Demush Isuf Lata (3.4.1965 – 7.5.1999)

Demush Isuf Lata (3.4.1965 – 7.5.1999)

Dëshmori i kombit Demush Lata u lind më 3 prill të vitit 1965 në një familje atdhetare në fshatin Smolicë të Gjakovës, e cila gjatë luftës së fundit për liri dha tre dëshmorë të kombit: Naim Avdiun, Burim Hamzajn dhe Demush Latën.

Prindërit Isuf e Ajshe Lata, i lindën dhe i rritën pesë fëmijë, katër djem e një vajzë: Demushin, Qamilin, Ramizin, Sejronin dhe Shyhreten. Shkollën fillore Demushi e kreu në Smolicë, ndërkaq të mesmen në Gjakovë. Ai ishte i martuar, dhe ba i shtatë fëmijëve, dy djemve e pesë vajzave. Megjithëkëtë, që në kushtrimin e parë, iu përgjigj thirrjes për mbrojtjen e atdheut dhe me armë në dorë që nga fillimi gjer në fund, pra që nga 6 prilli i vitit 1998 deri më 2 gusht 1998, luftoi e qëndroi në frontin e luftës në mbrojtje të Smolicës nga pushtuesit serbë.

Këso kohe, djemtë e Smolicës, nën drejtimin e komandantit Agron Rama, i kishin formuar celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në fillim të muajit shkurt 1998, duke e bërë Smolicën njërën ndër bazat më të fuqishme nëpër të cilën kalonte pothuajse i gjithë furnizimi me armatim për në Kosovë. Ndërkaq, më 6 prill 1998, njësitet e UÇK-së dalin haptazi në Smolicë, atëherë kur edhe shpërthen lufta frontale në këto anë. Me gjithë sulmet e pandërprera, të ushtrisë, policisë e 88 Feniksët e lirisë – 16 paramilitarëve serbë, Smolica u bë kështjellë e pathyeshme e qëndresës së UÇK-së. Pos luftëtarëve të lirisë, të gjithë banorët e Smolicës, burra e gra, pleq e fëmijë, secili në mënyrën e vet e ndihmuan luftën pa kursim. Smolica, ishte vatër nëpër të cilën kalonin luftëtarë nga të gjitha viset shqiptare. Ishte sofër e mijëra ushtarëve të lirisë që hynin në Kosovë.

Smolica me luftë nuk u mund kurrë. Dëshmori Demush Lata, pati fatin të jetë njëri ndër ushtarët e dalluar të këtij fronti. Pati fatin të luftojë përkrah komandantëve, eprorëve e luftëtarëve të dalluar si: Agron Rama, Sejdi Rama, Fetah Krasniqi i Gjyrgjevikut e Fatmir Doçi i Tropojës, Naim Avdiu, Burim Hamza, Florim Sejdiu, Avdy Hasanaj e Musë Balia, dëshmorë të kombit.

Demush Lata edhe pas Smolicës, luftën e UÇK-së e përkrahu, e ndihmoi dhe u angazhua deri në fund. Në luftë, pos të tjerëve ishte i mobilizuar edhe vëllai i tij, Sejroni, atëherë vetëm 17-vjeç, i vrarë aksidentalisht pas luftës.

Demush Lata ka rënë dëshmor në luftimet e zhvilluara në lagjen Çabrat të qytetit të Gjakovës, më 7 maj 1999, bashkë me shumë të tjerë, të cilëve më pas ua zhdukin kufomat, e të cilat i kishin dërguar në varrezat masive në Serbi. Disa vite më vonë është gjetur në varrezat masive me trupa shqiptarësh të vrarë në afërsi të Beogradit. Në vitin 2005, eshtrat e tij u kthyen në Kosovë.

Pas identifikimit në Morgun e Rahavecit, dëshmori Demush Lata, më 24 qershor 2005, u rivarros në vendlindjen e tij, pranë bashkëluftëtarëve, pranë shokëve të luftës e të idealit, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Smolicë. Ai ka lënë pas vetes gruan, Zyhren dhe fëmijët: Sarandën, Mirandën, Isufin, Rajmondën, Mirlindën, Lindën dhe Ermalin.

Familja e dëshmorit Demush Lata është nderuar me mirënjohje të shumta nga Komanda e Brigadës 134 “Bedri Shala”, nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 - 2.12.1998)

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 – 2.12.1998)

Dëshmori Hyzri Talla ka lindur në fshatin Letancë të Besanës (ish-Podujevë) në një familje të …