Në deklaratën e Avokatit të Popullit lidhur me 10 Dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut thuhet: 73 vjet më herët, bota bëri përpjekjen e saj të parë për të artikuluar në një dokument të vetëm të gjitha ato të drejta të cilat njerëzit besonin se ishin të lidhura me vet ekzistencën e tyre si qenie. Që nga ai 10 Dhjetor i 1948, kur edhe u miratua Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, njerëzimi asnjëherë nuk ka reshtur së kërkuari jetësimin e atyre garancive ligjore, duke theksuar rolin e madh që e ka për shoqërinë dhe botën demokratike mbrojtja dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Pandemia Covid 19 ishte një tjetër “luftë” e llojit të vet mes individit dhe shoqërisë, ku bota u desh të gjejë “mesin e artë” në mes të ruajtjes së shëndetit të njerëzve dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, si vlera që, në një situatë të jashtëzakonshme, e kanë sfiduar jashtëzakonisht shumë njëra-tjetrën.
Pikërisht për këtë temë, Avokati i Popullit sot ka publikuar Raportin për Ndikimin e Pandemisë Covid 19 në të Drejtat e Njeriut në Kosovë, me të cilin, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut e ka vënë në qendër të të gjitha përpjekjeve dhe interesave të tjera shtetërore.
Avokati i Popullit e shfrytëzon këtë ditë për të kujtuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut, është kauza më e pastër dhe më e vlefshme për të cilën duhet luftuar secilën ditë, për secilin njeri, pa dallim.