Deklaratë-Apel: Çështja e Çamërisë është e drejtë, ka ardhur koha të zgjidhet

Deklaratë-Apel: Çështja e Çamërisë është e drejtë, ka ardhur koha të zgjidhet

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në Tiranë

Ambasadës së Britanisë së Madhe, në Tiranë

Ambasadës së Republikës së Italisë, në Tiranë

 

Historia është mësuesja e njerëzimit  dhe vazhdimisht na jep mësim. Nisur  nga problemet e pazgjidhura u inicua nga një numër i madh shoqatash civile atdhetare–patriotike -kulturore të Shqipërisë dhe Kosovës promovimi i temës tabu “Çamëria dhe Çamët”. Për këtë u bë shkak edhe organizimi i një takimi për promovues  të “Çështjes Çame” me pjesëmarrje të gjerë të personaliteteve si: akademikë, profesorë dhe intelektualë me zë të Shqipërisë e Kosovës. Nëpërmjet  disa librave historiko-shkencor të studiuesit  e hulumtuesit shqiptar, bir autokton i Çamërisë, Fahri Dahri, me fakte historike, e analizë objektive u freskua “Çështja Çame” dhe pasojat e rrjedhura ndër vite, në dëm të atij rajoni, banorëve të tij në përgjithësi dhe çamëve myslimanë në veçanti, sidomos pas vitit 1913 e në vazhdim.

Diskriminimi i banorëve në atë rajon ishin pa mëdyshje vendimet fatkeqe, tepër shkatërruese të marra nga Fuqitë e Mëdha në dëm katastrofik të territorit dhe banorëve etnik shqiptar.

I.- Vendimet e padrejta të fuqive të mëdha me Protokollin e Firencës dhe të konferencës së Londrës, për kalimin e rajonit shqiptar të Çamërisë, në Mbretërinë Greke.

Mbështetur në  Protokollin e Firencës më 17 dhjetor 1913, nën kujdesin e Britanisë së Madhe, Francës, Austrisë, Rusisë, Gjermanisë dhe Italisë, u caktuan kufijtë e sotëm të Shqipërisë zyrtare, ku mbetën jashtë mbi gjysma e territoreve etnike shqiptare.

Vendimi i parë famëkeq, ishte copëtimi i territorit etnik shqiptar, duke ja dhuruar padrejtësisht greko-jugosllavëve bashkë me banorët përkatës etnikë shqiptarë. Në vitin 1913, arsyen e copëtimit të Shqipërisë nga ana e Fuqive të Mëdha  e mësojmë nga interpelanca e Z. Eduard Grej, ish ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe nga 1905 deri 1916. Ai ka deklaruar: “..Por, duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte që të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë ndërmjet Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë”.

Vendimi i dytë shokues, i pakonceptueshëm, ishte shkëmbimi i popullsive mbi kriteret e besimit fetar. Këtë vendim tjetërsues të etnisë së popujve, na e sqaron zyrtari i lartë anglez, Zoti George Nathaniel Curzon, Sekretari i Jashtëm britanik (1924-1925), i cili “ndjehej thellësisht keq, që shkëmbimi i detyrueshëm i popullsive duhet të ishte një zgjidhje, pasi ajo zgjidhje është tërësisht e keqe dhe vicioze (e mbrapshtë), për të cilat bota do të paguajë një dënim të rëndë për njëqind vitet që vijnë”.

Copëtimi i Shqipërisë në vitin 1913 dhe shkëmbimi i popullsive me besime të ndryshme, pavarësisht etnive, janë shkaqet kryesore që kanë trazuar Ballkanin ndër vite, sidomos popullsinë etnike shqiptare, duke filluar nga rajoni i Çamërisë, Janina e rrethinat, Meçova, Konica, Grebeneja, Kosturi, Manastiri, Kosova, e deri në Mal të Zi.

II.- Politikat shkombtarizuese, diskriminuese ndaj popullatës shqiptare myslymane të çamërisë.

Rrjedhojë e këtyre vendimeve fatkeqe, shtetet përfituese, si ai Grek dhe Serb, që në fillimet e zgjerimit të territoreve mbas Luftës së Parë Botërore, ndërtuan strategjira diferencuese dhe diskriminuese ndaj banorëve të etnisë shqiptare, me vrasje, rrëmbime pronash të luejtshme e të paluejtshme, mohim etnik të tyre, duke i quajtur çamët myslimanë turq, të padëshirueshëm, tradhëtarë të kombit grek pasi kishin ndërruar besimnin fetar, dhe me trajtimin e asaj popullsie jogreke, u hiqej e drejta e banimit në shtetin Grek. Gjatë 100 viteve të shkuara, krahas vazhdimësisë së masave tejet shtrënguese ndaj banorëve myslimanë, duke filluar nga viti 1913 dhe para eksodit të dhunshëm, nga ana e shtetit grek u përdorën edhe manipulimet, sidomos gjatë luftës italo-greke dhe pushtimit gjerman. Me mjeshtëri dhe dinakëri forcat e EDES-it, sipas rasteve para pushtuesit gjerman familjet e çamëve i akuzonin si streha të partizanëve, që siguronte mbështetjen e boshtit kundër banorëve myslimanë; ndërsa ndaj aleatëve anglo-amerikanë pala greke çamët i akuzonte dhe i prezantonte si bashkëpunëtorë me pushtuesin, e cila është në përdorim edhe nga shteti i sotëm grek. Edhe kur u vendos ndërkombtarisht mos shkëmbimi i banorëve myslimanë të Çamërisë, të cilëve ju njoh etnia shqiptare, shteti Grek, kërkonte që etnia shqiptare e çamëve të vërtetohej dhe të njihej vetëm për ata banorë që kishin lindur në shtetin Shqiptar, ose nga prindër të shtetit Shqiptar, kur dihej se çamët ishin me etni shqiptare dhe autoktonë në atë rajonin, po ashtu dihej se para 1912 nuk kishte shtet shqiptar, pasi territori etnik shqiptar ishte nën sundimin otoman. Klauzola të tilla ligjore të cilat i shkojnë për shtat vetëm dinakërisë së palës greke, janë përdorur hap pas hapi kundër etnisë shqiptare dhe të efektshme ndaj naivitetit ndërkombëtar.

 

Me përdorimin e këtyre akuzave, pala greke siguroi mbështetjen e misionerëve të huaj, të cilët i lanë dorë të lirë kriminelit Napoleon Zervës me ushtarët e tij, që vranë, rrëmbyen, dëbuan popullatën e rajonit dhe si rrjedhojë humbën dhe vdiqën gjatë gjenocidit 8.326 veta, ose 29,6 % e banorëve, gjithashtu në prag të luftës italo-greke, çamët u paragjykuan nga pala greke, pasi pa asnjë vendim gjykate, internoi në ishujt e Detit Egje, meshkujt çamë nga mosha 17 deri në 70 vjeç, rreth 6.000 veta mbi 6 muaj. U përdhunuan gra dhe vajza, dogjën 68 fshatra, 102 objekte kulti dhe 6.500 shtëpi, u rrëmbyen të gjitha pasuritë e çamëve. Nga 28.081 banorë myslimanë që ishin para eksodit, arritën të shpëtonin gjallë 19.755 veta, të cilët në mes tmerreve u shpërngulën në shtetin amë-në Shqipëri.

Dsa nga konkluzionet e arritura nga takimi promovues:

Shanset historike, përgjithësisht  kanë qenë në disfavor të çështjes shqiptare, por veçanerisht momentet historike në ato periudha ishin të ashpra, të pamëshirshme, vdekjeprurese, kundër Çëmërisë.

Faktorët kryesorë që ndikuan tepër negativisht për rajonin e Çamërisë dhe banorët e saj janë si vijon:

  • Mungesa e theksuar e elitës udhëheqëse dhe drejtuese. Kjo si efekt i persekutimit social, kulturor, të ushtruar nga pushtuesit ndërshekullor, kundër atij komuniteti.
  • Paaftësia diplomatike në përballje me diplomacinë mashtruese greke, e cila me mjeshtëri kamufloi faktorin ndërkombëtar në favor të dinakërisë së saj për realizimin e genocidit racist etno-fetar ndaj myslimanëve shqiptarë të rajonit të Çamërisë.
  • Mungesa e faktorit “forcë”, qoftë numerike, materiale, administrative (pasi rajoni ishte njësi më vete, por drejtohej tërësisht vetëm nga elementi njerëzor etnik grek) dhe morale, të cilat palës greke jo vetëm nuk i mungonin, por i përdori masivisht dhe në të gjitha drejtimet kundër bashkëqytetarëve të saj, si dhe nën mbikqyrjen e “aleatëve” qofshin politikë, ushtarakë dhe fetarë, ndërsa popullsia çame nuk siguroi asnjë përkrahje apo mbështetje, ajo ishte nën shtypjen, dhunimin dhe vrasjen nga shteti i saj.
  • Shtetin grek, krahas racizmit fetar, e shqetësonte dhe i krijonte ankth edhe fakti se territori i rajonit të Çamërisë, ishte vendbanimi autokton i çamëve (myslimanë e të krishterë) dhe vazhdim i kufirit jugor të Shqipërisë etnike.

Shteti Grek ishte i ndërgjegjshëm për spastrimin etnik të Çamërisë, prandaj për të shpëtuar nga akuzat ka përdorur edhe metodat e fshehjes dhe të fshirjes, për të siguruar mbylljen e “Çështjes Çame”.  Realizimin e fshirjes dhe fshehjes e arriti nëpërmjet urdhërave dhe qarkoreve të ndryshme për zhdukjen e gjithë dosjeve me dokumenta ku pasqyroheshin ngjarjet në Çamëri, deri edhe korrespodencat konfidenciale, veprime këto që i u besuan Ministrisë greke të Drejtësisë, asaj të Brëndëshme dhe prokurorive rajonale.

Nisur nga e drejta sipas nenit 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërise, pika 1 dhe 2, si dhe në mbështetje të të Drejtave Universale të Njeriut dhe jo vetëm, na shtynë për hartimin e kësaj deklarate-apel, për të nxitur në shpejtimin e zgjidhjes së këtij problemi madhor kombëtar, me besim se edhe shoqëria civile e kulturuar greke, me pikpamje orientuese euro-atlantike, do të mbështesë dhe do të nxisë shtetin Grek që të shqyrtojë me gjykimin e kohës problemin duke u ngritur mbi mashtrimet, kamuflimet dhe shpifjet e të shkuarës, të cilat kanë penguar dhe pengojnë marrëdhëniet midis shteteve, si rrjedhojë edhe në frenimine e zhvillimit ekonomiko-shoqëror në rajonin e Ballkanit.

Ka shumë kohë që shoqëria civile si shoqatat atdhetare-kulturore në tërë trojet shqiptare dhe në diaspore SHBA, Europë dhe Australi  vazhdojnë të protestojnë për dhunën dhe spastrimin etnik të popullatës çame para 72 vjetëve dhe për shpërnguljen me forcë nga trojet e tyre. Edhe vetë takimi promovues kishte qëllim të tillë sensibilizues dhe që çështja  të futet sa me shpejt  në rrugën e zgjidhjes.

Shoqëria civile proteston fuqishëm edhe për shfuqizimin e Ligjit te Forcës Nr. 2636 i vitit 1940 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike”, i cili është një ligj absurd, akoma më tepër në kushtet dhe klimën e sotme politike të marrëveshjeve të paqes midis  dy vendeve tona. Ky ligj është një paradoks i kohëve moderne, i një Europe të bashkuar, ku njerëzit jetojnë në paqe, me mbetjet në fuqi të termave të tilla si “ armiq”, “pasuri armike” dhe “gjendje lufte” si një atavizëm e së kaluarës së largët, e kohës së Luftës se Dytë Botërore. Qindra dhe mijëra shqiptarë nga krahina e Çamërisë, Janina, Kosturi, Konica, Follorina, etj, janë përzënë me forcë nga forcat greke në vitin 1944 dhe tashme jane rezidente bashkë me pasardhesit e tyre ne Shqiperi.

Zotërinj politikanë, shtetarë dhe parlamentarë të Shqipërisë dhe përfaqësues të komuniteteve shqiptare kudo në botë, është në nderin tuaj të reagoni në kohë si qytetarë të denjë të një shoqërie demokratike në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të komunitetit të çamëve.

Ne, si përfaqësues të Shoqërisë Civile Shqiptare, nuk pranojmë  absurditetet që vijnë nga fillim shekulli i kaluar dhe nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Protestojmë për politikën e genocidit të ushtruar kundër popullsisë çame në vitin 1944 dhe për politikën diskriminuese deri në ditët tona. Greqia nuk ka hequr dorë nga pretendimet e vjetra absurde territoriale aneksioniste mbi Shqipërinë e Jugut, të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, duke mbajtur të pashfuqizuar ligIn e luftës, edhe pse Shqipëria është vend antar i NATOS dhe ekziston një trakt paqeje me Greqinë. Mbështesim gjithashtu zgjidhjen e çështjes së Çamërisë; mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve çamë për pronat si dhe të drejtën e shtetasve shqiptarë për pronat e tyre që kanë patur në shtetin Grek, por të bllokuara me ligjin absurd të luftës.

III.- Me anën e kësaj Deklarate, nga shoqëritë tona të mësipërme, në unanimitet kërkohet:

  • Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, të deklarohet lidhur me miratimin ose jo të Rezolutës së “Çështjes Çame” të vitit 2004, mbasi ka patur dhe ka disa mëdyshje.

 

  • Me prononcimin e Gjykatës Kushtetuese, për vlefshmërinë e Rezolutës Çame të vitit 2004, Parlamenti Shqiptar, të zhvillojë një sesion të posaçëm për “Çështjen Çame”, ku nga institucionet përkatëse, të sigurohet informimi dhe të realizohet diskutimi i gjërë, prej nga ku të vendoset hartimi i Rezolutës dhe Relacioni nga ana e Komisionit përkatës parlamentar dhe paraqitja për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

 

  • Me miratimin e Rezolutës nga Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Jashtme dhe ajo e Drejtësisë të hartojnë Akt-Akuzës për genocidin Grek ndaj pakicës kombëtare shqiptare, të njohur si “çamët myslimanë të Thesproti-Çamërisë”. Akt-Akuza të dorëzohet në ambasadën Amerikane, Gjermane, Britanike, Greke, në Këshillin e Europës, dhe krahas tyre të dorëzohet në Prokurorinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës,

 

  • Dosja për “Çështjen Çame” duhet të përfshijë rikthimin e çamëve në trojet e tyre, njohjen e gjenocidit grek ndaj asaj popullsie, mbështetur edhe me dëshmitë e të mbijetuarve, sigurimi i dokumenteve për të bërë të mundur provat e duhura për krimet kundër njerëzimit të kryera nga qeveritë greke nga viti 1913 deri në 1945, si dhe kërkesa legjitime për rikthimin e pronave brenda normave ligjore ndërkombëtare.

 

Rajonit dhe banorëve legjitimë të Çamërisë tu kthehet identiteti.

 

  • Rëndësi të veçantë t’i kushtohet mundësisë së dialogut me palën Greke, për “Çështjen Çame”, i cili është i domosdoshëm sidomos në forcimin e marrëdhënieve mes shteteve tona dhe krijimit të komisioneve të nesërme të përbashkëta, të cilat do të shqyrtojnë dhe zgjidhin anët ligjore për dëmshpërblimet, vendosjen dhe caktimin e institucioneve të nevojshme të pajtimit, të problemeve sociale, kulturore, demografike, politike etj.

Të nderuar Parlamentarë, Politikanë dhe Qeveritarë shqiptarë dhe grekë:

Shoqëria civile shqiptare, të gjitha shoqatat atdhetare-partiotike, në një zë të fuqishëm ju bëjnë Apel se ka ardhur koha që të punohet për zgjidhjen e Çështjes shqiptare Çame.

Ne, do të vazhdojmë të sensibilizojnë dhe përkrahim fuqishëm zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të çështjes së shqiptarëve etnikë në Greqi me tërë mjetet demokratike, nëpërmjet ndërkombëtarizimit të çështjes së shqiptarëve çamë, për rivendosjen e të drejtave të tyre në Greqi, dhe njohjen e genocidit ndaj tyre. .

Për këtë, Parlamenti grek duhet të shfuqizoje ligjin absurd të luftës me Shqipërinë, t’i japi fund trajtimit diskriminues të shqiptarëve në Greqi dhe t`u kthehen pronat e tyre, të konfiskuara në mënyrë të njëanshme dhe të paligjshme nga Qeveria Greke.

 

Me respekt:

 

Shoqata “Lidhja Mbarëkombëtare e Shoqatave Atdhetare-Kulturore”

Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Kosovë

Shoqata “ Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”

Shoqëria Politike Atdhetare “Çamëria”

Grupi i intelektualëve nga shoqëria civile.

Shënim: Deklarata e plotë, i është dërguar: Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kryetarit të parlamentit Shqiptar, kryeministrit të Shqipërisë, etj. si dhe disa ambasadave të huaja në Republikën e Shqipërisë.

Tiranë, më 27 gusht 2016.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …