitale. Nga viti 2015 nuk u shfrytëzuan mbi 3 milionë euro të buxhetit komunal dhe të fondeve të planifikuara për investime në projekte të ndryshme. Ka disa arsye për këtë dështim madhor të qeverisjes së Lutës në Gjilan, si mospuna e kësaj qeverisje komunale, problemet serioze me ndërhyrjet në projektet e hartuara dhe me dosjet e tenderëve, ku për dy vjet komunës së Gjilanit i janë anuluar 28 tenderë në vlerë mbi 5 milionë euro, nga Agjencia Kundër Korrupsionit, për shkeljet ligjore të mëdha që janë bërë nga Prokurimi i komunës”, është thënë në komunikatën e Degës së PDK-së në Gjilan.
Kjo degë ka vlerësuar se qeverisja Haziri në vazhdimësi po merret me të kaluarën dhe të ardhmen duke premtuar dhe mashtruar qytetarët e Gjilanit. “Suficiti i buxhetit komunal nga të hyrat vetanake prej mbi një milion euro (saktësisht 1,004,324.67 euro, sipas raportit zyrtar financiar të Drejtorisë për buxhet dhe financa) nga viti 2014/2015 i bartur në vitin 2016 tregon njërin nga dështime e qeverisjes komunale në Gjilan. Nga donatorët e huaj në projekte të ndryshme me participim, nuk u shfrytëzuan mbi 100 mijë euro. Nga fondi humanitar për ndërtimin e shtëpive, 200 mijë euro nga viti 2014 nuk u shfrytëzuan, si rezultat i procedurave të tenderimit (arsyetimi zyrtar i komunës)”, është thënë në këtë komunikatë.