Më 2 shkurt 2023, Kolegji i Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, një organ gjyqësor vendor me seli në Hagë, nxori një aktgjykim apeli në rastin e Prokurorit të Specializuar k. Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt duke zbutur dënimin e tyre për nga tre muaj.
Mbrojtja e Haradinajt do të dëshironte të shprehte zhgënjimin e thellë në lidhje me të gjeturat e aktgjykimit të apelit dhe konfirmon se do të kërkojmë të bëjmë ankesë kundër aktgjykimit në Kolegjin Suprem të Gjykatës së Dhomave të Specializuara.
Ndonëse Kolegji i Apelit me shumë të drejtë e shfajësoi z. Haradinaj nga Pika 2, Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, ai dështoi t’i marrë sa duhet në konsideratë bazat e mbetura të ankesës dhe dështoi t’i trajtojë si duhet argumentet që prekin thelbin e procesit, mungesën e drejtësisë së procedurës.
Ne jemi në dijeni të mendimit mospajtues të Gjyqtarit Kai Ambos, i cili do të shfajësonte z. Haradinaj edhe në një pikë tjetër të pengimit dhe do t’ia ulte dënimin edhe për tre muaj të tjerë. Mendimi i tij mospajtues vë në pah interpretime të ndryshme mes anëtarëve të Kolegjit të Panelit. Sidoqoftë, konsiderojmë se ka pasur baza të mjaftueshme përmbajtësore të apelit për ta justifikuar, të paktën, kthimin në rigjykim.
Në emër të z. Nasim Haradinaj, ne kemi paraqitur 23 baza të apelit kundër gjetjes fajtor dhe një bazë të konsoliduar të apelit kundër dënimit. Në ankesën tonë kemi shpalosur në hollësi gabime të shumta në zbatimin e ligjit dhe faktin se konsideronim se kolegji gjyqësor kishte bërë gabime aq thelbësore sa që ato prekin sigurinë e dënimeve. Ne kemi kundërshtuar gjerë e gjatë se z. Haradinaj nuk ka pasur gjykim të drejtë dhe se ka pasur parregullsi të rënda procedurale. Në veçanti, kemi argumentuar se prokuroria ka dështuar t’i mbështesë akuzat në prova përtej dyshimit të arsyeshëm, se ka pasur shkelje të shumta dhe të vazhdueshme rreth zbulimit të materialeve nga prokuroria, se dështimi për të hetuar burimin e rrjedhjes së dokumenteve përbënte dështim të rëndë dhe se kishte pasur një dështim për të hetuar si duhet dhe në mënyrë adekuate pretendimet kredibile të vënies së kurthit ose për ta refuzuar sugjerimin se çdo veprim i ndërmarrë ishte bërë në interes publik.
Në emër të z. Haradinaj, kemi treguar se gabimet e identifikuara në bazat e ankesës përbënin dështim të drejtësisë në aspekt të tërësisë së dënimeve të shqiptuara dhe se korrigjimi i vetëm ishte anulimi i dënimeve. Zbutja për nga tre muaj, sipas mendimit tonë, nuk e korrigjon dënimin qartazi joproporcional që është shqiptuar.
Kjo është ankesa e parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës që është përfunduar, andaj edhe aktgjykimi i nxjerrë është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ne kemi ekspozuar mangësi serioze në procesin e gjykimit dhe jemi të zhgënjyer që Kolegji i Apelit ka dështuar t’i pranojë në mënyrën e duhur këto mangësi dhe të vendosë në përputhje me to.
Është disi shqetësuese për z. Haradinaj se Kolegji i Apelit ka përmendur në përmbledhjen e tyre transferimin e tij në një shtet tjetër, ku ai do ta vuante pjesën e mbetur të dënimit, pasi që mbrojtja nuk janë në dijeni se është bërë ndonjë aranzhim për ta mundësuar këtë e as që është ftuar Mbrojtja e Haradinajt të shprehet për këtë çështje. Në pritje të ankesës në Kolegjin e Gjykatës Supreme, z. Haradinaj duhet të mbetet në Njësinë e Mbajtjes në Hagë dhe lidhur me çfarëdo transferimi, z. Haradinaj do të priste që në fund të transferohej për ta vuajtur dënimin në Republikën e Kosovës, pasi që duhet të kujtojmë se ky nuk është tribunal ndërkombëtar apo ad hoc por është organ gjyqësor vendor.
- Haradinaj konsideron se të gjitha zbulimet ishin bërë në interes publik për të vënë në pah politikën e pavend dhe selektive të prokurorisë, ndikimin e Serbisë në proces dhe se masakrat e panumërta të kryera gjatë konfliktit nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe nuk janë hetuar e as që do të hetohen.
( Press Statement on Behalf of Nasim Haradinaj, ALB’ me ty)