Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke shkruar lidhur me marrëveshjen e sotme të arritur në Bruksel, mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, ka deklaruar se është vendosur reciprociteti i targave të automjeteve. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë”, ka shkruar ai. Kurti nuk ka përmendur se çfarë targa do të kenë automjetet në veri të Kosovës, as ka folur për kohën kur do të tërhiqen kokulur forcat e ROSU nga veriu dhe as kush dhe pse i zëvendëson ato prej 2 tetorit.
Deklarata, sa për të thënë diçka e Albin Kurtit, zbulon më së miri humbjen e thellë në bisedime, pranimin e tërheqjes së Policisë Speciale nga pikëkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë, në Jarinje dhe në Bernjakë, rikthimin e forcave të KFOR-it në kufi me Serbinë, për të cilat nuk ka folur. Deklarata e shkurtë e Kurtit tregon më së miri se ai nuk ka për çka flet, nuk ka për çka krenohet, sikur kishte bërë 10 ditë më parë, nuk e përmend vazhdimin e reciprocitetit, fjalë që i ngelur në fyt dhe nuk ka pikë guximi të pranojë para qytetarëve, se dashur pa dashur iu ka nënshtruar BE-së dhe autoriteteve të caktuara ndërkombëtare, njëjtë si pararëndësit e tij, të cilët jo vetëm i kishte kritikuar por edhe i kishte shpallur tradhtarë.
Tani, kryeministri, Albin Kurti ndodhet në pozitë shumë më të palakmueshme sesa ka qenë dy javë më parë. Nxitimi për të përfituar elektoratin për zgjedhjet vendore të 17 tetorit, tani do t i kthehet bumerang, meqë nuk mund të lavdërohet se e ka mbajtur premtimin për reciprocitet, por ka sharruar në “zallin e gjallë” të konikuturave politike të BE-së dhe qarqeve proserbe, nga e cila nuk mund të dalë, as mund të bëjë tutje.
Përkrahja që ai mori nga shumica dërrmuese e qytetarëve dhe nga opozita, për aplikimin e reciprocitetit në targa të automjeteve me Serbisë, duke menduar se ai nuk do të lëshojë pe, tashmë ka rënë si gotë e thyer në tokë. (RKL)