Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “non grata” Ramiz Merkon, kryetarin e Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut. Uashingtoni zyrtar nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka përvetësuar fonde në mënyrë të paligjshme dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut. Veprimi i sotëm thuhet më tej në njoftim dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit, raporton Zëri i Amerikës. Sipas njoftimit nuk do t’i lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara edhe bashkëshortes së Ramiz Merkos, Shpresa Merko, si dhe tre fëmijëve të tyre në moshë të rritur, Gencit, Nazmijes dhe Drenushës. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre përfundon njoftimi i Departamentit amerikan të Shtetit.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti: Buxheti i vitit 2025 është buxhet i qytetarëve dhe për qytetarët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas miratimit të buxhetit për vitin 2025, që …