Skuadra e Brigadës së Reagimit të Shpejtë e Forcë së Kosovës,e përbërë prej 8 pjesëtarësh është dekoruar me medaljen e artë në një ndër ushtrimet më sfiduese dhe më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol’’në Wells të Mbretërisë së Bashkuar. Këtë ceremoni nga afër e ka ndjekur edhe komandanti i FSK-së, gjeneral lejtnant Rrahman Rama, i cili duke parë nivelin e sfidave gjatë këtij ushtrimi është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e skuadrës. Sipas një komunikate të FSK-së, ushtrimi është mbajtur në tetë faza përgjatë muajit tetor në Wells të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa skuadra e FSK-së ka zhvilluar patrullën e saj 48 orëshe në fazën e 6-të nga data 19 deri me 21 tetor 2016. “Gjatë zhvillimit të patrullës skuadra e FSK-së edhe pse pjesëmarrëse për herë të parë ka treguar një profesionalizëm të jashtëzakonshëm duke arritur të njëjtin nivel me njësitë me elite të ushtrive më të zhvilluara në botë. Deri në fazën e 6-të vetëm 10 skuadra përfshirë skuadrën e FSK-së kanë arritur të dekorohen me medaljen e artë. Me qenë se kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në këtë lloj ushtrimi, dekorimi me medaljen e artë i ka lënë të befasuar si vendin nikoqir ashtu edhe vendet tjera pjesëmarrëse. Kjo performancë e suksesshme e skuadrës ka bërë që FSK të njihet nga vendet pjesëmarrëse si një organizatë serioze dhe shumë profesionale, ku pa dyshim që në të ardhmen si rezultat pritet të rrisë bashkëpunimin me ushtritë e vendeve të tjera”, thuhet në komunikatë.