Sot përkujtohen heronjtë e kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies heroike të tyre

Demir Reshiti: HERONJTË QË SFIDUAN VDEKJEN I

(Në 34 vjetorin e rënies në altarin e lirisë të heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu)

Ata shkuan edhe drejt vdekjes pa iu trembur syri. Heroizmi i rënies së Afrimit dhe Fahriut, proklamonte fillimin e një epoke të re, ku do të fuqizoheshin përpjekjet për organizimin cilësor të luftës sonë për çlirim, ku do të niste seriozisht organizimi i popullit në luftë të armatosur.

Prishtinë, 2. 10. 2023 – 34 vjet më parë, më 2 nëntor 1989, uturima e mjeteve të blinduara dhe e makinerisë së luftës bashkë me aradhen e bashkuar të policisë speciale të shoqëruara edhe me helikopterë kishin mësyrë dhe e kishin vënë rrethimin për t’i kapur ilegalët Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. Ata u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë, dhe pas një lufte të madhe që bënë, ranë si bien trimat në fushën e nderit. Qëndresa e tyre jepte porosinë që kumbonte fuqishëm dhe tregonte qartë, se akti i trimërisë është vepra që ngre peshë zemrat e liridashësve deri në heroizëm të pashoq. E si mund të dorëzoheshin trimat, kur i priste beteja për ta mundur vdekjen? 

2 nëntori është treguesi më i mirë dhe amaneti që lanë Fahriu dhe Afrimi për të gjallët, për forcat ilegale të cilat vepronin kundër pushtuesit. Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, mbyllën sytë duke e kryer obligimin kombëtar ashtu siç dinë vetëm pasardhësit e denjë të Vojo Kushit e Perlat Rexhepit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës. Prandaj heroizmi i rënies së Afrimit dhe Fahriut, proklamonte fillimin e një epoke të re, ku do të fuqizoheshin përpjekjet për organizimin cilësor të luftës sonë për çlirim, ku do të niste seriozisht organizimi i popullit në luftë të armatosur.

 

Afrimi e shndërroi burgun në shkollë të përgatitjes për rezistencë të armatosur

Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në fshatin Llugë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Afrimi rrjedh nga një familje e cila që herët i kishte kundërshtuar pushtuesit. Ngjarjet e mëdha të vitit 1981 Afrimin e gjetën nxënës të vitit të dytë të shkollës së mesme në Prishtinë. Më 1 dhe 2 prill të ‘81- demonstratat u përhapën në të katër anët e Kosovës. Në ballë të këtyre ngjarjeve qëndronte Afrimi i cili nga pozitat e një atdhetari të mirëfilltë, nuk mund të qëndronte i qetë e indiferent para gjithë kësaj që po ndodhte dhe sidomos para faktit të moszgjidhjes së çështjes sonë kombëtare. 

Afrimi i kishte vënë vetes për detyrë që të luftonte deri në fund për çlirimin e tokave shqiptare. I përgatitur mirë ngaqë kishte lexuar shumë dhe me afërsinë e dashurinë që tregonte ndaj të tjerëve Afrimi u bë frymëzues për të tjerët që edhe ata të nisin rrugën e vështirë por që s’kishte tjetër – rrugën plot sakrifica të lirisë. 

Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Ndërsa, më 1984 arrestohet bashkë me shumë shokë, dhe dënohet me katër vjet burg. Pas arrestimit që ia bën organet e sigurimit të pushtuesit dhe dënimit që ia dhanë ata, ai qëndroi stoikisht. Burgun e mbajti në Pozharevc. Burgu që vuajti ai qe në të vërtetë ndryshe ngaqë mendonin pushtuesit. Ai burgun e shndërroi në shkollë të përgatitjes së vet e të të tjerëve. Afrimi nuk u dorëzua; ai nuk u thye e as nuk u ligështua për asnjë moment, por nga burgu doli edhe më i përgatitur se ç’ishte më parë. 

Pas daljes nga burgu ai u inkuadrua në radhët e LPRK-së. Afrimi nuk rrinte. Ai me të gjitha mundësitë i kontribuonte në çdo moment zgjidhjes së çështjes sonë. Në kuadrin e kontakteve të shumta me të rinj shqiptarë që merreshin me punë ilegale vetë koha dhe përpjekjet e përbashkëta, rruga që kishin zgjedhur ata të dy i takoi Afrimin e Fahriun për t’i lidhur ata fort me njëri-tjetrin. Afrimi ishte vërtet një shok çfarë e kishte dëshiruar Fahriu dhe anasjelltas. Ata bashkë mund të bënin çdo gjë duke qenë të bindur se deri në fund do të vazhdojnë ecjen në po këtë rrugë.

Zaten edhe Afrimin e Fahriun dhe Fadil Vatën dhe veprimtarët tjerë të kohës vetë koha i nxori në ballë të rrjedhave që po shënonin një kthesë të madhe historike. Kosova ziente nga protestat, demonstratat e grevat, dhe edhe Afrimi, Fahriu e shokët tjerë ashtu siç kudo ngjanin këto vlime ashtu edhe ata ishin kudo. Koha u kishte ngarkuar një detyrë tepër të vështirë. Në njërën nga demonstratat e pranverës së vitit 1989, Afrimi, demonstruesve që zienin përbrenda nga urrejtja për pushtuesit u drejtohet me një fjalim. 

Thirrja e organeve të pushtuesit, në qershor të vitit 1989, që Afrimi të shkojë në shërbim ushtarak të pushtuesit, nuk e ndau nga përpjekjet e mëdha që kishte bërë e synonte t’i bënte. Ai nuk mundi të durojë sjelljet e organeve të pushtuesit ndaj tij dhe duke e parë se Kosova dhe çështja kombëtare kishte nevojë për kontributin e tij ai u arratis nga radhët e ushtrisë pushtuese dhe nisi jetën e rëndë dhe të vështirë të ilegalit. Këto vështirësi nuk e lëkundën e nuk e hamendën për asnjë çast Afrimin. 

Afrim Zhitia me punën e vet të palodhshme me vetëmohimin prej një atdhetari të shquar hyri dhe u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, pjesës më të ndritshme të saj. Ata shkuan edhe drejt vdekjes pa iu trembur syri, duke përsëritur vetëm pesë vite më vonë epopenë e lavdishme të rënies së dy trimave të tjerë shqiptarë, rënien heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës. 

Edhe në fund të jetës së tyre u gjenden në ballë të përpjekjeve, ashtu siç nuk pushuan asnjë çast. Më 2 nëntor të dy bashkë, shokë ideali Afrimi me Fahriun u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit dhe pas një lufte të madhe që bën ata të dy u vranë nga dora e gjakatarëve për të mos vdekur kurrë. Krisma e pushkëve të tyre theri kupën e qiellit mbi Prishtinë, dhe kjo jehonë u ndje edhe më larg, gjer atje ku jeton shqiptari. Kjo luftë zhvillohej në Kodër të Diellit, në Prishtinë, në zemër të Kosovës. Ai gjak që u derdh e iu bashkua lumit të gjakut të të rënëve tjerë, nxjerr para nesh porosinë e qartë të tyre. Jeta e secilit prej nesh është asgjë kur është në pyetje atdheu. Krisma e pushkëve të tyre e qau qiellin, dielli hapi lirisht rrezet e tij mbi atdheun tonë të robëruar. Vijon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …