leoni

Demir Reshiti: BEDRI HALIMI – VEPRIMTAR E INTELEKTUAL SHUMËDIMENSIONAL

Në kuadër të ciklit të shkrimeve Portrete opojanësh që na bëjnë krenar, sot do ta bëj prezantimin e veprimtarit, shkrimtarit e publicistit shumëdimensional Bedri Halimi nga fshati Kuk i komunës së Sharrit i cili jeton e punon në Prishtinë. Shkas për ta bërë këtë shkrim është ditëlindja e tij e 61-të të cilën Bedriu do ta kremtojë në kulmin e veprimtarisë së tij publicistike por edhe në një periudhë përballjeje me probleme shëndetsore të cilat shpresojmë do t’i tejkalojë me sukses.

Bedri Halimi është i lindur në 05. 03. 1963 në fshatin Kuk të trevës së Opojës (komuna e Sharrit). Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje (4 klasë) dhe katër klasë të tjera në Shkollën “28 nëntori” në Bresanë. Si nxënës i shkollës së mesme është arrestuar për shkak të qëndrimeve të tij atdhetare dhe  është dënuar me disa vite burg, të cilat i mbajti në burgjet e Pejës, Prizrenit, Zagrebit, Gospiqit, Pulës, Rijekës dhe Goli Otokut. Pas burgut për një kohë ju mohua e drejta e shkollimit në formë të heshtur. U detyrua ta kryej shërbimin ushtarak që të mos humbte më shumë kohë. Pastaj ka vazhduar dhe kryer studimet në fakultetin e Bujqësisë.

Ndonëse i ri në moshë, përballja me një sistem që i shtypte pa mëshirë shqiptarët e veçmas ata me vetëdije të lartë kombëtare dhe qëndrimi për disa vite nëpër kazamatët serbosllave, jo vetëm që nuk e thyen por e bënë edhe më të përkushtuar në rrugën e atdhetarizmës.
Pas daljes nga burgu, Bedriu vazhdoi të mbetej halë në sy të shërbyesve dhe puthadorëve të ish-sistemit okupator. Megjithatë, ai kurrë nuk pushoi së vepruari në kauzën kombëtare. Krahas aktivitetit ilegal, Bedriu me një grup veprimtarësh tjerë nga Opoja ishte aktiv dhe prijatar në pothuajse të gjitha nismat atdhetare e kulturore të kohës, falë të cilave Opoja nga një zonë e izoluar u shndërrua në njërën nga trevat më aktive që kontribuuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Vlen të përmenden këtu Aksioni për pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, formimi i Këshillit për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut (KMLDNj), organizimi i aktiviteteve të shumta kulturore, mbajta e tribunave të ndryshme shkencore, historike e përkujtimore, etj.

Bedriu është ndër të parët veprimtarë nga treva e Opojës që u angazhua në formimin dhe organizimin e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, ushtri në të cilën e ka dhënë kontributin e tij deri në çlirimin e vendit.
Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, Bedriu në vitin 1997 serish arrestohet apo më mirë të thuhet kidnapohet nga policia serbe të cilët e torturojnë në përmasa cnjerëzore. Si pasojë e torturave mizore, përfundon në spitalin e Prishtinës pothuajse pa shenja jete por Zoti deshi që të shpëtojë. Pasojat e këtyre torturave Bedriu po i vuan edhe sot!

Çmimi i lirisë…

Bedriu është i njohur edhe për parimet e tij. Në periudhën e pasçlirimit, ai u angazhua në themelimin e institucioneve komunale dhe organizimin e jetës në komunën e Sharrit duke e dhënë kontributin e tij të pamohueshëm në pothuajse të gjitha sferat. Ka qenë pjesë e Këshillit Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me figurat kryesore të kësaj partie.

Më pas punën dhe aktivitetet i vazhdon në Prishtinë ku për disa vite ishte kryeredaktor e redaktor në disa gazeta e revista ndërsa nga viti 2008 ai punon si kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Duke pasur parasysh krajatat nëpër të cilat ka kaluar, Bedriu ka pasur e ka nevojë për qetësi. Në vend të qetësisë, në Kosovën e pasluftës, pati edhe njerëz të tillë, që ia montuan akuzën për Prevallë e Brezovicë, e çuditërisht madje edhe ta arrestonin. Nga Gjykata Themelore – Departamenti Special, si dhe nga Gjykata e Apelit – Departamenti Special, u shpall i pafajshëm. Në Kosovën tonë, fatkeqësisht ka njerëz që sakrificën për liri, që i kushtoi tërë jetën, të vlerësohet e shpërblehet edhe në këtë mënyrë.

Si pasojë e të gjitha këtyre, dhe pasojë e torturave në burgjet e kaluara, e sidomos më 1997, shëndetin e ka të dëmtuar. Falë forcës së madhe shpirtërore deri tani ja ka arritur me sukses të mbijetojë.

Së voni ju nënshtrua edhe një operacioni të cilin arriti ta përballoj.

Bedriu, këtë muaj, kur edhe e ka ditëlindjen, pret edhe një sfidë tjetër: do të operohet edhe njëherë.

Shpresojmë se edhe këtë sfidë Bedriu do ta përballojë, për t’ju përkushtuar sërish punës në Institucionin ku punon, si dhe punës krijuese e shkencore, nga të cilat pritet të botoj edhe shumë libra të tjerë.

Bedriu aktualisht jeton në Prishtinë me bashkëshorten e tij. Ka dy djem dhe një vajzë dhe është gjysh i lumtur!

Veprimtaria letrare, publicistike e shkencore

Që nga viti 1991 drejton dhe boton revistën për kulturë, art e shkencë “Sharri”, revistë e cila ka bërë jehonë në qarqet kulturore e shkencore në hapësirat shqiptare. Gjithashtu ka shkruar shkrime të shumta në të gjitha gazetat e revistat e ndryshme në hapësirën shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi.

Ka shkruar punime të shumta kulturore, letrare e shkencore, të botuara në revista të ndryshme të hapësirave shqiptare.

Deri tash ka botuar disa libra letrar, publicistikë e shkencorë, si:

Ditar Dardanie (1992) – poezi për të rritur, botim i klubit letrar “Luigj Gurakuqi”;

Plagë shpirti (1995) – poezi për të rritur, nga klubi letrar “Luigj Gurakuqi”;

Cubat fshehin Hënën (1999) – poezi për të rritur, nga gazeta “Rilindja”;

Kafshët e botës sime (2001) – poezi për fëmijë, nga “Rilindja” – Prishtinë;

Qëndresa kombëtare në Opojë dhe dëshmorët e saj (2002) – libër historik, klubi letrar “Luigj Gurakuqi”;

Përgatiti për botim librin “Haxhi Ymer Prizreni” (2006), revista “Sharri”;

Pemët, perimet dhe drithërat në mjekësinë popullore (2009) – libër shkencor, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor – Prishtinë;

Kënga e lumit, (2009) – poezi, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Lule në Zinovë, poezi të zgjedhura nga autorë opojanë, 2011, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Karnavalet e djajve, 2013 – poezi, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Goranët, monografi, 2012, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Dëshmorët e Opojës, 2014, monografi, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Përgatiti për botim librin monogrfik: OPOJA – Aspekti historik, 2016, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Haxhi Ymer Prizreni – figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, 2017, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Panoramë Opojane, poezi për fëmijë, SHB “Fidani”, 2017, Prizren;

Përgatiti për botim librin monografik: OPOJA – Aspekti folklorik, 2017, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Ecje nëpër furtunë, roman, 2017, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Ura e Diellit, poezi, 2018, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Përgatiti për botim libri monografik: OPOJA – Aspekti gjuhësor, 2018, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

Përgatiti për botim librin monografik: OPOJA – Aspekti etnologjik, 2019, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

Sytë e mallit, poezi, 2019, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Dhuna serbe në Opojë 1912-1999, studim historik, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni, 2020;

Ora e lirisë përballë krimeve të Serbisë, publicistikë, 2021, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Vlerësime e interpretime historike e letrare, 2021, recensione, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Ëndërr vrastare, tregime, 2021, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Zjarr yjesh, poezi, 2021, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Interpretimet antishkencore të historiografisë serbe rreth çështjes shqiptare, studim historik, 2022, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Rrëfime tmerri, drama, 2022, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

Cunga pylli, poezi, 2022, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

Syzjarre, poezi, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

Qepallat e përflakura, poezi, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

Njerëz e fate, tregime, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

Qasje antishkencore e ASHAS, për Gorën, Opojën dhe Sredskën, studim historik, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni, 2023.

Përgatiti për botim librin monografik: OPOJA – Aspekti kulturor, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

Ka shkruar një varg skenarësh disa nga të cilët janë bërë filma dokumentar si: Dëshmorët e Opojës; Ymer Prizreni, Këngët opojane, etj., të realizuara nga Shoqata Kulturore Ymer Prizreni, dhe të transmetuara edhe në televizione të ndryshme si  në RTK etj.

 

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …