leoni

Ahmet Qeriqi

Demaçi ishte dhe do të mbetet mishërim i sakrificës shqiptare për liri e bashkim, ishte vetë simboli i kësaj sakrifice

(Fjala e Ahmet Qeriqit, në Akademinë  Përkujtimore që u mbajt në Prishtinë, më 26 korrik 2019, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit)

E respektuar familje Demaçi!

Të nderuar organizatorët të këtij aktiviteti përkujtimor dhe gjithë  ju të pranishëm!

Të gjithë sa jemi këtu e kemi njohur Bacën dhe kush më shumë e kush më pak kemi pasur rastin të bisedojmë me të, madje edhe të punojmë bashkë në kushte dhe rrethana të caktuara.

Në disa vitet e fundit të jetës së tij kam pasur fatin të punoj me të për realizimin e projektit të TV-Diellit, që ishte ideja e tij e mbështetur edhe nga disa të burgosur politikë. Mirëpo sëmundja bëri që projekti të marrë një rrjedhë tjetër. Megjithatë amaneti, mësimet dhe idetë e tij janë vënë në vijë me shpresë se ato do të pasurohen dhe do të begatohen në të ardhmen, në këtë medium.

Baca për së gjalli nuk i duronte fjalët e mëdha edhe pse  tërë jetën është sprovuar me të rëndat e vështirësitë e saj, ishte sakrifikuar për të vërtetën e të drejtën,  ishte bërë zëdhënësi më i fuqishëm dhe më i përkushtuar i së drejtës, humanizmit dhe së vërtetës,  jo vetëm në Kosovë dhe ndër shqiptarë, por edhe shumë më gjerë.

Në anën tjetër ishte bërë  kryengritësi i papërmirësueshëm që nuk thyhej me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë.

Duke qenë i çiltër, si natyra pranverore në agim, humanist dhe i njerëzishëm deri në pakufi, i sprovuar në jetë nga forcat e errësirës, i rrahur me vaj e uthull nga të papriturat dhe rravgimet e jetës, Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet  mishërim i sakrificës shqiptare për liri e bashkim, ishte vetë simboli i kësaj sakrifice, ishte epiqendra  e një drame kombëtare në shumë akte, një dramë, në epilogun e së cilës ende nuk kemi arritur.

Për botën humaniste të Demaçit, qoftë në jetën e tij, apo në krijimtari mund të flitet me shembuj të shumtë, edhe pse një pjese të njerëzve tanë nuk iu ka pëlqyer ai qëndrim i tij, të cilin janë munduar ta interpretojnë si një idealizëm internacionalist, në kuptimin e deformuar të fjalës. Pavarësisht nga kjo, Demaçi, si në jetë e në vepër, ashtu edhe në krijimtari ishte një humanist i thellë, njeri i sakrificës, i krijuar apo i materializuar jo nga rastësia, por nga vetëdija e tij e thellë shpirtërore, e trashëguar edhe nga ADN-ja e pastër njerëzore e kombëtare.

Edhe, shumë çka tjetër mund të thuhet dhe të dëshmohet me fakte për Demaçin, meqë e vërteta gjithnjë mbetet ajo që është, dhe në këtë rast, atë, as e zvogëlon, as e asgjëson, as e fsheh dot. Sepse e vërteta  është vetë principi, që qëndron në ballë të Universit, ashtu sikur është edhe arsyeja, e cila i udhëheq shpëtimtarët, i udhëheq idealistët e vërtetë, ata që kanë mbijetuar dhe janë prore të pranishëm në jetën njerëzore, mbi të gjitha si misionarë, udhërrëfyes  e krijues.

Kundruar nga ky aspekt, tërë jeta e Adem Demaçit ka qenë manifestim i  mendimit dhe veprimit të lirë, i cili përgjithësisht ka  rrjedhë prej tij. Atë manifestim ai e ka shfaqur si kredo jetësore, si shembull unik të një idealisti, i cili me paramendim dhe vetëdije të lartë kombëtare, filozofike e politike e ka bindur veten të vetëflijohet në shërbim të kombit e atdheut, duke lënë anash obligimet e detyrimet e tjera, të cilat nuk i lënë shumica e njerëzve, por vetëm ajo pakica, që e bind veten për sakrificë dhe që disponon  në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. I tillë ka qenë dhe i tillë përgjithmonë do të mbetet, Adem Demaçi.

Ishim  mësuar që Demaçin, me të drejtë ta vlerësonim  në radhë të parë si vetë simbolin e rezistencës kombëtare, shqiptarin e pathyeshëm dhe ndër  më meritorët për lirinë e Kosovës. Ishim mësuar tashmë me  paraqitjet e tij realiste, qëndrimet e tij të drejta, shpeshherë të ashpra, por gjithherë  të vërteta, të shëndosha, të pastra  dhe pa paragjykime.

Çuditërisht, Demaçi ka manifestuar një energji të brendshme e të thellë shpirtërore, e cila e kishte  përcjellë gjatë tërë jetës, në trajtën e një  dhuntie hyjnore, si virtyt universal, si fenomen i llojit të vet. Edhe në moshën e pleqërisë, Demaçi, në botën e tij të pasur, kishte  energji krijuese e meditative, dukej po ai i moshës rinore. Gjithnjë  energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i ashpër sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit shumë herë  ia kishte qarë hallin, duke ia kujtuar vuajtjet shekullore, por edhe duke ia fshikulluar lehtë pacifizmin e paarsyeshëm.

Dikur shkrimtar i ndaluar dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav, Demaçi ka qenë shkrimtari më i lexuar për afër 30 vjet në Kosovë e më gjerë, deri në vitet ‘90, kur u lirua nga burgu dhe kur vepra e tij kishte filluar të ribotohej.

Tregimet e përmbledhjes, “Kur Zoti harron”, pastaj romani antologjik “Gjarpinjtë e gjakut”, romani “Libër për Vetë Mohimin”, “Heli e Mimoza” përmbledhja me poezi “Tung, vargu im”, “Dashuria kuantike e Filanit” e të tjera, të përfshira në kompletin e veprave të tij, përbëjnë një opus tërësisht origjinal krijues, në të gjitha segmentet e krijimtarisë letrare, artistike.

Demaçi në letërsi ka ecur  me kohën. Ai ka filluar të shkruajë tregime me temë sociale, pikërisht në akord me periudhën e vuajtjeve të mëdha dhe katrahurës së varfërisë, që i kishte pllakosur shqiptarët, ndërsa në veprën “Dashuria Kuantike e Filanit” ai ka shkruar një roman modern, një roman të personazhit, duke thyer klishetë e ndërtimit të romanit tradicional.

Rrëfimet e shkruara nga Adem Demaçi në vitet 50 të shekullit XX shënojnë fillimin e prozës realiste, sociale në Kosovë, e cila burim frymëzimi kishte fatin e katandisur të shqiptarit të trojeve të robëruara të atdheut. Ashtu si dikur Migjeni, Nonda Bulka, Sterjo Spasse, Karl Gurakuqi, Demaçi e fillon krijimtarinë e vet letrare e artistike duke marrë pozicion realist, meqë në shpirtin e tij të ndjeshëm, më vonë revolucionar, ai do të brumoset me idealet e shenjta të çlirimit, për të mos u pajtuar kurrë me dhunën, robërinë, shfrytëzimin dhe denigrimin.

E shihte, e ndiente dhe e përjetonte rëndë pabarazinë shoqërore, e cila kishte goditur në radhë të parë shqiptarët. Dhe pikërisht këtu ai do të ndalej, jo vetëm për të menduar e për të konstatuar, por edhe për të vepruar fillimisht duke shkruar rrëfime, duke nxjerrë në sipërfaqe shembuj konkretë, të veshur me petkun dhe metodat shprehëse të letërsisë, e më vonë duke hartuar edhe plane e duke bërë organizime për rezistencë, liri dhe bashkim kombëtar.

Sot në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, Demaçi na mungon fizikisht, por nuk na mungojnë veprat e tij, porositë, vizioni, shembulli i sakrifikues. Po edhe atëherë kur ishte gjallë fizikisht, edhe tani, ose nuk kemi dashur ta kuptojmë thellësinë e vizionit të tij, ose jemi mjaftuar duke menduar se po ia bëjmë qejfin, por të dyja këto Demaçi i kishte kuptuar më mirë se askush. Pavarësisht nga kjo, ai kurrë nuk ishte demoralizuar, kurrë nuk i kishte vënë në dilemë idealet kombëtare e humane dhe kredon e tij jetësore të qëndrimit vertikal. Ai iu kishte përmbajtur maksimës: Jeta vdes atëherë kur mbaron lufta.

Nderim e respekt për jetën dhe veprën e Bacë Adem Demaçit!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …