Demaçi: Po e harrojnë amanetin e dëshmorëve e heronjve dhe po i nxjerrin sytë njeri tjetrit

(Fjalimi i Simbolit të Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi në Akademinë përkujtimore të dëshmorëve të Hanit të Elezit, mbajtur më 29 gusht 2014, në Prishtinë)

Ka ardhur koha, që ata të cilët e kanë vënë monopolin në televizionet tona po m’i shkurtojnë dhe po m’i caktojnë minutat. Kështu që gjithnjë  e më pak populli im po e dëgjon zërin tim kritik, sepse rrënjët e problemeve të mëdha në të cilat po përballet  sot kombi ynë, i kanë harruar heronjtë e dëshmorët e vet, dhe po mundohen që të na bëjnë që t’i harrojmë edhe ne të tjerët.

Ju përshëndes juve familje që keni mbetur gjallë, familje që keni ndihmuar luftën çlirimtare, I përshëndes të gjithë atdhetarët e vërtetë kudo që janë në hapësirën shqiptare dhe botërore.

Më duhet ta them të vërtetën se ua kam dhënë fjalën të gjithë heronjve e dëshmorëve se sa do të kem frymën do të flas në emër të tyre e sa më dëgjojnë  faktet po flasin krejt ndryshe. Shkoni në Marinë dhe shikoni se si duket ai memoriali për të cilin janë shpenzuar miliona për tu ndërtuar e rregulluar, se si është lënë i shkretë. Ka shkuar ai amerikani që ka dhënë pare për atë punë dhe i ka vënë drynin sepse ka qenë i pakënaqur me ato se çfarë ka parë.

Shkoni e shikoni anekënd se ku prehën dëshmorët dhe do të shihni se nuk janë për lakmi, kjo është puna më e vogël. Por të shohim se çka po ndodh me ne, të gjithë jemi në siklet sepse po i harrojmë dëshmorët e  heronjtë tanë e po i nxjerrim sytë njeri tjetrit për cikërrime e për asgjë. Edhe ata që kanë qenë në luftë ka ardhur koha që po donë ti nxjerrin sytë njëri tjetrit në luftë për do karrige  për poste dhe e kanë ndal jetën tonë në zgrip. Ka ardhur koha qe të huajt të na thonë shikoni interesin e përgjithshëm se nuk është koha për interesa të tilla, deri këtu e kemi pru punën e kjo është pasojë e harrimit të dëshmorëve tanë,  e luftës tonë. Prandaj këto manifestime duhet të mbahen edhe më shpesh. Unë e falënderoj zotërinë Rufki Suma dhe është i vetmi nga kryetarët e Kosovës i cili me të vërtetë nuk po i harron dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, ky është duke i shërbyer  popullit dhe komunës së vet çfarë nuk mund të themi për kryetarë të tjerë se sa po i shërbejnë komunave të tyre, kështu që le të jetë shembulli i komunës së Hanit të Elezit për të gjitha komunat, që ta vënë gishtin në kokë dhe të mendojnë  se a kanë ardhur aty që t’iu shërbejnë popullit apo populli t’iu shërbejë atyre. Ne kemi shumë probleme nëpër komuna tona. Jam me popullin e thjeshtë andaj edhe ua di hallet e problemet, po flas nga zemra e plasur. A duhet ta kujtoj dikush se ku ishte ky populli ynë, përse dikush e dha jetën për këtë vend, që politika të bëjë pallate shumë katërshe dhe të mos dinë rendin pasurive të veta, apo e dhanë jetën për të mirën e këtij populli. Të shohim ne se sa ka të varfër që nuk kanë kulm mbi kokë.

Sikur njerëzit në pushtet, sikur qytetarët e thjeshtë të mos i harronin dëshmorët e heronjtë e vet nuk do të ndodhtë kështu, por fakti është se i harruan prandaj edhe po na ndodh kështu. Unë ju thërras ju siç ju thirri kryetari i ndershëm i Hanit të Elezit të mos i harrojmë dëshmorët, t’i lëmë përçarjet, t’i lëmë nenet e çnenet të zgjidhim pengesat, e mos mendoni si t’ ja bëni karriges time, si të bëhem kryetar kuvendi e qeverie, e  kam të drejtë apo jo ajo punë nuk është për tu diskutuar. Unë i thërras këta shokët e mi të luftës e që i kam thirr edhe disa herë e si duket nuk po funksionon kjo fjala ime në veshët e tyre që të kenë në rend të parë interesin e kombit dhe të atdheut, ne po themi që jemi të lirë por nuk jemi të lirë.

Para disa ditësh ishim në Cerajë në atë pjesën ku e kanë në kontroll Serbia me flamuj, roje e parulla të Serbisë. Ne e kemi një Graçanicë këtu dhe presidentja e jonë nuk i sheh ata flamuj  4 metra, hyn brenda dhe bisedon me atë zotërinë e Graçanicë dhe ai i qet kushte. Asaj nuk i bie ndërmend ti thotë mor zotëri, a jemi në Kosovë apo në Serbi. Këto gjëra duhet t’i shohin këta shokët e mi të luftës dhe nëse jemi të pavarur duhet të jemi të pavarur dhe jo ta gënjejmë popullin vazhdimisht.

Një të katërtën e territorit tonë ende na e kontrollon Serbia, gjysma e botës na ka pranuar kurse ne njëri tjetrin nuk jemi duke e pranuar, ne po mundohemi të ulemi më të drejtë e të padrejtë nëpër karrige dhe prej atje  të kemi kryetarin e kuvendit e të e qeverisë,  të kësaj qeverie që na dogj e na poq e na bëri njëqind të zeza. Ata e kanë rrogën 1000 mijë euro dhe deputet tanë i kanë 2 mijë e kusur euro, deputetet e vendit më të varfër që e ka Evropa plus ia kanë bërë vetës kushtet që edhe kur e kalojnë mandatin, t i kenë  disa shtesa, thuajse që po punon Amerika për ne.

Të gjitha këto janë si rrjedhim që shokët tonë të luftës duke ngrënë luftën e vet po mundohen ti harrojnë edhe heronjtë tanë.

Po unë kam besim të plotë tek populli ynë që gjithmonë ka qenë i gatshëm të flijohet për liri  e për atdhe besoj që do t’i tejkalojë të gjitha këto, sepse megjithatë na ka dalë një dritë. Evropa ka filluar ta shohë çështjen shqiptare si një çështje që duhet të zgjidhet definitivisht.

Kaloi koha kur imperialistë të vegjël e të mëdhenj na bënin hile e dallavere, na copëtonin territorin tonë. Nuk jemi rastësisht të rrethuar me vetën tonë ngase të gjithë na kanë gllabëruar nga një copë, edhe sot po mundohen të na bëjnë dredhi e hile, por falë zotit të madh erdhi situata deri aty sa Evropa dhe zonja e madhe e Gjermanisë Angela Merkel e kuptoi se shqiptarët duhet ta zënë vendin e tyre, se duhet të barazohen me të tjerët nëse duan tu japin fund krizave ballkanike. Sepse duke na lënë neve të dobët ata lakmitë e tyre i ushqenin duke na marrë tokat tona, duke na poshtëruar e duke na bërë padrejtësi. Vetëm kur të faktorizohen dhe kur të barazohen shqiptarët,  e kjo sot po varet nga ne, vetëm atëherë Ballkani do të jetë  i qetë dhe do të jetë pjesë e Evropës dhe vetëm atëherë populli ynë do të mund të ecë përpara.

Unë ju lutëm shumë nëse shkoni nëpër xhamia më së pari lutuni për heronjtë e dëshmorët tanë, lutuni për gjuhën shqipe dhe mos dëgjoni hoxhallarë dallaveraxhi që tua shikosh pasurinë nuk ua dinë skajin pasurisë së tyre e flasin për mëshirë e për islam, e kurse vetë janë shkelësit më të mëdhenj. Luftërat e tmerrshme që po behën sot po i bënë myslimani kundër myslimanit, islami kundër islamit, djemtë tanë mos të mashtrohen e mos të bien nën ndikimin e atyre të cilët asnjëherë nuk ia deshën të mirën kombit të vet, por punuan gjithmonë për të huajt.

Ju thërras të jemi të vëmendshëm të jemi syçelë, të mos lejojmë të na hyjnë trefërtalshët me ato mjekrat dhe të na mësojnë ne se si duhet të sillemi e çfarë duhet të bëjmë, ju po e shihni edhe vete nga 4 -5, sa ishin pas 4- 5 vjetësh u bënë 40, nëse ne jemi të papërgatitur do të na bëhen 400 shumë shpejtë. Ata po organizohen, ata kanë policinë e vetë, paratë e veta  e financuesit e vet, kështu që populli ynë nuk guxon ta kthejë kokën në tjetër anë dhe të thotë se tani jemi të lirë dhe të bëjmë festa e dasma.

Unë  kërkoj falje prej jush por e kam amanet të flas në emër të atyre. Këto ishin fjalët e tyre dëshmorëve e heronjve  që më nuk flasin. Prandaj disa po i japin vetes të drejtë ta shkelin e ta përdhosin amanetin e tyre. Por sa te jemi gjallë qoftë edhe një për qind fjala e tyre dhe amaneti i tyre do të dëgjohet. Kam shpresë që populli ynë shumë shpejt do të përparojë dhe të ngrihet, kam shpresë që populli ynë nuk do të lejojë që të na bëhen gjëra të pahijshme dhe të bëjnë punë të pahijshme që nuk u kanë hije ti bëjnë shqiptarët dhe njerëzit e vërtetë.

Faleminderit shumë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …