Deklarata e Këshillit Nismëtar për shkollën shqipe në Bavari

Deklarata e Këshillit Nismëtar për shkollën shqipe në Bavari

Më 8 tetor 2016, në Konsullatën e Kosovës në Mynih të Gjermanisë nga një grup intelektualësh dhe veprimtarësh, në përbërje: Mustafë Krasniqi, Fran Tanushi, Fadil Lumi, Deli Balidemaj, Donika Zonja, Hateme Morina, dhe nikoqiri Hamdi Reçica Konsull, u mbajt  mbledhja e parë nismëtare për shkollën shqipe në Bavari. Në  këtë takim u diskutua projekt-propozimi i ofruar nga Mustafë Krasniqi, iniciues i këtij projekti, i cili e arsyetoi angazhimin dhe qëllimin e kësaj nisme. Gjatë shqyrtimit të këtij projekti dhe diskutimeve të tyre frytdhënëse, por edhe përkrahjes morale dhe ideore të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Mynih, veçanërisht të Konsullit, Hamdi Reçica, dhe nga Ministria e Diasporës, përmes Avdyl Lipovecit, doli si rezultat formimi i “Këshillit Nismëtar për Shkollën Shqipe në Bavari”.Ky Këshill Nismëtar mori vendimin të merret me përgatitjen e Kuvendit të Shkollës Shqipe në Bavari, kuvend i cili do ta zgjedh Këshillin e Përgjithshëm të Shkollës Shqipe për Bavari dhe organet tjera përkatëse. Po ashtu ky Këshill ngarkoi me përgjegjësi Mustafë Krasniqin të merrej me përgatitjen e Kuvendit.

Nga Këshilli Nismëtar doli kjo deklaratë:

Ne, një grup intelektualësh dhe veprimtarësh shqiptar, shohim si shqetësim të madh gjendjen e mërgatës, ku me kalimin e kohës gjithnjë e më shumë brezat e rinj më dobët po e flasin gjuhën shqipe, gjë që është duke ndodhur një realitet i hidhur i asimilimit në heshtje. Andaj ne si këshill nismëtar kërkojmë nga institucionet tona përkatëse, përpos përkrahjes morale dhe asaj ideore të kenë edhe përgjegjësi kombëtare, të ndërmarrin veprime parandaluese sa nuk është bërë vonë. Për këtë pjesë të qytetarëve duhet të kenë kujdes dy qeveritë tona, për të mos e pësuar fatin e historisë së asimilimit, kjo dhe për fat të keq po ndodhë, sidomos në Bavari ka pësuar një rënie të dukshme mësimi plotësues në gjuhën shqipe. Kjo vërehet sidomos te brezi i dytë, kurse për brezin e tretë asimilimi ka filluar të bëhet realitet.  Për të mos ardhur deri në atë shkallë tepër shqetësuese për vetë mërgatën shqiptare në veçanti, dhe për kombin shqiptar në përgjithësi, kemi marre iniciativë që ta ndryshojmë këtë gjendje: që fëmijët dhe të rinjtë t’i shpëtojmë nga harrimi dhe asimilimi, ku krahas gjuhës së vendit ta mësojnë edhe gjuhën shqipe, kulturën dhe ta ruajnë vetëdijen kombëtare. Në mënyrë që me vendin e tyre të jenë sa më të lidhur nëpërmjet të gjuhës së tyre.

Pra, ta shpëtojmë atë që mundemi, mërgimtarët e meritojnë një trajtim më të mirë kur dihet gjatë gjithë historisë, mërgata ishte dhe mbeti shtyllë kryesore e çështjes kombëtare shqiptare.

Ky projekt ka për qëllim, për Landin e Bavarisë në Gjermani, që sa më shumë fëmijë e të rinj të përfshihen në shkollën shqipe; kjo nuk mund të arrihet pa e pasur ndihmën e drejtpërdrejtë të institucioneve dy shteteve tona.

Ky projekt do t’i parashtrohet Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Mynih, Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, Ministrisë së Diasporës, që të bashkëpunojnë në krijimin e një strukturë të përbashkët organizative, e cila do të ketë të drejtën për t’u thirrur në hapjen e shkollave, në gjuhën shqipe me mësim plotësues në Bavari.

Të ndihmohet institucionalisht ky këshill nismëtar që ta realizojë projektin ideor për shkollën shqipe, po ashtu dhe për përgatitjen për kuvendin zgjedhor si dhe të gjejë mekanizma dhe mundësi për integrimin e të gjithë atyre që kanë mundësi dhe ide profesionale për ta quar tutje këtë projekt. U bëjmë thirrje për një bashkëpunim të gjitha shkollave, shoqatave, bizneseve e mësueseve ta japin kontributin e tyre dhe të jenë pjesë e këtij projekti, pjesëmarrës në kuvendin zgjedhor, të cilët mund të kontaktojnë në:

Email: [email protected]

Mob.   015751383105

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …